“EPTISA”, VMRO: Tenderi është rregulluar nga Kovaçevski dhe Grubi

Thellohen dyshimet për rregullshmërinë e procedurës së tenderimit për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-d. Kushtet e tenderimit janë ndryshuar kur ai veçmë ka qenë i hapur me qëllim që t’i përshtatet firmës spanjolle Eptisa, dyshon VMRO-DPMNE-ja, duke drejtuar gishtin te kryeministri Kovaçevski dhe zv.kryeministri i parë Grubi me dyshime për rregullim të tenderit. Sipas partisë opozitare, përveç që është zgjatur afati, është hequr edhe kushti që kompania të ketë bilanc pozitiv financiar në tre vitet e fundit.

“Dyshimet janë se këto ndryshime janë bërë për firmën “Eptisa” e cila më pas e ka fituar tendrin prej 22 milion eurosh sepse, sipas të dhënave tek të cilat kemi arritur, ajo në vitin 2019 ka punuar me humbje prej 6.7 milion eurosh, në vitin 2020 me 6.9 milion euro kurse në vitin 2021 me 8.5 milion euro humbje. Me ndryshimin e kushtit që ofertuesi të mos duhet të ketë bilanc pozitiv në tre vitet e fundit është hapur mundësia që “Eptisa” të marrë pjesë”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Qeveria vazhdon të mos përgjigjet në pyetjet e Alsat se mbi cilën bazë ja ka rikthyer të drejtën kompanisë Eptisa që të mund të marrë tenderë me vlerë mbi 1 milion euro, vetëm dy muaj pasi në seancë qeveritare kishte marrë vendim për t’ja hequr këtë të drejtë.

Alsat ka siguruar informacione jozyrtare sipas të cilave në kompaninë “EPTISA” si konzorcium franko-spanjoll, lider i ekipit menaxhues rezulton Branisllav Dimitrijeviq, i akuzuar në Armeni për “mashtrim”. Dimitrijeviq ndiqej penalisht për të paktën tri vepra penale. Nga Armenia ai ishte arratisur falë ndihmës së diplomatëve maqedonas të cilët atij i kishin siguruar një pasaportë diplomatike dhe e kishin evakuuar me aeroplan privat deri sa për të kishte masë kujdesi-mos largimi nga shteti armen. Nga të dhënat e siguruara, rezulton që Dimitrijeviq përveç si lider menaxhues i “EPTISA”-s rezulton edhe themelues i kompanisë “Euro Konsallting”, gjithashtu kompani e përzgjedhur për të mbikëqyrur konzorciumin i cili do të ndërtojë Korridorin 8 dhe 10-d në Maqedoni. Udhëheqës të kompanisë që nga qershori i vitit 2021 ai ka caktuar djalin e tij Zoran Dimitrijeviq.

Alsat ka siguruar informacionin se kompania “EPTISA” në vitin 2016 i është bashkëngjitur grupit të kompanive kineze “JSTI Group” si njëra nga kompanitë më të mëdha inxhinierike në botë. Nuk dihet nëse gjatë përzgjedhjes, Qeveria ka mbajtur llogari edhe për përcaktimet strategjike dhe parandalimin e shtrirjes së ndikimit kinez në vend.

Kompania e themeluar nga Dimitrijeviq “Euro Konsallting” në Maqedoni mësohet të ketë përfituar mbi 270 tenderë nga institucionet shtetërore dhe komunat. Vlera e tyre arrin mbi 4.5 milion euro./alsat.mk


Shtuar 6.03.2023 10:17