Si Inteligjenca Artificiale po transformon median: Filtrat mbi Fake News, personalizimi i përmbatjes dhe sfidat me përdorimin e saj

Nga Emirjon Senja

Inteligjenca Artificiale po gjen një përdorim të gjerë duke depërtuar me shpejtësi në pothuajse çdo fushë të jetës sonë, ndërsa aplikimi i saj është kthyer në një sfidë të vërtetë për bizneset, sidomos edhe atë mediatik për të qenë sa më konkurrues në treg.

Vlerësohet se tregu i Inteligjencës Artificiale mund të zgjerohet deri në 312 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2027, por ky është parashikimi më pesimist duke parë zgjerimin e madh që bën ajo.

Forma të AI po aplikohen pothuajse në çdo industri, duke përfshirë bankat, kujdesin shëndetësor dhe tregtinë, por të dhënat tregojnë se ajo po gjen përdorim masiv pikërisht në industrinë e argëtimit si edhe në tregun mediatik.

Si po e transformon Inteligjenca Artificiale industrinë e medias

Pandemia i dha një hov të madh ofrimit të shërbimeve online nga industri të ndryshme, ndërkohë që gjithçka pritet të shkojë shumë më tej teksa zgjerohet dita ditës përdorimi i Inteligjencës Artificiale.

Krahas përgatitjes së përmbajtjeve përmes Inteligjencës Artificiale apo ndihmës në kryerjen e proceseve të ndryshme teknike, AI pritet të ndihmojë më shumë mediat për të njohur më mirë audiencën e tyre; shijet apo preferencat, të dhëna të cilat më pas do të monetizohen përmes praktikave më të mira të marketingut duke sjellë njëkohësisht një përmbajtje më të mirë me një model biznesi të qendrueshëm.

Financat janë “Thembra e Akilit” e mediave, gjë për të cilën përdorimi i formave të ndryshme të Inteligjencës Artificiale mund të ndihmojnë në ndërtimin e një modeli biznesi të mirë siç mund të jetë për shembull fokusimi te informacioni i personalizuar, praktikë, e cila ofron mjaft përfitime për mediat, por sigurisht duke shkaktuar edhe kosto për audiencën dhe për median vetë duke i detyruar menaxherët që të zgjedhin mes asaj që do publiku apo asaj që i duhet.

Personalizimi i informacionit, një balancë mes përmbajtjes që audienca do dhe asaj që i duhet

AI luan një rol shumë të rendësishëm në krijimin e përmbajtjes së personalizuar duke analizuar sasi të mëdha të dhënash mbi sjelljen e përdoruesit, preferencat dhe demografinë.

Pas vjeljes, algoritmet mund t’i përdorin këto të dhëna për të identifikuar modele dhe njohuri, duke lejuar organizatat mediatike të krijojnë përmbajtje që përshtatet me audiencën e tyre.

Një ndër përftimet kryesore të përmbajtjes së personalizuar është rritja e ndërveprimit të audiencës me median duke rritur në mënyrë të ndjeshme prezencën në treg, rrjedhimisht edhe të ardhurat e saj. Krahas kësaj, përmes njohjes së mirë të audiencës mund të ndërtohen modele marketingu më të mira me reklamuesit, gjë e cila po ashtu përkthehet në rritje të të ardhurave për median.

Megjithatë, krahas ndihmës së madhe që AI jep për të njohur audiencën, ajo vjen me rreziqe të mëdha për median vetë, por edhe shoqërinë nëse keqpërdoret apo nëse neglizhohen ndikimet negative.

Sfida e drejtpërdrejtë e mediave në këtë rast ka të bëjë me mbajtjen e një balance mes përmbajtjes që audiencës i duhet dhe asaj që audienca do duke ditur rolin e rendësishëm që ka media në shoqëri ne drejtim të informimit; lehtësimit të diskursit publik si edhe të kontrollit të pushtetit.

Kjo balancë bëhet një sfidë edhe më e madhe për ato media që kanë një model të mirëfilltë biznesi të bazuar mbi shitjen e hapësirës televizive, hapësirave në print ose online.

Terreni mediatik shqiptar funksionon krejt ndryshe, ku jo domosdoshmërisht ndjekshmëria e lartë përkthehet në më shumë reklama dhe ndjekshmëria e ulët, në më pak, pasi shpesh shohim se si përmbyset realiteti, megjithatë me futjen masive të teknikave të Inteligjencës Artificiale, menaxherët e mediave do ta kenë të lehtë të njohin se çfarë do audienca e tyre.

Një rrezik tjetër, me të cilin përballet audienca në rast të keqpërdorimit nga mediat të AI për të prodhuar përmbajtje të personalizuara ka të bëjë me krijimin e një terreni ku audienca të informohet vetëm mbi përmbajtjet me të cilat ndërvepron duke lënë jashtë këtij “rrethi” çdo informacion tjetër, i cili mund të jetë më i vlefshëm dhe të oftrojë një këndvështrim ndryshe.

Këto janë “dhomat kumbuese”, ku për shkak të ndërveprimit me informacion të njejtë në rrjetet sociale, por edhe kudo online, algoritmet dhe sidomos me përdorimin e AI në targetimin e audiencës nga mediat lexuesit kufizohen nga shumëllojshmëria e burimeve duke iu referuar vetëm atyre mediave apo burimeve që konfirmojnë paragjykimet apo besimin e tyre ndaj zhvillimeve të caktuara.

Një situatë e tillë, e instrumentalizuar për shkak të rrjeteve sociale, të cilat mund të arrijnë miliona persona njëkohësisht, mund të çojë në polarizim të shoqërisë dhe mungesë të diversitetit të pikëpamjeve, të cilat mund të jenë të dëmshme për demokracinë.

Ky është dhe rreziku më i madh që vlerësohet se vjen prej algoritmeve dhe përdorimit të AI për të krijuar informacion të personalizuar.

AI përballë Fake News

Më shumë se sa në prodhimin e informacionit të personalizuar, i cili vjen njëkohësisht me ndikimet pozitive dhe negative të tij, AI pritet të ndihmojë median në drejtim të perceptimit të lajmeve të rreme si edhe fotove/ videove të manipuluara.

Është fakt tashmë se informacioni i rremë nuk po shpërndahet më vetëm nëpërmjet tekstit, por gjithnjë e më tepër përmes fotove dhe videove të manipuluara apo të nxjerra nga konteksti.

Përmes përdorimit të teknikave të AI, makina mund të zbulojë nëse një foto është apo jo e manipuluar duke iu referuar jo vetëm prerjeve apo ngjitjeve nga përdorues të programeve të montazhit, por edhe punës së ekspertëve më të mirë të kësaj fushe duke analizuar dritën e fotos apo përputhshmërinë e detajeve të fotos me të gjithë skenën përreth.

Gjithashtu, AI e ka mjaft të lehtë që të verifikojë metadatat e fotos si edhe nëse ajo është nxjerrë apo jo nga konteksti, gjë e cila tashmë bëhet nëpërmjet motorëve të kërkim, por përdorimi i Inteligjencës Articiale pritet ta automatizojë edhe më tepër një nevojë të tillë nga punonjësit e medias.

Sa i përket videove, problemi më i madh me manipulimin e tyre lidhet me ato që duhen “deep fake” ku merret zëri dhe imazhi i dikujt dhe nëpërmjet tyre prodhohen fjalë apo fjali sikur i ka thënë ai personazh.

Këto janë format më të rrezikshme të manipulimit pasi duhet një sy i stërvitur për t’i dalluar. Përdorimi i AI do të bëjë që të analizohen shpreshitë e fytyrës së personazhit që tentohet të manipulohet për të dalë në një përfundim nëse e ka thënë apo jo me të vërtetë atë që pretendohet.

Paragjykimet e makinës

AI nuk mund të përdoret gjerësisht në media pa patur edhe disa rreziqe, me të cilat do të përballen punonjësit e medias, por edhe audienca.

Një ndër këto rreziqe janë edhe forma të paragjykimeve që mund të kenë apo krijojë AI gjatë aplikimit.

Kjo, pasi algoritmet që i shërbejnë makinës për të mësuar janë të paanshme në filtrimin dhe vlerësimin e të dhënave, por algoritmi është po aq i paanshëm dhe i ftohtë edhe kur të dhënat që i referohet janë të pasakta.

Në rast të të dhënave burimore të kompromentuara edhe rezultati do të jetë jo objektiv. Prandaj vlerësohet se në çdo rast, makina do të ketë nevojë edhe për ndërgjegjën e njeriut që të përdoret në shërbim të njerëzimit.

Si përfundim..

Nuk duhet harruar se ndërsa AI mund të ndihmojë në krijimin e përmbajtjes së personalizuar, se gjykimi dhe kreativiteti njerëzor janë ende vendimtare në krijimin e përmbajtjes cilësore dhe të bazuar në fakte bindëse.

Mbështetja e tepërt në teknologji mund të çojë në mungesë origjinaliteti dhe kreativiteti në krijimin e përmbajtjes për mediat në rastetkur ajo nuk gërshetohet me kontributin e gazetarit apo të një individi me ndërgjegje njerëzore në procesin e prodhimit.

Rrjedhimisht, përmbajtja e personalizuar është një mënyrë efektive për të qenë më pranë shijeve të audiencës dhe rritjen e ndërveprimit me ta, por është thelbësore të merren parasysh sfidat dhe anët negative që lidhen me të.

Vlerësohet se në rastet kur mediat do të vendosin të përdorin AI gjatë mbledhjes së të dhënave dhe prodhimit të përmbajtjeve të personalizuara, ato duhet në radhë të parë të sigurojnë burime të paanshme për “makinën”, e cila do të bëjë procesimin e tyre.

Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet përmbajtje e personalizuar që është e frytshme për audiencën, por edhe brenda kufijve të etikës. /albeu.com