Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Disa ditë pasi Ursula Von der Leyen u kthye nga një vizitë që zhvilloi në Kinë më 7 prill, presidentja e Komisionit Evropian duhej të udhëtonte drejt Amerikës së Jugut për të nxitur nënshkrimin e një marrëveshjeje të re tregtare. Por takimi me presidentin brazilian është dashur të shtyhet.
Ndoshta ajo ka nevojë të pushtojë. Vetëm 4 muajt e fundit, axhenda e saj ka përfshirë një vizitë tek presidenti Joe Biden në Uashington, një fjalim të mirëpritur në parlamentin kanadez, një takim me mbretin Charles pranë Londrës, pjesëmarrjen në një mbledhje të qeverisët gjermane, samite të përsëritura të BE-së, takimet me krerët e 27 qeverive kombëtare në Bruksel dhe udhëtime për të takuar veçmas liderët e Francës, Italisë, Suedisë, Estonisë, Britanisë, Norvegjisë dhe Ukrainës.
Muajin e ardhshëm ajo do të marrë pjesë në samitin e G7 në Japoni. Këto takime të shpeshta nuk bëhen për qejf apo për dukje. Bashkimin Evropian gjendet në mesin e shumë sfidave. Lufta në kontinentin evropian ka imponuar një riformulim të projektit të paqes që zgjati për 6 dekada.
Dhe zonja Von der Leyen po dikton përgjigjen që i duhet dhënë sfidave me të cilat po përballet BE-ja, nga mungesa e gazit rus deri tek shpenzimet e dobëta në fushën e mbrojtjes. Ekonomia e saj, që sapo ka dalë nga kriza e shkaktuar nga pandemia e Covid-19, ndodhet aktualisht në një gjendje optimiste, aq sa ka luksin t’i kundërvihet subvencioneve proteksioniste të SHBA-së ndaj kompanive të saj në kuadër të politikave ambjentaliste, të reduktojë mbështetjen e tepërt të Evropës nga Kina dhe të përmbushë zotimet e saj në kuadër të luftës kundër ndryshimeve klimatike.
Krizat e mëparshme që përfshinë bllokun, si ajo e eurozonës një dekadë më parë, kërcënuan ta përçanin BE-në. Por përballja me pandeminë, dhe pastaj Luftën në Ukrainë, ka treguar një ndjenjë të qëllimit të përbashkët, e cila e ka ndihmuar unionin që të fitojë një peshë që rrallë e ka pasur.
Evropa është tubuar sot rreth flamurit të saj, me yllin e artë dhe sfondin blu, një rresht me të cilët valëvitet jashtë selisë së komisionit në Bruksel. Nga zyra e saj në katin e 13-të të selisë qendrore, zonja Von der Leyen thotë për The Economist: “Ne e kemi treguar këtë unitet sepse e kuptuam që në fillim se lufta e Rusisë kundër Ukrainës do ta ndryshonte Evropën”.
Pa shumë zhurmë, nën udhëheqjen e saj, struktura politike e kontinentit është ri-thurur, ku komisioni që ajo drejton ka sot shumë më tepër pushtet. Fakti që gjermania 64-vjeçare do të bënte aq shumë për ta diktuar atë ndryshim, nuk ishte e qartë dikur: pushteti në Evropë përdoret më shpesh nga liderët kombëtarë, duke filluar me ata të Francës dhe Gjermanisë. Emërimi i saj në vitin 2019 u pa si befasi. Një aleate e vjetër ish-kancelares e Angela Merkel në CDU-në e qendrës së djathtë, ajo ishte si një figurë e mbijetuar dhe nuk spikati në kye të Ministrisë Gjermanë të mbrojtjes për 5 vjet.
Ndaj posti i lartë në Bruksel ishte i përshtatshëm për të. Për herë të parë në 5 dekada një gjerman do të zgjidhej në krye të Komisionit Evropian. Ishte një pozicion për të cilin zonja Von der Leyen që flet disa gjuhë dukej e përshtatshme: Ajo u rrit në Bruksel, ku babai i saj kishte qenë një zyrtar i lartë i BE-së në vitet e hershme të formimit të bllokut.
“Unë jam lindur evropiane”- thotë ajo. Tre veçori i argëtuan eurokratët në ditët e para të saj në detyrën e re. E para ishte rruga e pazakontë e zonjës Von der Leyen drejt pushtetit. Ajo studioi për ekonomi përpara se të bëhej mjeke. Më pas bërë karrierë në politikë edhe duke pasur 7 fëmijë.
E dyta ishte vendimi i saj për ta shndërruar një pjesë të zyrës së saj në Bruksel në një apartament për të jetuar, për të mbushur ditët dhe netët e gjata të punës (disa paraardhës kishin qenë më pak të zellshëm). Dhe së treti ishte zakoni për ta përshkruar veten që në fillim si kryetare e një komisioni “gjeopolitik”.
Drejtimi i ekzekutivit prej 32.000 personash në Bruksel, është më shpesh çështje e teknokracisë së rëndë, dhe jo e politikës së lartë. Për këtë mendoni pak për rregulloren e kimikateve dhe ndryshimin e subvencioneve të grurit sesa për luftën dhe paqen. Ky pretendimi duket më pak madhështor në ditët e sotme.
Covid-19, që u shfaq menjëherë pasi ajo mori detyrën, ishte një test i hershëm. Zonja Von der Leyen luftoi që të mos rishfaqeshin barrierat midis vendeve të BE-së. Stafi i saj u ngarkua nga qeveritë kombëtare me blerjen e vaksinave për 447 milionë evropianë.
Një detyrë për të cilën ajo ishte e papërgatitur, dhe që u përmbush vetëm pas vonesave fillestare shumë të kushtueshme. Von der Leyen deklaroi shpesh se KE duhet “të shfrytëzojë rastin dhe të tregojë udhëheqje”.
Një shembull ishte një fond i rimëkëmbjes së pandemisë prej 750 miliardë eurosh, një hap drejt një BE-je më federative. Pasi sipas kësaj skeme, paratë mund të disbursohen vetëm sipas prioriteteve të vendosura në Bruksel. Ky i fundit e ka përdorur fondin për të goditur vendet që vlerësohet se nuk respektojnë rregullat e BE-së.
Polonia dhe Hungaria, të cilët mendohet se e kanë dëmtuar pavarësinë e gjyqësorit në vendet e tyre, nuk i kanë marrë ende fondet e tyre. Lufta në kontinent përshpejtoi ndryshime të mëtejshme. BE-ja iu përgjigj pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës duke vendosur 10 raunde sanksionesh kundër regjimit të Vladimir Putinit, dhe i ka dhënë Ukrainës rreth 38 miliardë euro ndihmë financiare.
Madje, ajo i ka paguar rreth 3.6 miliardë euro armë, dikur një tabu. Brenda vendit, një krizë energjetike që dukej se do ta zhyste në recesion ekonominë e BE-së është zbutur disi. Luftimet në Ukrainë – dhe ndërprerja e gazit rus që pasoi – ngritën pikëpyetje rreth mbështetjes së Evropës nga bota e jashtme.
Zonja Von der Leyen flet për “qëndrueshmërinë” – një koncept jo shumë larg nga “autonomia strategjike”, një temë shumë e preferuar nga presidenti francez Emmanuel Macron, me të cilin e kreu vizitën e saj të fundit në Kinë. Ai udhëtim ishte një ilustrim i dinamikës së ndërlikuar të fuqisë në Evropë.
Pak para vizitës, Von der Leyen kishte paralajmëruar në një fjalim të ashpër se “tani Kina e ka mbyllur kapitullin e ‘reformës dhe hapjes’ dhe po kalon në një epokë të re sigurie dhe kontrolli”. Për këtë arsye, zyrtarët në Pekin u siguruan që ajo të ishte violinë e dytë pas presidentin francez shumë më të pranushëm për Kinën.
Për shembull asaj iu dha më pak kohë për bisedime me presidentin Xi Jinping. Ata që kërkonin përçarje në qasjen e Evropës ndaj Kinës e kishin të lehtë ta bënin këtë.
Pavarësisht nëse garanton furnizimin e pandërprerë me energji, zhvillon armë apo ndërton makina elektrike, Evropa dëshiron gjithnjë e më shumë të qëndrojë vetë në këmbë. Rregullat e BE-së që mbajtën ekonomitë e saj ndër më të hapurat në botë, të varura nga zinxhirët e furnizimit shumë jashtë kufijve të saj, duken tani të papërshtatshme.
Në horizont po shfaqet dalëngadalë një model i ri ekonomik me një rol shumë më të madh për shtetin, përfshirë burokracinë e Brukselit. Kjo është pjesërisht rezultat i së vetmes pjesë të axhendës së saj origjinale që i ka mbijetuar përballjes me ngjarjet aktuale: Evropa është në rrugën e duhur për të reduktuar emetimet e karbonit me 55 për qind nga nivelet e vitit 1990 deri në fund të kësaj dekade, dhe ka një shans të besueshëm për të arritur në zero emetime në atmosferë deri në vitin 2050.
Çfarë mund të ndodhë më pas? Mandati 5-vjeçar i zonjës Von der Leyen përfundon në vitin 2024. Disa nga paraardhësit e saj kanë qëndruar në detyrë për një dekadë. Shumica e vendeve duket se janë të vendosura ta mbajnë në këtë post. Por procedurat e mjegullta për ndarjen e vendeve të punës (të lidhura me zgjedhjet e Parlamentit Evropian në pranverën e vitit të ardhshëm) mund ta pengojnë këtë skenar.
Zërat se ajo mund të përfundojë si drejtuese e NATO-s, që po ashtu e ka selinë qëndrore në Bruksel, janë ndoshta vetëm të tilla. E pyetur mbi qëllimet e saj, ajo nuk ofron asgjë përtej buzëqeshjes së një politikaneje të kalitur. Zonja Von der Lejen ka kritikët e saj, të cilët e akuzojnë për centralizimin e pushtetit në një ekip të vogël ndihmësish, në vend se ta shpërndajë atë mes 27 komisionerëve të dërguar nga shtetet anëtare.
Të tjerë ankohen se ajo vetëm sa kanalizon interesat kolektive të qeverive kombëtare të bllokut, në vend se të ndjekë ndonjë ideal më të lartë evropian. Ose ndoshta ajo ka hyrë në një vakum të shkaktuar nga një marrëdhënie jashtëzakonisht e largët midis Francës dhe Gjermanisë – një hendek të cilin nuk ka arritur ta kapërcejë.
Tragjeditë e Covid-19 dhe e luftës në Ukrainë, i përshtateshin çuditërisht një mjekeje që dikur u zgjodh si Ministre e Mbrojtjes. Por ishte një sfidë që mund të ishte gënjyer lehtësisht, dhe nuk ka qenë. Mbajtja e Evropës së bashkuar është “një punë e vazhdueshme dhe në progres”, thotë ajo. Është burimi i ndikimit të papritur të fortë të BE-së në kohët e fundit, por edhe të saj. “Është diçka për të cilën duhet punuar ditë pas dite”- thotë ajo. /albeu.com