Kostoja e propagandës: Ja pse Putini nuk mund të bëjë paqe, edhe sikur të donte

Nga Josef Bouska “Newseek

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ndërsa konflikti i ashpër midis Rusisë dhe Ukrainës ka hyrë në vitin e tij të dytë, zërat për arritjen e një marrëveshje paqe po bëhet gjithnjë e më të fortë. Nga intelektualët perëndimorë te udhëheqësi kinez Xi Jinping, që prezantoi planin e tij të paqes gjatë një vizite që zhvilloi pak ditë më parë në Rusi, shumë njerëz duket se besojnë se është e mundur një marrëveshje midis palëve ndërluftuese.

Mjerisht, nuk është kështu. Dhe kjo nuk ka të bëjë me dyshimet që rrethojnë naivitetin e aktivistëve dhe motivet e fshehta të Kinës. Përkundrazi, përgjegjëse është një çështje shumë më kritike. Presidenti rus Vladimir Putin nuk mund të tërhiqet nga territoret e pushtuara, edhe sikur të donte ta bënte këtë.

Kur Kremlini njoftoi aneksimin e rajoneve ukrainase Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia si pjesë integrale të Rusisë shtatorin e vitit të kaluar, analistët në Perëndim e hodhën poshtë si një lëvizje propagandistike të pakuptimtë. Por kjo tregon mungesën e të kuptuarit të mendësisë ruse.

Aneksimi ishte vërtetë një marifet propagandistik, por nuk ishte aspak i pakuptimtë. Sepse përmes asaj lëvizje ushtarët e vdekur rusë, u shndërruan papritmas nga viktima të një lufte pushtuese në heronj që mbronin tokën dhe popullin rus.

Kjo i dha Moskës shansin për t’i bërë më të besueshme kërcënimet e saj bërthamore, sepse tani përpjekjet e Ukrainës për të çliruar territoret e pushtuara, mund të interpretohen si shkelje e sovranitetit rus. Po në të njëjtën kohë ky akt i kufizoi ndjeshëm opsionet e Moskës për të ardhmen.

Nëse mendoni se asnjë mendje e shëndoshë nuk mund ta besonte një farsë të tillë retorike, unë ju ftoj ta ri-mendoni. Gati gjysma e amerikanëve besojnë ende se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin të manipuluara, dhe po i njëjti numër mendon se njerëzit u krijuan nga Zoti rreth 10.000 vjet më parë.

Në Francë, 46 për qind e njerëzve kanë frikë se elitat duan ta zëvendësojnë popullsinë vendase me emigrantët. Ndërsa 27 për qind e gjermanëve dhe zviceranëve gjermanishtfolës, besojnë në ekzistencën e një komploti për të shkatërruarpopullsinë globale përmes pandemisë së Covid-19.

Dhe mos harroni: Kjo po ndodh në vendet që kanë qasje të lirë në burime të panumërta informacioni. Tani imagjinoni pak se si funksionojnë gjërat në një vend që e ka shndërruar në art propagandën shtetërore. Rusët ushqehen me një dietë të qëndrueshme të narrativave zyrtare dhe këndvështrimeve të shtrembëruara kudo, nga klasat e shkollave tek redaksitë e mediave.

Media e pavarur është shtypur gjatë 2 dekadave të sundimit të Putinit, duke u zhdukur praktikisht pas pushtimit të Ukrainës. Kur shteti shpalli Kherson-in dhe 3 rajonet e tjera një territor rus, një pjesë e madhe e qytetarëve rusë tundën kokën në shenjë dakordësie.

E tillë është forca e pushtetit të Putinit në imagjinatën e publikut, dhe ky është problemi kryesor.

Askush në Perëndim nuk mund të shohë dot në kokën e Vladimir Putinit, dhe është e paqartë se sa njerëz rreth tij arrijnë të shohin gjë. Ndoshta aleatët e tij më të afërt – Genadi Timchenko, Sergei Roldugin ose Yury Kovalchuk – e kanë një ide, por ata nuk po e thonë publikisht.

Nga ana tjetër, është e lehtë të përcaktosh atë që nuk dëshiron Putini. Presidenti rus ka deklaruar vazhdimisht se heronjtë e tij janë Pjetri i Madh dhe Katerina e Madhe – monarkë të ngulitur në kujtesën kolektive ruse si simbole të fuqisë ruse.

Ata nuk e morën epitetin e tyre “të madh” duke humbur pjesë të territorit rus, dhe aq më pak ndaj një kundërshtari të konsideruar si shumë inferior. Lideri i fundit që lejoi tkurrjen e sferës së influencës ruse ishte Mikhail Gorbachev, i urryer nga shumica e rusëve deri në pikën sa që e votuan atë si udhëheqësin më pak popullor të shekullit XX-të, pas të gjithë diktatorëve të urryer komunistë dhe carit të fundit, Nikolla II.

Në Rusi, të qenit një superfuqi nuk shihet vetëm si një privilegj me të cilin mund të mburresh, por më tepër si një parakusht për mbijetesë. Siç shkroi para pak kohësh politologu i njohur Thomas Ambrosio: “Rusia kërkon të respektohet si një fuqi e madhe për shkak të besimeve të rrënjosura thellë mbi identitetin e saj dhe vendin e saj në këtë botë”.

Fuqitë e mëdha nuk duan të heqin dorë nga ndikimi i tyre në Ukrainë. Putin i di mirë opsionet e tij. Para aneksimit, ai mund të kishte shpallur në çdo kohë fitoren. Ai që kontrollon median kontrollon edhe narrativën. Lufta fitohet kur thua kështu, sidomos me objektiva të paqarta si “denazifikimi”.

Në fakt nuk është më kështu. Asnjë narrativë nuk mund të shpjegojë asnjëherë se përse toka e shënuar në harta të reja – dhe të zbatuara ligjërisht – si pa mëdyshje ruse është lëshuar papritmas. Askush mund të hamendësojë përse Putini do të zgjidhte t’i lidhte duart e tij në një mënyrë të tillë.

Aneksimi u njoftua me një nxitim të dukshëm pak përpara kundërofensivës ukrainase në Kherson, gjë që sugjeron një vendim shumë impulsiv nga ana e Moskës. Ndoshta vetë presidenti rus donte që të mbronte pushtimin e tij kundër çdo lloj mospajtimi të mundshëm, apo për këtë lëvizje e bindën zyrtarët më radikalë në rrethin e tij të brendshëm. Putin nuk mund të tërhiqet nga “territoret e reja ruse”, sepse nuk dëshiron të hyjë në histori si një udhëheqës i dobët që lejoi humbjen e pjesëve të Rusisë.

As Ukraina nuk do që t’ia dorëzojë ato zona. Ne mund të shohim në muajt në vazhdim armëpushime, marrëveshje apo negociata. Megjithatë, lufta do të përfundojë vetëm me njërën palë të mundur me mjete ushtarake, dhe që do të jetë e detyruar të pranojë kushtet e diktuara nga kundërshtari.

Ose lufta do të kthehet në një konflikt të ngrirë që do të vazhdojë edhe për vitet në vijim. As plani kinez i paqes dhe asnjë plan tjetër nuk mund ta ndryshojnë këtë. Vladimir Putin e ka vendosur qëllimisht veten në një pozicion, të cilin nuk mund ta braktisë pa u poshtëruar. Ndërsa ai është në krye të Rusisë, kurthi i propagandës së tij nuk do t’i lejojë asnjë lloj kompromisi. Dhe sa më shpejt që ta kuptojë këtë gjë komuniteti ndërkombëtar, aq më mirë do të jetë. /albeu.com


Shtuar 5.04.2023 12:38