Nga Bret Stephens “New York Times”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Në jetën e çdo njeriu ka disa data që janë të pashlyeshme nga kujtesa: lindja e fëmijës, vdekja e prindit apo një tragjedi kombëtare siç është për ne amerikanët 11 Shtatori 2001. Për mua personalisht një datë e pashlyeshme është 19 shtatori i vitit 1985.
Në atë kohë isha një djalë 11-vjeçar që jetoja në Mexico City. Po udhëtoja me një makinë rrugës për në shkollë, kur pak minuta pas orës 7 të mëngjesit rruga nisi që të lëkundet; makina kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Po dukej sikur po fluturonim. Kjo vazhdoi për gati 3 minuta.
Në shkollë u përhapën zëra se qendra e qytetit ishte rrafshuar. Babait tim i pëlqente të shkonte në zyrën e tij rreth orës 7. Atë mëngjes e kalova në panik. Tërmeti kishte një magnitudë 8. Ai vrau të paktën 5.000 njerëz, edhe pse numri i vërtetë i viktimave ishte ndoshta shumë më i lartë.
Një pasgoditje e tmerrshme që ndodhi të nesërmen ishte e magnidutës 7.5. Sa për krahasim, tërmeti i vitit 1994 në Los Anxhelos ishte i magnitudës 6.7 dhe zgjati më pak se 20 sekonda. Tërmeti që tronditi Turqinë dhe Sirinë të hënën ishte 7.8 ballë dhe zgjati për rreth 2 minuta.
Skenat që na vijnë nga Idlib, Aleppo, Hatay, Iskenderun dhe qytete të tjera të shkatërruara janë të tmerrshme. Ato janë shumë emocionale për ata që kanë kujtimet e tyre mbi tërmetet e mëdha.
Njëzet vjet pas tërmetit që përjetova si fëmijë në Mexico City, shkova në Pakistan për të raportuar mbi operacionin e ekipeve amerikane të emergjencës pas tërmetit që goditi Kashmirin në vitit 2005, në të cilin u vranë rreth 86.000 njerëz.
Natën e parë që kalova në kryeqytetin Islamabad, një tërmet i vogël që zgjati disa sekonda më zgjoi në mes të natës dhe më bëri të strukem i tmerruar poshtë krevatit. Ndërsa qëndroja shtrirë atje, qull në djersë, më kujtua sërish tërmeti i Mexico City.
Të nesërmen në mëngjes, u nisa me një helikopter pakistanez aty ku dikur kishte qenë një qytet i vogël i quajtur Balakot, në provincën kufitare në veriperëndim të Pakistanit. Nga popullsia e tij prej 50.000 banorësh, mbi 16.000 prej tyre kishin vdekur në një tërmet që zgjati më pak se një minutë.
Qyteti të kujtonte Hiroshimën pas goditjes nga bomba bërthamore atomike. Vetëm disa godina kishin mbetur në këmbë në mesin e qindra godinave të tjera të rrafshuara. Gjithmonë thuhet se tërmetet janë fatkeqësi “natyrore”. Është një term i gënjeshtërt.
Katastrofa e vërtetë shkaktohet thuajse gjithmonë nga njeriu, shpesh në formën e shtëpive dhe ndërtesave të ndërtuara keq dhe me armaturë të pamjaftueshme dhe mbështetje të tjera strukturore të dobëta, shoqëruar me një menaxhim jo kompetent të krizës pas katastrofës.
Në Pakistan, ndërtimet e dobëta buronin kryesisht nga varfëria e madhe. Në Meksikën më të pasur, vend që në letër kishte kode të rrepta të ndërtimit, që datojnë që nga pasojat e tërmeteve të mëparshme, arsyeja priret të ishte korrupsioni i qeverisë.
Pas tërmetit, u bë e pamundur të injorohej fakti sesi kullat dhe shtëpitë private mbetën të padëmtuara, ndërsa spitalet, ministritë dhe shkollat e ndërtuara dhe të menaxhuara nga qeveria u shndërruan në gërmadha. Tërmeti nxori në pah kalbëzimin strukturor dhe moral, në zemër të regjimit pothuajse diktatorial të Meksikës të orientuar drejt zhvillimit të shpejtë ekonomik.
Po ashtu situatën nuk e ndihmoi aspak fakti që qeveria meksikane e refuzoi ndihmën e huaj në orët e para kritike pas katastrofës. Nacionalizmi dhe krenaria e rreme nuk kanë vend as në rastin e një fatkeqësie natyrore të madhe. Paaftësia e qeverisë zemëroi shumë meksikanë që më parë qëndronin të distancuar nga politika.
Ai zemërim çoi në fillimin e lëvizjeve të protestave dhe fushatave të shoqërisë civile për një qeverisje më të mirë. Nuk është e thjeshtë të përcaktosh datën e transformimit të Meksikës në një demokraci të vërtetë. Por 19 shtatori 1985 mund të jetë data e duhur. Gjërat e mira mund të lindin nga rrethanat më tragjike.
Ndoshta kjo do të jetë e vërtetë edhe për Turqinë, sidomos nëse presidenti Recep Tayyip Erdogan do të reagojë ndaj emergjencës me represionin dhe paranojën e tij të zakonshme. Ai përballet këtë pranverë me zgjedhje vendimtare, dhe tashmë po drejton një vend që përballet me një normë inflacioni prej gati 60 për qind.
Askush nuk do të habitej nëse ai do ta përdorë gjendjen e jashtëzakonshme 3 mujore që shpalli për të përgatitur terrenin drejt një mandati tjetër si president. Nëse përgjigja e qeverisë turke nuk është efikase dhe efektive, edhe nëse Erdogan mund të duket i paprekur, tërmeti mund të parathotë rrëzimin e tij nga pushtet.
Unë kam edhe më pak shpresa për Sirinë, ku nuk ka kufi për mizoritë që është gati të kryejë Bashar Al-Assad vetëm për të qëndruar në pushtet. Ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara ka deklaruar se gjithë ndihma duhet të dërgohet përmes qeverisë, gjë që nuk është shumë shpresëdhënëse duke pasur parasysh reputacionin e Assadit si një lider tepër i korruptuar.
Prandaj do të nevojiten mjete të tjera për të ndihmuar sirianët e prekur nga kjo fatkeqësi. Një kujtim i fundit nga tërmetet: Në Balakot, pata rastin të dëgjoja disa nga fëmijët e shkollës që i kishin mbijetuar tërmetit, por që kishin humbur familjet e tyre. Ishte e vështirë të mbaja lotët përballë qetësisë së tyre. Tani mendoj për fëmijët që humbën këtë javë prindërit e tyre, dhe po aq zemërthyer për prindërit që humbën fëmijët e tyre.
Edhe në epokën e luftës në Ukrainës dhe katastrofave të tjera, a mund të kemi ende një ndjenjë të qëndrueshme bamirësie dhe dhembshurie për të ndihmuar në mënyrë inteligjente rimëkëmbjen e gjatë që i pret ata?
Rreth mesditës së asaj dite shtatori të vitit 1985, ime më erdhi në shkollë dhe më çoi në shtëpi ku përqafoja i emocionuar tim atë. Edhe sot e kësaj dite mendoj se sa shumë me fat ishim që mbijetuam dhe ndiej dhimbje për kaq shumë njerëz që nuk ishin me aq fat sa ne. /albeu.com