Donald Trump është bërë më i rrezikshëm

The Economist

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Politika amerikane arriti në këtë nivel: një ditë pasi një juri popullore shpalli fajtor Donald Trump për abuzim seksual dhe për shpifje ndaj viktimës, ish-presidenti u paraqit në televizionin kombëtar si kandidati kryesor për nominimin presidencial të Partisë Republikane, që pretendon se e ka bazën tek familja, vlerat, sundimi i ligjit, tek madhështia dhe krenaria amerikane.

Natyrisht, gjesti i Trump nuk duhet të befasojë askënd, aq më tepër pas suksesit të tij për 7 vite me radhë në përdhosjen e vlerave të republikanëve. Gjithsesi dalja e tij publike ishte një spektakël i pështirë.

Kur Trump e sulmoi sërish akuzuesen e tij, duke e quajtur atë një “të çmendur”, audienca në sallë e përbërë nga republikanë por edhe të pavarur, e mbledhur më 10 maj nga CNN për një dëgjese në shtetin e New Hampshire ku do të mbahet gara e parë brenda partisë, qeshën dhe duartrokitën.

Ata qeshën sërish kur ai këmbënguli se “ishte një Nancy Pelosi e çmendur”, dhe jo ai përgjegjës për kaosin gjatë rebelimit të 6 janarit 2021 në Capitol Hill. Ai e quajti atë “një ditë të bukur”, dhe tha se ishte i prirur të falte shumë prej të dënuarve, të cilët sipas tij kishin “dashuri në zemrat e tyre”.

Këmbëngulës në paturpësinë e tij, Trump gënjeu vazhdimisht, ndërsa moderatorja e CNN, Kaitlan Collins, e ndërpreu me guxim dhe u përpoq ta kontrollonte atë në kohë reale. “Ti je një njeri i keq”- i tha në fund Donald Trump duke shkaktuar duartrokitje dhe të qeshura në sallë.

Megjithatë Trump tha një të vërtetë, e cila nxori në pah cinizmin e tij ekstrem. Pasi kërkoi që ligjvënësit republikanë të refuzojnë të rrisin kufirin e borxhit pa “shkurtime të mëdha” të buxhetit nga presidenti Joe Biden, moderatorja Collins i vuri në dukje se vetë Trump kishte thënë dikur se tavani i borxhit nuk duhet të jetë një mjet negociues.

“Po, por atëherë unë isha president”- tha Trump.

“Por pse është ndryshe tani?”- e pyeti Collins.

“Sepse tani nuk jam president”- u përgjigj ai duke buzëqeshur. Kjo e demaskoi ish-presidentin. Që gjatë kohës që po mbahej dëgjesa publike, CNN u vendos nën një mori sulmesh në Twitter dhe rrjetet e tjera sociale për lejimin e Trump që të dilte në platformën e tij, sidomos para një audience miqësore me të.

Me këtë dalje, Trump ndoshta e ndihmoi veten në raport me votuesit brenda Partisë Republikane. Duke u shfaqur në CNN për herë të parë që nga viti 2016 – për vite me radhë e ka sulmuar këtë televizion si “prodhues të lajmeve të rreme” – ai po sfidonte armiqtë e fansave të tij por edhe rivalëve si guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, që zakonisht pranon të intervistohet nga gazetarë që janë miqësorë me të.

Gazetarja Collins e sfidoi fort Trump mbi gënjeshtrat e tij mbi manipulimin e zgjedhjeve.

Por rregullat kaotike të polarizimit, përfshirë atë të medias, nënkuptuan se këmbëngulja e saj ndoshta i dha atij mbështetjen që shpresonte. Megjithatë CNN i bëri një nder SHBA-së, duke u treguar amerikanëve se sa i rrezikshëm mbetet ende Donald Trump.

Deri më tani ai ka drejtuar një fushatë efektive, e cila sugjeron një aftësi shqetësuese për të mësuar nga gabimet e së kaluarës. Kur po e godiste DeSantis para se ky të shpallte zyrtarisht kandidaturën e tij, Trump postonte në mënyrë metodike video 3-minutëshe në të cilat ai përshkruante pozicionet e tij politike.

“Politico” raportoi së fundmi se Trump është duke u ballafaquar me liderët e partive në shtete si Luiziana, të cilët ka të ngjarë të jenë delegatë në konventën që do të emërojë kandidatin e  presidencialeve të 2024-ës. Dhe ai e ka përcjellë mesazhin e tij para një audiencë të gjerë, partiake dhe jo vetëm.

Një reklamë e re e Trump, e publikuar më 10 maj, tregon një video ku presidenti Biden, që sot është sot 80 vjeç, pengohet në shkallët e avionit Air Force One dhe një moment tjetër kur rrëzohet nga biçikleta. Një sondazh i fundit nga “Washington Post” – Abc News i publikuar më 7 maj tregoi se Trump e mposhti Biden në një garë të dytë midis tyre.

Por i pa filtruar nga ndihmësit e tij, Trump e dëmtoi jo pak veten me deklaratat e bujshme që bëri gjatë dëgjesës publike. Në atë moment Joe Biden po merrte pjesë në një takim për mbledhje fondesh. Ai shkroi në Twitter: “A e doni edhe 4 vite të tjera më ketë?”. Dhe brenda gjysmë ore ekipi i tij publikoi një reklamë që ndërthurte mendimet e Trump mbi “bukurinë e 6 janarit” me imazhet e dhunës që u pa atë ditë.

Nëse Trump fiton sërish nominimin zyrtar, mburrja e tij për ndalimin e së drejtës së abortit në shumë shtete do ta dëmtojë jo pak, së bashku me shumë akte të tjera të diskutueshme. Vendimi i jurisë popullor në prag të kësaj dëgjese erdhi si një çështje civile e depozituar në në gjykatën federale në Nju Jork nga shkrimtarja E.Jean Carrol.

Ajo e akuzoi Trump për përdhunimin e saj në vitet 1990, dhe më pas për shpifjen ndaj saj, pasi ajo e përmendi për herë të parë këtë akuzë në vitin 2019, ndërsa Donald Trump ishte president. Bazuar tek provat, juria vendosi se zonja Carroll nuk e provoi aktin e përdhunimit, por vërtetoi akuzat e tjera.

Ajo urdhëroi Donald Trump t’i paguajë asaj një dëmshpërblim prej 5 milionë dollarësh. Ish-presidenti tha se do të apelojë vendimin. Trump nuk pranoi që të paraqitej në mbrojtjen e tij, por në një deklaratë të regjistruar në video ai konfirmoi se besonte në atë që tha në videon “Access Hollywood” të publikuar në 2016, se vipat mund t`ia hidhnin paq vetëm nëse kishin kapur gratë nga organet e tyre gjenitale.

Ai e quajti atë deklaratë “kryesisht të vërtetë”. Vendimi i gjykatës njujorkeze nuk do ta ndihmojë Trump të rifitojë mbështetjen e grave të periferisë, kur diferenca ndaj Biden ishte plot 19 për qind. “Fatmirësisht ose fatkeqësisht për të”- tha ai në dëgjesën publike, diçka që tingëllon sërish si një sqarim skandaloz.

Trump u akuzua dy herë, dhe në prill ai u padit në Nju Jork për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të bizneseve të tij. Potencialisht mund të ketë akuza të reja më serioze, si në nivel shtetëror po ashtu edhe federal. Deri më tani, këto ndjekje penale dhe civile e kanë forcuar mbështetjen tek republikanët.

Kjo sepse kanë mbetur shumë pak udhëheqës republikanë që i rezistojnë ende atij. Shumica e kundërshtarëve të tij aktualë dhe të mundshëm për nominimin, duke përfshirë DeSantis, e përsëritën atë gabim pasi juria dha vendimin e saj për zonjën Carroll, duke ngritur pyetje në lidhje me të.

Por pas dëgjesës së Trump, komiteti i veprimit politik që mbështet DeSantis e quajti atë “një orë marrëzi që vërtetoi se Trump ka ngecur në të kaluarën”. Kundërshtarët e Trump nuk do ta mundin këtë të fundit duke pritur që dikush tjetër të bëjë punën. Ata duhet të tregojnë njëfarë respekti për vendin, partinë dhe veten e tyre, duke u ngritur në këmbë për shtetin e së drejtës. /albeu.com


Shtuar 13.05.2023 21:57