Kostoja e madhe e të qënit opozitar në Rusi

Nga Marcus Imarisius “Corriere della Sera

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

E quajnë “drejtësia alla Basmannyj” dhe ky nuk është një kompliment. Përkundrazi, është një  term që i referohej emrit të gjykatës në Moskë, ku gjykohen opozitarët më të njohur ndaj regjimit të Putinit, dhe kuptohet si një sintezë midis represionit politik dhe dënimeve shumë të ashpra.

Atë e përdornin në fillim vetëm avokatët mbrojtës dhe aktivistë të të drejtave civile. Tani po përdoret gjerësisht midis rusëve, por me disa nuanca ironie. Alexey Navalny po vuan një dënim me 9 vjet burg në një burg të sigurisë maksimale, i mbyllur në një qeli ku mezi arrin të shtrijë këmbët.

‘Armiku Publik’ kryesor i Kremlinit, njeriu që guxoi të sfidonte Vladimir Putinin, po përballet me  një akuzë të re, për të cilën rrezikon të vuajë edhe 30 vjet burg të tjerë. Vladimir Kara-Murza, nxënësi politik i liberalit Boris Nemtsov, i vrarë më 27 shkurt 2015 nga disa çeçenë në urën e Kremlinit, sapo është dënuar me 25 vjet burg.

Leximi i vendimit të gjykatës ndaj tij është shumë domethënës. Ai u shpall fajtor për mbajtjen e një fjalimi “me ngjyrime anti-ushtarake” në marsin e vitit 2022, sepse mori pjesë në një aktivitet të promovuar nga Qendra Sakharov, një organizatë humanitare e mbyllur dhe e nxjerrë jashtë ligjit kohët e fundit, dhe pse ka folur pikërisht për gjendjen e vështirë të të burgosurve politikë, që të gjitha rrethana që sipas gjyqtarit të çështjes e vërtetojnë akuzën e tradhtisë së lartë ndaj atdheut.

Lista mund të vazhdojë për faqe të tëra. Ish-kryetari i bashkisë së Yekaterinburgut, Yevgeny Roizman është disidenti i fundit që rrezikon deri në 5 vjet burg për akuzën e “diskreditimit të forcave të armatosura”. E vërteta është se emrat e kundërshtarëve të paktë ndaj regjimit aktual në Rusi, mbërrijnë tek ne në Perëndim si një zhurmë në sfond në mesin e katastrofës që po shkakton lufta në Ukrainë.

Gjithsesi, ne na shqetëson fati i këtyre njerëzve. Shkalla gjithnjë në rritje e dënimeve të tyre, është një tregues shumë i qartë i drejtimit gjithnjë e më autoritar që ka marrë Rusisë gjatë dekadës së fundit. Dhe ndoshta, ai flet shumë edhe për ‘dashamirësinë’ bashkëfajtore me të cilën Perëndimi e ka shoqëruar këtë proces represiv.

Gati të gjithë kundërshtarët e gjykuar dhe të dënuar së fundmi, ishin të pranishëm në vitet 2011-2013 gjatë demonstratave masive kundër Putinit dhe stafetës që ai bëri Dmitry Medvedev. Kështu, këto vendime gjyqësore skandaloze, kanë shuar të gjitha iluzionet e një Rusie më liberale dhe të hapur ndaj botës së jashtme.

Në sheshin Bolotnaya, në ishullin e lumit Moskva jo shumë larg Kremlinit, mijëra njerëz u mblodhën disa vite më parë për të dëgjuar liderët e një opozite të bashkuar si kurrë më parë. Ishte epoka e lëvizjes “Occupy Wall Street”, dhe shumë të rinj ushqenin shpresën e një ndryshimi rrënjësor të shoqërisë. Por Revolucioni i Shiritave të Bardhë, emërtimi që mori protesta për shkak simbolit identifikues që mbanin demonstruesit, përfundoi shumë shpejt.

Shumica e organizatorëve të protestës u arrestuan dhe u mbajtën në qeli për periudha që varionin nga 2 deri në 5 muaj. Më pas erdhën gjyqet, të zhvilluara jashtë vëmendjes së publikut dhe të zhvendosura enkas në një gjykatë periferike si ajo në Basmannyj, dhe me një kohëzgjatje jonormale.

Ajo që kishte realisht rëndësi ishte dobësimi i një opinioni publik që ekzistonte ende. Emri i sheshit me të njëjtin emrin, që në rusisht do të thotë kënetë, u bë përfaqësues i asaj çështjeje gjyqësore. Gjithçka përfundonte me fjali më të buta nëse krahasohen me vendimet e sotme shumë të ashpra.

E megjithatë ajo ishte goditja e parë ndaj shoqërisë civile. Ajo ndodhi nën sytë e gjithë botës. Mijëra prej atyre fëmijëve nënshkruan gjithashtu një letër të hapur për liderët perëndimorë, duke iu kërkuar atyre të shihnin atë që po ndodhte në Rusi, dhe se si po ngushtoheshin vazhdimisht të gjitha liritë civile.

Ata nuk morën kurrë një përgjigje të vërtetë. Në atë kohë aktivisti opozitar Ilya Yashin e quajti veten “peng të Kremlinit”. Më 19 prill, ai u dënua me 8 vjet e gjysmë burg për përhapjen e “dezinformatave” në lidhje me konfliktin në Ukrainë. Shtypja e çdo forme të kundërshtimit nuk nisi më 24 shkurt 2022.

Dhe as nuk u diktua nga “arsyeja shtetërore” si pasojë e bombave që binin mbi Kiev, siç pretendojnë ata nga kampin tonë se kjo është vetëm një parantezë. Përkundrazi, është një mekanizëm që po përdoret prej kohësh. Është një projekt mbijetese i zbatuar nga ata që duan të rrinë me çdo kusht në pushtet.

Sigurisht, nuk është rastësi që ajo mori formë në momentin kur Putin pa të lëkundej konsensusi i  brendshëm ndaj tij. Operacioni Special Ushtarak, vetëm sa e ka përshpejtuar mbylljen e rrethit, duke e bërë gjithnjë e më të lartë koston për ata që thonë se janë kundër luftës.

Rusia ka një traditë të gjatë të grave dhe burrave që janë ngritur kundër autokracisë, por edhe të shtypjes me një çmim shumë të madh personal. Por në kohërat kur dominon vetëm qasja e propaganduar nga media shtetërore, guximi i këtyre njerëzve që janë gjithnjë e më të izoluar në vendin e tyre, meriton edhe më shumë respekt dhe vëmendje.

Navalny dhe të tjerët janë “kanarinat” në “minierën” ruse. Do të ishte më mirë që të mos i harrojmë këta opozitarë të guximshëm. Sepse e kemi bërë tashmë një herë, dhe ja cilat janë pasojat. /albeu.com


Shtuar 1.05.2023 15:01