Shpresat e Joe Biden përkundrejt gënjeshtrave të Vladimir Putinit

Nga Anne Applebaum “The Atlantic

Nuk rastis shpesh që presidenti i Rusisë dhe ai i Shteteve të Bashkuara të mbajnë fjalime të rëndësishme në të njëjtën ditë, duke prekur ngjarje dhe çështje paralele. Dhe nuk ishte rastësi që ndodhi më 21 shkurt. E premtja shënoi përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës, dhe Vladimir Putin dhe Joe Biden po e interpretonin atë luftë për audiencat e tyre.

Por këto audienca ishin shumë të ndryshme. Dhe po të tilla ishin edhe vizionet që ofruan mbi botën. Putin foli për më shumë se 2 orë në një sallë të madhe pa ndonjë gjë të veçantë. Audienca e tij e synuar ishte pikërisht në atë ambient:politikanët “e zgjedhur” sipas një sistemi të manipuluar, por edhe burokratët, zyrtarët e sigurisë dhe funksionarët.

Pra klasa e elitës ruse që përflitet se është më e pakënaqura me luftën në Ukrainë. Periodikisht ata u panë të ngrihen në këmbë për ta duartrokitur. Por në pjesën më të madhe të kohës që dëgjonin udhëheqësin rus ishin të zymtë në fytyrë dhe pa asnjë emocion, diçka kjo që nuk të habit. Putin kishte për këta njerëz një mesazh të qartë:“Ata që kanë hyrë në rrugën e tradhtisë ndaj Rusisë duhet të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit!”.

Ai shtoi se nuk do të niste “gjueti shtrigash” kundër disidentëve, gjë që ishte natyrisht një paralajmërim se ajo është gjithmonë e mundur. Rusët e zakonshëm nuk kanë simpati për ata që humbën paratë e tyre për shkak të sanksioneve perëndimore, pohoi ai, një aluzion ky për oligarkët e pranishëm në sallë që kanë humbur një pjesë të pasurisë, se nuk duhet të presin që t’i rimarrin ato.

Ndërsa ata që janë larguar tashmë nga vendi, mes tyre djemtë dhe vajzat e atyre që ishin në sallë, ai i cilësoi si “tradhtarë të kombit”. Pra Putin përsëriti gënjeshtrat që i ka thënë shumë herë më parë. “Ne bëmë gjithçka që ishte e mundur për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë paqësore. Ishte Ukraina, ajo që nisi luftën. Janë ata – Perëndimi – “që janë fajtorë për luftën dhe ne po përdorim forcën për ta ndalur atë”.

Të gjithë në atë sallë e dinin se ato ishin gënjeshtra. Shumë nga dëgjuesit e tij, talleshin  publikisht para luftës me paralajmërimet e SHBA-së se do të ndodhte pushtimi i Ukrainës, dhe u tronditën dhe u befasuan kur ndodhi kjo. Por diktatorët nuk thonë gjithmonë gënjeshtra të hapura, sepse presin që shumëkush t’i besojë ata.

Përkundrazi, duke i përsëritur këto gënjeshtra, diktatori rus po i kujtonte sërish elitës ruse se ai ka një pushtet absolut, se mund të thotë çfarë të dojë, dhe se ata nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të pretendojnë sikur i besojnë. Disa nga frazat e tij ishin të destinuara për t’u dëgjuar nga të huajt.

Njoftimi i tërheqjes nga traktatet e kufizimit të arsenaleve bërthamore, synonte të trembte amerikanët:Putini e di shumë mirë se administrata Biden, frenohet jo pak nga frika e armëve bërthamore ruse, ndaj ai është i interesuar që ta nxisë këtë frikë, kurdo dhe sido që të mundet.

Gjuha e tij e njohur mbi atë që ai quan si degjenerim perëndimor – “shkatërrimi i familjes, identitetit kulturor dhe kombëtar, perversionet dhe abuzimi ndaj fëmijëve” – synonte të trembte çdo rus që ndjen ende keqardhje, tani që Rusia është izoluar nga Evropa. Ai nuk ofroi asnjë vizion më të gjerë.

Sepse Putini nuk synoi të frymëzojë, bindë apo emocionojë rusët. Ai nuk ka nevojë të bindë askënd në Rusi; ai thjesht ka nevojë që ata të kenë frikë prej tij. Ndërkohë, Joe Biden, foli në një ambient të hapur, në oborrin prapa kështjellës mbretërore të Varshavës para një turme polakësh dhe amerikanë të mërguar që dukeshin vërtet të kënaqur që ishin atje.

Ata buzëqeshnin, bisedonin mes tyre dhe valëvitnin flamujt e 2 vendeve. Por nuk ishin ata audienca e tij kryesore. Në dallim nga Putin, Biden u kujdes shumë më tepër për çuarjen e mesazheve për njerëzit që nuk ishin aty:publikun amerikan, evropian dhe ukrainas.

Për ta, ai përdori retorikë të gjerë, universale, gjithëpërfshirëse. Fjalë si “liri” dhe fraza si “shpresa e trimave”. Ndryshe nga Putini, ai po kërkonte që të frymëzonte, bindte dhe të shpjegonte. Putini kishte dyshuar në vullnetin e Amerikës dhe botës demokratike, tha ai, por  e kishte gabim:“Ne do të ngriheshim në këmbë për sovranitetin… Po, ne do të ngriheshim për të drejtën e njerëzve për të jetuar të lirë nga agresioni. Dhe sigurisht që ne do të ngriheshim për demokracinë”.

Jo të gjithë do të jenë të kënaqur më këtë fjalim. Sepse përveç Rusisë, Biden nuk përmendi asnjë autokraci tjetër me emër. Por ai deklaroi një parim tjetër të përgjithshëm dhe shumë të gjerë për ta interpretuar si një referencë ndaj Kinës apo Iranit:“Nuk mund të plotësohen orekset e një autokrati. Ato duhet të kundërshtohen. Autokratët kuptojnë vetëm një fjalë:Jo. Jo. Jo”.

Edhe pse kjo frazë e entuziazmoi shumë turmën e mbledhur në kështjellën polake, një gjuhë kaq e përgjithshme bart disa rreziqe. Fjalimi i Biden në Varshavë vendosi një standard shumë të lartë për veten, për administratën e tij, për NATO-n, për koalicionin e demokracive dhe për Ukrainën.

Nëse po luftojmë për “liri dhe sovranitet”, nuk mund të pranojmë kurrë asgjë më pak. Nëse po luftojmë për demokraci, me siguri duhet të presim që demokracia të respektohet edhe nga aleatët tanë politikë, mes tyre edhe Polonia, ku demokracia është në rrezik.

Nëse do t’i quajmë “krime kundër njerëzimit” aktet e tmerrshme dhe brutale të Rusisë në Ukrainën e pushtuar, a nuk na detyron kjo që t’i ndjekim penalisht autorët? Nëse besojmë tek drejtësia, a nuk duhet ta kërkojmë kudo atë? Kur sundon përmes frikës dhe duke përdorur gënjeshtra, askush nuk pret ndonjë gjë më të mirë.

Kur ofroni shpresë dhe optimizëm, krijoni një besim dhe një supozim se gjithçka është e mundur. Unë shpresoj që Biden ta kuptojë se ai ka premtuar se do ta fitojë këtë luftë, dhe tani duhet të gjejë rrugën se si ta arrijë këtë gjë. /albeu.com

 


Shtuar 23.02.2023 12:11