Kina krijon paktin e madh anti-NATO, çfarë parashikon ai

Nga Federico Giuliani “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Xi Jinping foli fillimisht mbi Nismën e Sigurisë Globale (NSG) në Forumin Boao në Shangai të mbajtur në prillin e vitit të kaluar. Presidenti kinez shpjegoi se NSG, do të sigurojë një kornizë parimesh për t’u përballur më mirë me diplomacinë dhe çështjet globale, në mënyrë që ta bëjë botën “një vend më të sigurt”.

Mediat kineze e përshkruan iniciativën si “një tjetër të mirë publike globale të ofruar nga Kina” për të kontribuar me “zgjidhjet dhe mençurinë kineze në adresimin e sfidave të sigurisë me të cilat përballet njerëzimi”.

Në ato ditë, pak përtej Murit, disa njerëz pyetën veten se cili ishte ai koncept. Por që nga ajo kohë ai koncept do të shndërrohej në një gur themelor të dizajnit të ri ideologjiko-diplomatik të propozuar nga Pekini. NSG u përmend edhe në raportin zyrtar me rastin e Kongresit XX të Partisë Komuniste të Kinës që u zhvillua në tetor 2022.

“Një filozof i lashtë kinez thoshte se të gjitha gjallesat mund të rriten krah për krah pa e dëmtuar njëra-tjetrën, dhe se rrugë të ndryshme mund të ecin paralelisht pa ndërhyrë tek njëra-tjetra. Vetëm kur të gjitha vendet të ndjekin kauzën e së mirës së përbashkët, të jetojnë në harmoni dhe të angazhohen në bashkëpunim për përfitime reciproke, do të ketë një zhvillim të qëndrueshëm dhe një siguri të garantuar”- deklaroi Xi kur sapo kishte marrë një mandat të tretë të paprecedentë si sekretar i PKK, duke shpjeguar se pse Kina promovoi Nismën e Sigurisë Globale.

Ndërkohë më 21 shkurt të këtij viti, Pekini e publikoi këtë koncept, së bashku me një dokument tjetër që përmban 12 pika të sugjeruara për zgjidhjen e krizës në Ukrainës.

Nëse do ta krahasojmë qëndrimin e Kinës për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë me koncept-dokumentin e Nismës së Sigurisë Globale, vëmë re se ngjashmëritë janë të shumta dhe madje shumë të dukshme.

Pra dokumenti që flet mbi mënyrën e paqes në Ukrainë, nuk është gjë tjetër veçse aplikimi i NSG mbi një rast konkret dhe specifik, pikërisht në luftën në Ukrainë. Por nëse është vërtet kaq e rëndësishme për Kinën, çfarë është dhe çfarë përfshin Nisma e Sigurisë Globale e Xi?

NSG është pjesë e diplomacisë kineze, e zhvilluar ose më mirë e përditësuar pas ngjitjes në pushtet të Xi Jinping. Presidenti aktual e ka përqendruar vazhdimisht vëmendjen mbi nevojën për të ndërtuar një “komunitet njerëzor me një të ardhme të përbashkët”, një koncept i përmendur në fakt për herë të parë gjatë raportit të presidentit të atëhershëm të Kinës Hu Jintao në Kongresin e Partisë Komuniste të vitit 2012.

Mund të duket si një perifrazim i kohëve të vjetra, i lidhur me një leksik marksist që është i huaj për Perëndimin. Në fakt ky koncept tregon vullnetin e Kinës për të ndërtuar një bashkëjetesë paqësore, e kuptuar si një strukturë e re globale që i përgjigjet rregullave dhe parimeve, të cilat shkelin ato që janë mishëruar nga ekuilibrat aktualë ndërkombëtarë, të konsideruara nga udhëheqja e Pekinit se “kanë shumë në qendër të vëmendjes SHBA-në”.

Komuniteti njerëzor me një të ardhme të përbashkët, është në rënie në disa fusha, nga ekonomia tek shëndeti dhe siguria. “Ashtu si pasagjerët në bordin e së njëjtës anije, vendet e botës duhet të punojnë në solidaritet midis tyre për të krijuar një komunitet të sigurisë së përbashkët për njerëzimin, si dhe për të ndërtuar një botë pa frikë dhe duke gëzuar një siguri universale”- thuhet ndër të tjera në konceptin që është në zhvillim e sipër.

Me fjalë të tjera, duke qenë se problemet dhe krizat ndërkombëtare aktuale shqetësojnë çdo qeveri, për t’i kapërcyer këto pengesa Kina beson se është e nevojshme mbështetja tek bashkëpunimi midis shteteve, që i kapërcen avantazhet partiake dhe dallimet kulturo-ideologjike.

Po ashtu me termin “siguri” nuk duhet kuptuar vetëm mbrojtja dhe sfera ushtarake, sepse në kuptimin e nismës kineze përfshihen edhe çështje të tjera si ushqimi, klima, energjia, zinxhirët e furnizimit dhe tregtia. Prandaj, NSG mund të përshkruhet si një iniciativë përmes së cilës Kina do të përpiqet të propozojë një alternativë ndaj arkitekturës ekzistuese të sigurisë, fillimisht rajonale dhe më pas globale.

Dhe me kalimin e kohës, ajo do të jetë në gjendje të çlirohet nga sistemi i aleancave dhe partneriteteve të krijuara nga Shtetet e Bashkuara në fund të Luftës së Dytë Botërore. Sa i përket përmbajtjes, Nisma Globale e Sigurisë duket disi e nuancuar, dhe kjo sepse Kina synon t’i modelojë iniciativat e saj me vazhdimësinë e ngjarjeve, në mënyrë që të jetë në gjendje t’i përshtatë planet e saj me evoluimin e situatës globale.

Kështu NSG liston “6 angazhime” që duhen ndjekur në politikën e jashtme: ruajtja e përkushtimit për sigurinë globale, një qasje bashkëpunuese dhe e qëndrueshme; respektim i sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve; respektim i parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara; marrja seriozisht e të gjitha shqetësimeve legjitime të sigurisë të të gjitha vendeve; zgjidhja në mënyrë paqësore e mosmarrëveshjet përmes dialogut; dhe së fundmi ruajtja e sigurisë si në fushat tradicionale po ashtu edhe në ato jo tradicionale.

A ju kujtojnë këto ndonjë gjë? Janë saktësisht pikat e propozuara nga Pekini për zgjidhjen e krizës ukrainase. Por nëse për Kinën, NSG është një iniciativë që synon përmirësimin e botës, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë atë një kërcënim të mundshëm. Midis rreshtave, sfida e re e nisur nga Pekini ndaj Uashingtonit nuk ka të bëjë aq shumë me përplasjen ideologjike mes dy vendeve, por më shumë me mënyrën e konceptimit të rendit global.

Pra, Xi synon të përdorë konceptet e përfshira në NSG – bashkëpunimin, marrëdhëniet me vendet e tjera dhe kështu me radhë – për të minuar siguritë e SHBA-së në rajonet gjeopolitike të rëndësishme si Azia-Paqësori, Afrika dhe Amerika Latine, pra në hemisferën jugores, ku shumica e qeverive janë pjesë e të ashtuquajturave vende në zhvillim.

Për secilin rajon, thekson Asia Times, koncept i ri kinez promovon role udhëheqëse për organizatat ndërkombëtare që drejtohen nga Kina apo që përjashtojnë ndikimin e SHBA-së, si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, Konferenca Kinë-Briri i Afrikës për Paqe, Qeverisje dhe Zhvillim dhe Komuniteti i Amerikës Latine dhe Shteteve të Karaibeve.

Në përgjithësi, publikimi i konceptit të NSG, është pjesë e fushatës së Pekinit për të zbutur frikën ndërkombëtare se Kina dëshiron të bëhet një fuqi e madhe në kurriz të vendeve të tjera. Por i shërben edhe synimeve të brendshme: t’i tregojë popullit kinez se nën qeverinë e partisë së udhëhequr nga Xi Jinping, rëndësia dhe prestigji ndërkombëtar i vendit po rritet nga viti në vit, ndërsa gjithnjë e më shumë qeveri të huaja po e njohin epërsinë e qytetërimit kinez.

Duke hyrë në detaje, ekziston një fragment nga dokumenti fillestar që përshkruan NSG që ka alarmuar Perëndimin. Ndër platformat dhe mekanizmat e bashkëpunimit të propozuara për arritjen e sigurisë globale, thuhet se “Kina është gati t’iu ofrojë vendeve të tjera në zhvillim 5000 njësi trajnimi gjatë 5 viteve të ardhshme për të trajnuar profesionistë për t’u marrë me problemet e sigurisë globale”.

Po ashtu dokumenti thekson se Pekini do të inkurajojë shkëmbime dhe bashkëpunim më të madh midis akademive ushtarake dhe policore të nivelit universitar, forcimin e lidhjeve të mbrojtjes me Azinë, Afrikën dhe në përgjithësi, me vendet në zhvillim, duke ofruar trajnime ushtarake dhe shkëmbimin e informacionit të inteligjencës, përfshirë një lidhje me kundër-terrorizmin.

Por për Kinën, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Sipas saj SNG synon thjesht të “eliminojë shkaqet rrënjësore të konflikteve ndërkombëtare” dhe të sjellë “paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm në botë”. Por krahas mosbesimit të shfaqur nga një pjesë e madhe e bllokut perëndimor, NSG duhet të përballet me një problem të rëndësishëm: rrjetin e gjerë të lidhjeve ushtarake të krijuar më herët nga Shtetet e Bashkuara në vende të ndryshme anembanë botës. /albeu.com

 

 


Shtuar 1.03.2023 10:34