Çfarë mund të mësonte Putin nga Stalini

Nga Mark Hollingsworth “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Më 29 gusht 1942, ndërsa tanket gjermane mbërritën në lumin Vollga afër Stalingradit, Josif Stalin u konsultua për strategjinë e tij me gjeneralin më të lartë sovjetik, Georgy Zhukov. Pavarësisht prejardhjes së tij nga një familje e varfër, Zhukov ishte inteligjent, kërkues dhe me vullnet të fortë.

Gjenerali e bindi Stalinin të vononte me një javë kundërsulmin ndaj nazistëve, për të bërë të mundur që furnizimet dhe artileria të arrinte në duart e Ushtrisë së Kuqe. Pesë ditë më vonë Stalini zbuloi se nazistët kishin arritur pothuajse në periferi të Stalingradit.

I inatosur, diktatori sovjetik e urdhëroi gjeneralin Zhukov të sulmonte menjëherë. Sovjetikët nisën kundërsulmin, por më vonë Zhukov kundërshtoi dhe argumentoi se kjo taktikë nuk ishte e realizueshme. Pavarësisht nga instinktet e tij despotike, Stalini pranoi këshillën e gjeneralit dhe e urdhëroi atë të hartonte një plan të ri.

Më 12 shtator Zhukov prezantoi Operacionin Uranus – që në fakt i ndali gjermanët me një mbrojtje minimale, duke i shkaktuar jo pak dëme, ndërsa grumbulloi një ushtri të re për rrethimin e pushtuesve. Në fillim Stalini hezitoi. Ai kishte frikë se Stalingradi do të binte.

Por gjeneralët e bindën. Madje Zhukov e bindi autokratin e frikshëm që operacioni të shtyhej me 10 ditë për shkak të problemeve logjistike.

Por Stalini nuk i pranoi gjithmonë këshillat e gjeneralëve të tij. Ai e konsideronte veten si Komandant Suprem, krye-strateg dhe e përfshiu veten në detaje siç janë furnizimet ushtarake.  Nëse komandantët e tij jepnin lajme të këqija nga fronti, ai do t’i akuzonte ata për “ngjallje paniku”.

Dhe kështu, disa oficerë i vetë-censuruan raportimet e tyre. Përjashtim bënte Zhukovi luftarak. “Detyra jonë është para së gjithash të ndihmojmë komandantët e frontit dhe pastaj t’ju informojmë”- i tha ai me guxim Stalinit. Gjenerali dhe diktatori kishin një marrëdhënie shumë të stuhishme.

Kur Zhukov e këshilloi shefin e tij të braktiste Kievin për të shmangur rrethimin, Stalini e refuzoi dhe e shkarkoi atë nga posti i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Kur e kuptoi gabimin e tij dhe ndryshoi mendje, ishte tepër vonë. Gjithsesi Zhukov u rikthye shpejt si komandant i forcave sovjetike, të cilat mbrojtën me sukses Stalingradin bazuar në politikën “As edhe një hap prapa”.

Stalini pranoi pa dëshirë se Zhukov ishte arkitekti i fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj nazistëve në majin e vitit 1945, kur u lejua të drejtonte paradën e fitores në Moskë. Trashëgimia e fitores së Stalinit ndaj Hitlerit është shumë e qartë. Dhe në fund, ai pranoi këshillat e gjeneralëve të tij.

Për Putinin, një nxënës i historisë ruse, ai duhej të ishte një leksion i dobishëm. Por dështimi i Rusisë në Ukrainë zbulon se si ai e injoroi trashëgiminë e Stalinit. Ai nuk i dëgjon gjeneralët e tij dhe pranon vetëm këshilla nga ato që kremlinologët i quajnë “pëshpërimat”, kryesisht zyrtari i tij i lartë i sigurisë kombëtare Nikolai Patrushev.

Putin i pëlqen strukturat formale burokratike dhe takohet me ministrat dhe shefat e tij të mbrojtjes, por injoron cilindo që nuk bie dakord me të. Vetëm një grup i vogël zyrtarësh është konsultuar për luftën, gjë që shpjegon edhe arsyen pse Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, u informua për pushtimin e Ukrainës vetëm në orën 1 të mëngjesit, vetëm 3 orë para se të niste.

Pavarësisht se nuk ka asnjë përvojë ushtarake, Putin e ka mikro-menaxhuar strategjinë e Rusisë në këtë konflikt, dhe madje ka marrë vendime taktike që zakonisht vendosen nga një oficer që ka në ngarkim 700 trupa në terren. “Putin dhe Gerasimov (shefi i shtabit të përgjithshëm) janë të përfshirë në vendimmarrjen taktike që normalisht pritet të merreshin nga një kolonel ose një shef brigade”- tha për Times një burim ushtarak perëndimor.

Një burim i dytë tha se një komandant rus do të komandonte një batalion taktik prej 900 ushtarësh. Ai shtoi: “Në rast se Putin është duke bërë punën e një komandanti brigade, ai mund të jetë duke drejtuar një forcë prej 700-1.000 ushtarësh”

Ai e krahasoi situatën me shefin e Amazon: “Nuk është Jeff Bezos, ai i dorëzon në destinacion pakot tuaja, ai merret me vendimet strategjike. “Një biznesmen i pasur rus më tha: “Putini është një lider i tmerrshëm. Ndryshe nga Stalini, Putin rrallë i pranon këshillat e ekspertëve ushtarakë, dhe u jep urdhra drejtpërdrejt gjeneralëve në terren.

Rezultati i pashmangshëm ka qenë dështimi strategjik, sidomos në fillim të luftës. Në kundërpërgjigje të pengesave, presidenti rus ka shkarkuar të paktën 6 gjeneralë. Edhe Sergei Surovikin – i njohur si “Gjenerali Apokalips” për mizoritë e tij vrastare në Siri – është shkarkuar nga detyra dhe tani zëvendësi i tij është shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse Valery Gerasimov.

Historia ushtarake e Stalinit duket se e ka lënë të palëkundur Putinin nga qasja e tij. Por në mënyrë të pashmangshme ai i është drejtuar trashëgimisë së tiranit brutal sovjetik. Putin  kundërshton atë që ai e quan “demonizimi i tepruar” i Stalinit, duke mos anashkaluar tmerret e regjimit të tij.

Ai e konsideronte autokratin sovjetik si “produkt të epokës së tij… por kjo nuk do të thotë se ne harrojmë të gjitha tmerret e stalinizmit të lidhura me kampet e përqendrimit dhe shkatërrimin e jetës së miliona bashkatdhetarëve tanë”. Po ashtu nuk ka nguruar të denoncojë “krimet masive dhe aktet dashakeqe të atij regjimi totalitar”.

Por vitet e fundit Putini është shfaqur më dashamirës ndaj paraardhësit të tij. Në vitin 2017 ai e përshkroi Stalinin si “një menaxher efektiv”, “një figurë komplekse”, duke nënvizuar se si kritika ndaj regjimit të tij “është një mjet për të sulmuar Rusinë”. Për më tepër, Putini ka përqafuar elementë të stalinizmit, veçanërisht kultin e personalitetit, vrasjet e sponsorizuara nga shteti dhe kriminalizimin e mospajtimit politik.

Në rast se Putin ka shpërfillur mësimet e taktikave ushtarake të Stalinit, ato kanë një karakteristikë: indiferencën ndaj shkallës së lartë të viktimave. “Ndonjëherë jam i shokuar kur shoh se si komandantët rusë nuk tregojnë kujdes për jetën e trupave ruse. Nuk e kam parë diçka të tillë tek komandantët ukrainas”- thotë Janis Sarts, shefi i Qendrës së Komunikimeve Strategjike të NATO-s.

Numri i viktimave ruse – rreth 171.000 – nuk është bërë publik nga Kremlini, i cili duket i pa shqetësuar për vuajtjet e popullit të tij. Në këtë aspekt, Putin dhe Stalini janë njëlloj dhe do të jenë të lidhur pazgjidhshmërisht në analet e historisë. Siç thoshte dikur Stalini kur pyetej për gjyqet farsë, torturat dhe ekzekutimet e kundërshtarëve të tij politikë: “Kur çan drutë, ashklat fluturojnë sa andej-këndej”.

Shënim:Mark Hollingsworth është autor i librit “Londongrad:Nga Rusia me para”. Libri i tij i ri titullohet “Agjentët e ndikimit:Si KGB-ja i përmbysi demokracitë perëndimore”


Shtuar 10.04.2023 11:22