Nga Gabriele Carrer “Formiche.net”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
John Bolton ka një karrierë të gjatë në administratat amerikane të udhëhequra nga republikanët, duke filluar me Ronald Reagan dhe vazhduar me çdo president republikan.
Ai ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara kur në Shtëpinë e Bardhë ishte George W.Bush dhe si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i presidentit Donald Trump. Në këtë intervistë ekskluzive për “Formiche.net” ai flet për temat më të nxehta në politikën ndërkombëtare, nga protestat në Iran, lufta në Ukrainë dhe përballja Kinë-SHBA në rajonin e Indo-Paqësorit.
Çfarë do të thotë për ju vendimi i presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë gjeneralit të tij të lartë Vladimir Gerasimov kontrollin e drejtpërdrejtë të operacioneve në Ukrainë?
Është një zhvillim shumë domethënës, dhe nuk mendoj se kjo duhet të konsiderohet thjesht si zëvendësim i një gjenerali me një tjetër, siç e kam parë të thonë disa analistë. Gerasimov ka qenë prej kohësh Shefi i Shtabit të Përbashkët, i njëjti post që ka Mark Milley në Shtetet e Bashkuara.
Prandaj e lexova si një sinjal politik nga Putini, që vendos një person të zgjedhur nga ai vetë në krye të forcave të armatosura ruse, dhe që në thelb deklaron se do ta “çojmë deri në fund” operacionin. Kjo tregon se Putini nuk ka fleksibilitet për të negociuar. Por nga ana tjetër shton rreziqet për të.
Siç thonë në gjuhën e lojës së pokerit, ai ka vendosur tashmë të gjithë fishat në qendër të tryezës. Dhe nuk mundet që ta transferojë tek të tjerët fajin për dështimin në Ukrainë. Ky është vendimi i Putinit. Ky është komandanti i tij. Dhe ky është një veprim i rrezikshëm për Putinin, jo vetëm në luftën në Ukrainë, por edhe politikisht në Rusi.
Si e imagjinoni të ardhmen e Rusisë dhe marrëdhëniet e ardhshme midis Rusisë dhe Perëndimit?
Pas gati 1 vit agresioni të paprovokuar, nuk shoh se si Perëndimi mund të ketë një marrëdhënie produktive me regjimin e Putinit. Unë nuk e di se çfarë do ta pasojë regjimin
e Putinit, pasi atje nuk ka struktura, zgjedhje të ndershme, apo një Byro Politike e Partisë Komuniste që të udhëheqë ndryshimin. Është një qeveri plotësisht autoritare. Shumëkush, si në SHBA dhe Evropë, mendon se në një moment gjërat do të kthehen siç ishin përpara 24 shkurtit 2022. Por nuk mendoj se kjo gjë do të ndodhë.
A mendoni se lufta në Ukrainë është një “zile zgjimi” për Perëndimin?
Gjykoj se duhet të jetë. Putin deklaroi në fjalimin e tij të vitit 2005 para parlamentit rus, Duma, se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit XX-të. Më pas ai vazhdoi të bënte deklarata të tjera të ngjashme duke kërcënuar se do ta bashkonte Perandorinë Ruse, dhe jo Bashkimin Sovjetik.
Dhe mendoj se sjellja e tij në disa vende – pushtimi i Gjeorgjisë në vitin 2008, Ukrainës në vitet 2014 dhe 2022 – është në përputhje me qëllimin e rikrijimit të Perandorisë. Ne nuk i kemi kushtuar sa duhet vëmendje asaj që ai ka bërë dikur. Tani po e bëjmë këtë, por mjerisht pasoja është një humbje e madhe e jetëve njerëzore dhe shkatërrimi i Ukrainës.
A është në rrezik regjimi i Putinit?
Për momentin nuk mendoj se Putin rrezikon të bjerë. Por nëse situata ushtarake nuk përmirësohet, sidomos pas emërimit të Gerasimov në krye të operacioneve, gjërat mund të ndryshojnë. Megjithatë, qeveria aktuale mund të mos pasohet nga një tjetër qeveri kundër luftës. Mendoj se kritikët më të mëdhenj të Putinit në Rusinë e sotme nuk janë ata kundër luftës, por ata mendojnë se Putini po e humb atë.
Ndalemi pak tek protestat në Iranin. A mendoni se do të bjerë regjimi atje?
Nuk mendoj se e dimë ende përgjigjen për këtë. Regjimi ka ende monopolin e forcës, kryesisht nëpërmjet ushtrisë së rregullt dhe Gardës Revolucionare. Por them se është e drejtë të thuhet se Ajatollahët janë më të kërcënuar sot se në çdo kohë që nga revolucioni islamik i vitit 1979 që i solli ata në pushtet.
Kujtojmë se këto protesta i shtohen viteve të pakënaqësisë së madhe ekonomike, demonstratave të shumta në mbarë vendin, të cilat nuk u mbuluan shumë në shtypin perëndimor, por që u shtypën brutalisht nga Teherani edhe në vitin 2019.
Shumë njerëz në Perëndim i përkufizojnë protestat dhe rezistencën si një çështje e kodit të veshjes së grave. Por në realitet çështja është shumë më serioze. Ka një sfidë ditrekte ndaj legjitimitetit të regjimit të Ajatollahëve. Në një farë mënyrë është një sfidë filozofike dhe fetare. Jo vetëm tek gratë iraniane, por edhe tek të rinjtë, mbështetja është e madhe dhe mendoj se kjo e rrezikon vërtet regjimin.
A mund të jetë problem mungesa e lidershipit në këto protesta?
Në ditët e para kjo gjë ishte një avantazh, sepse tregoi se këto demonstrata ishin spontane në të gjithë vendin, se nuk kishte komandë qendrore, se njerëzit donin të tregonin se sa të lodhur ishin nga regjimi. Dhe ata thanë disa gjëra shumë koherente. Nuk thoshin më “Vdekje Shteteve të Bashkuara” apo “Vdekje Izraelit”, por “Vdekje Khamenei”, Udhëheqësit Suprem të vendit.
Por në rast se nuk ka një koordinim brenda Iranit midis forcave të rezistencës dhe diasporës iraniane në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, është shumë e vështirë se si mund të vazhdojë lëvizja. Është një fakt se regjimi zotëron monopolin e forcës. Ai e ka goditur disidencën në të kaluarën, po e godet tani, duke ekzekutuar dhe burgosur njerëz.
Bota mund t’u sigurojë atyre pajisje komunikimi dhe burime të tjera, të cilat do të ishin shumë të dobishme për rezistencën. Qëllimi i tyre duhet të jetë fundi i regjimit. Pa një qeveri të re në Teheran Ne nuk do të kemi asnjë shans për të zgjidhur problemin e programit bërthamor të këtij vendi.
Si duhet të sillet Perëndimi ndaj situatës aktuale në Iran?
Duhet të bisedojmë me udhëheqësit e rezistencës brenda Iranit dhe njerëzit e diasporës në mbarë botën dhe t’i pyesim për çfarë kanë nevojë.
Ky nuk është një revolucion që ne do ta krijojmë nga jashtë. Ky është një revolucion i popullit iranian. Dhe janë ata që duhet të marrin vendimet themelore strategjike. Perëndimi duhet të ketë një objektiv të qartë politik, që duhet të jetë përmbysja e regjimit. Mendoj se regjimi aktual në Iran është pengesa kryesore për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
A ka vend për bashkëpunim midis SHBA-së dhe Kinës për çështjet globale?
Mendoj se kjo varet më shumë se kushdo tjetër nga vetë kinezët. Nëse shihni strategjinë e tyre afatgjatë, janë ata që po përpiqen të forcojnë aftësinë e tyre ushtarake dhe të zhvillojnë luftëra ekonomike kundër pjesëve të tjera të botës.
E gjithë kjo po ndodh me nxitjen e tyre. Vendet në rajon po reagojnë kundër Kinës, pasi janë shumë të shqetësuara për atë që ata e shohin si një strategji kineze për të vendosur hegjemoninë përgjatë periferisë së tyre në Indo-Paqësorin dhe më pas në nivel global.
Dhe kjo përfshin edhe Evropën, për shkak të marrëdhënieve të ngushta ekonomike që Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë me Kinën. Përpara mund ta na presë një periudhë shumë e vështirë. /albeu.com