Nga Massimiliano Coçia “Linkiesta’
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
“Diktaturat nuk kanë kufij gjeografikë. Në rast se nuk ndalen, ato do të përhapen më tej”, më tha Svetlana Tsikhanouskaya, fituese e Çmimit Sakharov në vitin 2020 dhe kandidate për Çmimin Nobel për Paqen, gjatë pjesëmarrjes në samitin e Davosit.
Ajo që e kundërshton prej vitesh diktaturën e egër të Aleksandër Lukashenkos në Bjellorusi, diktatorit të fundit të kontinentit të vjetër, e gjen sot veten brenda një situatë gjeopolitike delikate. Ajo ka mbështetjen e presidentit amerikan Joe Biden, që e ka takuar disa herë që nga korriku i vitit 2021. Në këtë intervistë ajo thotë se 45 mijë ushtarët bjellorusë mund të bëhen potencialisht dezertorë të gatshëm t’i bashkon rezistencës ukrainase dhe sa e ardhmja e demokracisë në Evropë dhe stabiliteti ekonomik varet nga rrëzimi i regjimit në Minsk.
Bjellorusia po përjeton një shtypje të fortë të brendshme. Sa persona janë aktualisht në burg vetëm për mendimin e kundërt me atë të regjimit?
Tani për tani, në vend ka rreth 5 mijë të burgosur politikë, nga të cilët 1.443 janë të njohur zyrtarisht si të tillë nga organizatat e të drejtave të njeriut. Këta janë njerëz vijnë nga sfera të ndryshme të jetës: juristë, mjekë, gazetarë, punëtorë. Por kanë një gjë të përbashkët: kanë mbetur të bllokuar në makinerinë e represionit të regjimit.
Ndoshta kanë luftuar për drejtësi, apo ndoshta kanë bërë një postim në rrjetet sociale. Mund të ketë ndodhur që të kenë qenë në vendin dhe kohën e gabuar. Ndonjëherë këto arrestime, dhe të ashtuquajturat gjyqe mund të jenë krejtësisht të rastësishme. Por në çdo rast synojnë të përhapin frikë tek pjesa tjetër e popullsisë në atë “burg” të madh të quajtur Bjellorusi.
Çdo ditë ndodhin mesatarisht 17 burgime të reja, shumica prej tyre për protesta kundër luftës. Të burgosurit lirohen ndonjëherë me mbarimin e afatit, por ndodh edhe që të ri-arrestohen dhe të paraqiten në gjyq me akuza të reja. Në burg të burgosurit politikë keqtrajtohen dhe detyrohen të jetojnë në kushte çnjerëzore. Tani për tani në vend ekziston një paligjshmëri totale.
Lukashenko e ka pozicionuar vendin e tij përkrah Rusisë së Putinit, duke u bërë kështu një shtet satelit i regjimit. Tani 45 mijë ushtarë do të përkrahin trupat e Putinit. Çfarë do të thotë kjo për bjellorusët dhe sa mund ta përkeqësojë situatën në vend një dështim ushtarak?
Lukashenko është një bashkë-agresor. Ai lejoi përdorimin e territorin tonë për pushtimin e trupave ruse në Ukrainë. Së bashku me Putinin, ai synon ta mbajë pushtetin me çdo kusht. Dhe po së bashku donin të çonin trupa bjelloruse për të luftuar edhe në Ukrainë. Arsyeja e vetme pse ata nuk e bënë është populli bjellorus.
Bjellorusët nuk duan të luftojnë, sepse në përgjithësi janë kundër luftërave agresive si zgjidhje për problemin, dhe sepse nuk e konsiderojnë armike Ukrainën. Populli bjellorus nuk dëshiron të luftojë për interesat e dy diktatorëve. Dhe Putini dhe Lukashenko nuk e dinë se si do të sillej ushtria bjelloruse në një situatë të tillë.
A do të luftojnë ata apo do të kalojnë në anën e ukrainasve? Apo thjesht do t`i kthejnë armët kundër diktatorit?
Në vitin 2020, populli bjellorus i tha diktatorit Lukashenko “Largohu”. Lukashenko rezistoi vetëm falë ndihmës së Putinit. Në çdo rast, ushtria bjelloruse nuk ka asnjë motiv për të luftuar kundër ukrainasve. Kjo do të thotë se futja e tij në luftë ka pak përfitim, ndërsa rreziqet janë shumë të larta.
Pavarësisht valës së propagandës ruse që depërton në Bjellorusi, ajo nuk ka të njëjtin ndikim si tek rusët. Sondazhet tregojnë se qëndrimi i bjellorusëve nuk ndryshon. Ata nuk donin të luftonin me ukrainasit, dhe sërish nuk duan. Dhe ky qëndrim i dekurajon diktatorët. Sepse e njëjta gjë funksionon për rusët, por jo për bjellorusët.
Dhe kjo sepse bjellorusët nuk janë rusë. Bjellorusët i respektojnë ligjet ndërkombëtare dhe e vlerësojnë jetën e njeriut. Ata kanë vlera evropiane. Humbja e Rusisë në këtë luftë do t’i japë mundësi popullit bjellorus të rrëzojë regjimin e urryer. Prandaj, bjellorusët po bëjnë gjithçka që është e mundur për t`i dobësuar të dy regjimet. Kjo luftë është lufta jonë kundër kësaj aleance diktatorësh.
Muajt e fundit janë shtuar veprimet e partizanëve bjellorusë kundër regjimit. Çfarë janë në fakt këto veprime?
Që nga fillimi i luftës, bjellorusët kanë marrë anën kundër luftës, ndërsa partizanët kanë sulmuar hekurudhat për të sabotuar transportin e trupave dhe armëve ruse. Partizanët janë qëlluar në gjunjë dhe kërcënuar me vdekje. Disa prej tyre janë dënuar me 15 vjet burg.
Ndërsa shumica dërrmuese e bjellorusëve janë kundër luftës, dhe shumë prej tyre duan ta ndihmojnë Ukrainën. Ne po shohim rezistencë në çdo nivel, nga sabotimi i trenave deri tek monitorimi i lëvizjeve të trupave ruse, sulmet kibernetike partizane dhe vullnetarët që do të luftojnë për Ukrainën. Ndërsa regjimi është kundërpërgjigjur me një represion të shtuar.
Çfarë roli luajnë institucionet ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, në mbështetjen e rezistencës suaj?
Në Bjellorusinë e sotme, regjimi duhet të diferencohet gjithmonë nga populli, dhe ky është mesazhi ynë për organizatat ndërkombëtare.
Roli i tyre është i rëndësishëm: Ne u kërkojmë atyre të mbajnë përgjegjësi dhe të vendosin sanksione ndaj regjimit, por në të njëjtën kohë ta ndihmojnë popullin bjellorus, shoqërinë tonë civile, mediat dhe kompanitë në mërgim. Bashkimi Evropian e ka mbështetur popullin bjellorus me mbi 100 milionë euro që nga viti 2020, dhe është gati të investojë 3 miliardë të tjerë pasi të ndodhë tranzicioni demokratik. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Por për t’i treguar popullit të Bjellorusisë se i përkasim Evropës dhe se komuniteti botëror është në anën tonë.
Nëse do ta projektonit të ardhmen e Bjellorusisë, si do ta imagjinonit atë?
Në rast se doni të njihni Bjellorusinë e së ardhmes, duhet të shihni fqinjët tanë, vendet baltike, Poloninë. Bjellorusia e re do të jetë një vend demokratik me vlera evropiane, ku interesat e qytetarëve do të kenë përparësi ndaj atyre të shtetit. Shteti është vetëm një aparat që ndihmon në garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe rritjen e mirëqenies së tyre.
Ne jemi ende në fillim të kësaj rruge, por unë kam besim se kompanitë private do të jenë motori i rritjes në Bjellorusinë e ardhshme demokratike. Ekonomia bjelloruse do të ndërtohet mbi një sektor privat të fortë dhe inovativ. Kompanitë që do të krijojnë vende pune, do të paguajnë taksa dhe do të nxisin ekzistencën e një klase të mesme të fortë. Dhe ne do të sigurojmë që demokracia jonë të mos bëjë asnjëherë hapa prapa. /albeu.com