Ministria e Brendshme është mbledhur sot edhe në praninë e kryeministrit Edi Rama, ku po trajtohet mbrojtja e Territorit dhe zbatimi rigoroz i Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore.
Në fjalën e saj ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha se Policia e IKMT do të kenë të gjitha instrumentat e duhura ligjore për ndalimin e ndërtimeve të paligjshme, por edhe për cilësinë e punimeve, që tërmeti i 2019-tës, na tregoi që ishin shkelur.
Më tej, Gjonaj tha se çdo objekt që ndërtohet pa leje, mund të konfiskohet nga shteti dhe të përdoret për interesa publike, si dhe investitorët që shkelin lejen zhvillimore mund të futen në një listë të zezë, dhe të mos marrin projekte për 5 vite.
Gjithashtu do të ketë dënim deri në 3 vite burg për funksionarët publikë që nuk veprojnë për ndërtimet pa leje.
Fjala e ministres
Është shumë e rëndësishme që të jemi në këtë takim, pas nismave ligjore që kjo qeveri ka ndërmarrë, qoftë për ndërtimet pa leje, nga investitorët te çdo subjekt që është u përfshirë, paketa ligjore përcakton qartësisht rolin e secilit.
Tërmeti na vuri në pah kujdesin që duhet të kemi sa i takon ndërtimeve, dhe të gjithë personave përgjegjës, por edhe mbi rolin që do të ketë Policia e Shtetit për kontrollin e territoreve. Policia është përgjegjëse dhe ka kompetenca për të parandaluar ndërtime pa leje, dhe për të referuar në prokurori çdo subjekt që ka kryer shkelje jo në përputhje me lejen.
Pasojat e tërmetit na bënë të kuptonim gjithashtu se çdo tolerim në cilësinë e punimeve, sjell pasoja njerëzore dhe dëme të shumta ekonomike, janë mina me sahat, që mund të plasin në ço kohë.
Kjo nuk lidhet vetëm me parandalimin e ndërtimeve pa leje, po lidhet me mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Policia dhe IKMT kanë në dorë çdo instrument për të përmbushur detyrën, duhet vetëm një vullnet i fortë për të zbatuar legjislacionin që është në fuqi.
Mund të them që nga gjithë ndryshimet ligjore, IKMT ka instrumentet e posçëm, duke u vendosur në dijeni dhe nga ata persona që janë pjesë e kompanive private, çdo mbikqyrës që ka si detyrë kontrollin e ndërtimit, edhe në rastin kur është me leje dhe ajo nuk zbatohet, është i detyruar që të lajmërojë IKMT-në, e cila mund të vendosë iniciativa penale.
Kush ndërton pa leje një objekt, mund t’i konfiskohet për interes publik, dhe një sërë masash të tjera të forta. Çdo kompani që shkel lejen, ky subjekt apo investitorë futet në një listë të zezë, për 5 vite nuk ka të drejtë të marrë leje shfrytëzuese. Do të ketë dënim deri në 3 vite burg për funksionarët publikë që nuk veprojnë për ndërtimet pa leje.