A është i kërcënuar Putin nga drejtuesit e ushtrive private ruse në Ukrainë?

Nga Samantha de Bendern “The Guardian

Forcimi i ndikimit të Yevgeny Prigozhin, një oligark rus, i besuar i Putinit dhe kreu i kompanisë famëkeqe ushtarake private Vagner, është një shenjë e erozionit të shtetit ligjor në Rusi. Ai tregon se shteti është i gatshëm ta tolerojë dhunën ekstreme dhe të papërgjegjshme, për sa kohë ajo u shërben interesave të tij.

Por në fund kjo mund të shndërrohet në një kërcënim për vetë regjimin. Prigozhin është një qytetar privat, që më parë ka qenë pronar i një rrjeti të madh restorantesh – i njohur si “kuzhinieri i Putinit” për shkak të patronazhit të presidentit ndaj restoranteve dhe kompanive të tij që operojnë në fushën e hotelierisë.

Por në vitin 2014, ai bashkë-themeloi Grupin Vagner së bashku me ish-pjesëtarë të ushtrisë ruse, dhe që nga ajo kohë është bërë një lojtar kryesor në fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Muajt e fundit ai ka marrë disa kompetenca që zakonisht rezervohen për zyrtarët e lartë të qeverisë apo vetë presidentin.

E megjithatë ai nuk ka asnjë funksion zyrtar ligjor as në qeveri dhe as në ushtri. Vetë kompania Vagner është teknikisht e paligjshme, pasi kompanitë private ushtarake janë të jashtëligjshme në Rusi. Kur Prigozhin nisi të rekrutonte ushtarë në burgjet ruse në fund të verës së vitit të kaluar, duke u ofruar atyre një falje në këmbim të shërbimit 6-mujor në Ukrainë, ligjvënësit rusë nuk ishin në gjendje ta shpjegonin se mbi çfarë baze ligjore po vepronte ai.

Sipas ligjit rus, vetëm presidenti mund të falë kriminelët e dënuar, dhe lirimi i tyre para përfundimit të dënimit kërkon një proces ligjor që zgjat në kohë. Megjithatë, në fund të janarit të këtij viti, pasi grupi i parë i ushtarëve të dënuar të Vagner u rikthyen në Rusi si njerëz të lirë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se faljet ishin plotësisht të ligjshme, por se disa dekrete mbaheshin ende sekret.

Shumë analistë supozojnë se Kremlini po e lejon Prigozhin të operojë në një zonë të paqartë nga pikëpamja ligjore, në mënyrë që të mund të disatancohet nga veprimet e Vagner nëse ato bëhen shumë ekstreme. Një ushtri jozyrtare i jep mundësi ushtrisë së rregullt që të mohojë përgjegjësinë për humbjet e tepërta në njerëz apo territore, apo në rastin kur përballet me akuza për krime lufte në terren.

Kjo nënkupton një ushtri paralele, e gatshme të pranojë rolin e saj si vartës apo si “mish për top”. Megjithatë Prigozhin, ka treguar shenja se ai nuk do të pranojë rolin e thjeshtë të vartësit. Ai kritikon dhe sfidon hapur zyrtarët shtetërorë, përfshirë gjeneralët e lartë.

Ministria e Mbrojtjes dhe Vagner kanë kundërshtuar hapur njëri-tjetrin në marrjen e përgjegjësisë për arritjet e fundit ruse në Donbas. Kohët e fundit, Prigozhin njoftoi se nuk po rekrutonte më njerëz nëpër burgje. Edhe pse ai pretendon se kjo ndodh për shkak se ai ka mjaftueshëm trupa në front, kjo mund të jetë një shenjë se Ministria e Mbrojtjes po përpiqet që ta dobësojë.

Prigozhin i kërkoi parlamentit rus të miratojë disa ndryshime në ligj, për t’i bërë të paligjshme kritikat ndaj ushtarëve të tij të dënuar. Kryetari i Dumës, parlamentit rus, reagoi duke i kërkuar komisionit parlamentar të sigurisë dhe mbrojtjes që ta studiojë këtë çështje. Në rast se ndodhin ndryshimet e kërkuara, kjo mund të komplikojë seriozisht ndjekjen penale të ish-ushtarëve të dënuar për çdo lloj krimi të ri. Dhe me dhënien e një lirie të tillë Prigozhin, Kremlini po krijon një kulturë të sanksionuar nga shteti i dhunës kriminale.

Edhe para pushtimit të Ukrainës vitin e kaluar, Grupi Vagner kishte krijuar imazhin e keq të një organizate mercenarësh që vret, përdhunon dhe ushtron një dhunë ekstreme. Një shembull i tmerrshëm i kësaj periudhe, ishte videoja e vrasjes me një varre e një dezertori te Vagner nga fronti ukrainas, i cili ishte kthyer në Rusi në kuadër të një shkëmbimi të burgosurish.

Prigozhin e vlerësoi publikisht aktin, ndërsa zëdhënësi i Putin, Dmitry Peskov, nxitoi të deklarojë se vrasja nuk ishte një vepër e qeverisë. Dhe kur një shtet e pranon hapur se nuk e ka më monopolin e përdorimit të forcës, po dërgon njërin nga dy mesazhet: së pari që dhuna shtetërore dhe kriminale janë përzier në një, dhe se dyti që situata në terren nuk është më nën kontroll.

Ndërkohë po forcohet roli edhe i ushtrive të tjera private. Kështu ushtria private e Ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, Patriot, është angazhuar në Ukrainë që nga viti 2014. Ndërkaq e pranishme në Ukrainë është edhe ushtria private e oligarkut Gennady Timchenko, Redut, e krijuar fillimisht për të mbrojtur fushën e gazit të kompanisë së tij.

Për të mos harruar as ushtrinë e udhëheqësit çeçen Ramzan Kadyrov. Më 7 shkurt, gjiganti i gazit rus Gazprom njoftoi se po krijonte kompaninë e tij ushtarake private. Midis tyre më i shquari është Grupi Vagner, me rreth 50.000 anëtarë që operojnë vetëm në Ukrainë.

Po ashtu, ai është i vetmi që drejtohet nga një person që gjithnjë e më shumë po sillet si dikush që kërkon një ndikim politik të vërtetë. Në fakt Prigozhin, përmendet nganjëherë si pasardhësi i Putinit. Në një nga paraqitjet e tij të fundit në video, ai i drejtohet presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, nga kabina e një avioni bombardues Su-24, duke e sfiduar atë në një duel në qiell në këmbim të territorit në Ukrainë.

Kjo sjellje tregon se Prigozhin e konsideron jo vetëm veten si një homolog të Zelenskiy, por ka shumë pak konsideratë për protokollin diplomatik në marrëdhëniet ndërkombëtare, sipas të cilit vetëm një kryetar tjetër shteti duhet t’i drejtohet drejtpërdrejt homologut të tij ose të saj.

Unë kam biseduar së fundmi me një ish-oficer të KGB-së dhe një oligark rus. Që të dy më thanë se Prigozhin është quajtur qëllimisht një mashtrues, për ta paraqitur para publikut si një njeri që fantazon për ndryshimin e regjimit. Paralajmërimi është i qartë: nëse largohet Putin, gjërat mund të jenë edhe më keq.

Nëse Prigozhin është apo jo një kukull, fijet e së cilës mund të priten me vullnetin e Putinit, kjo tek e fundit nuk ka rëndësi. Sepse tani në Rusi po tolerohet dhuna kriminale, madje po  institucionalizohet. Tani për tani, Putin duket se e ka ende situatën nën kontroll.

Por duke e deleguar përdorimin e forcës tek aktorët jo-shtetërorë, ai po u jep këtyre të fundit një shije të pushtetit, dhe kjo qasje mund të bëhet e pamenaxhueshme ditën që regjimi do të shfaqë shenja dobësie. Bota duhet të përgatitet për kaosin që do të pasojë. /albeu.com

Shënim:Samantha de Bendern, bashkëpunëtore në programin e Rusisë dhe Euroazisë në think-tankun britanik “Chatham House” dhe analiste politike në televizionin francez LCI.

 

 

 


Shtuar 15.02.2023 10:48