Në objektin e Qeverisë së Kosovës të premten kanë arritur i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Emisarët ndërkombëtarë po qëndrojnë në Prishtinë me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ata, gjatë ditës, pritet të vizitojnë edhe Beogradin, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vizitat në të dyja vendet synojnë të përgatisin terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.
Pse po vizitojnë emisarët e huaj Kosovën dhe Serbinë?
Viti 2023 është paraparë të jetë vit i dinamizmit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë të cilit synohet përmbyllja e këtij procesi.
Sipas burimeve në Bruksel, gjatë takimeve që emisarët do të kenë në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.
Sa i përket një takimi të ri ndërmjet bartësve të dialogut, Kurtit dhe Vuçiqit, diplomatët në Bruksel nuk kanë përmendur ndonjë datë, por kanë thënë se “po punohet që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Synimi i bllokut evropian është që takimi Kurti-Vuçiq të mbahet para fundit të muajit janar.
Herën e fundit që ata u takuan për bisedime ishte 21 nëntori i vitit 2022.
Çka pritet?
Një ditë para vizitës së të dërguarve të posaçëm perëndimorë në Kosovë dhe në Serbi, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk pret ndonjë zgjidhje gjatë takimeve të 20 janarit, por theksoi se “është një pikë e rëndësishme kthese” dhe se “shpresojmë në këtë proces – në javët e ardhshme, të shohim përparim të vërtetë”.
Vizita e pesë emisarëve zhvillohet në kohën kur Kosovës po i bëhet presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. SHBA-ja dhe BE-ja thonë që ky është obligim i Prishtinës dhe presin që kjo të bëhet shpejt.
Chollet, i cili vizitoi Prishtinën dhe Beogradin më 11 dhe 12 janar, tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionit” dhe se presin nga “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.
Kryeministri Kurti më herët ka shprehur qëndrimin e se është kundër një asociacioni njëetnik. Megjithatë, së fundmi, ai nuk ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni të diskutohet në kuadër të një marrëveshjeje finale për normalizimin e raporteve.
Organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas saj, ky draft “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.
Formimi i Asociacionit është dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013, ndërsa dy vjet më vonë është arritur pajtimi për parimet.
Problemet kyçe në lidhje me formimin e Asociacionit lidhen me kompetencat e tij.
Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se parimet e Asociacionit nuk janë plotësisht në frymën e Kushtetutës, përkatësisht nenin 3 për “barazinë para ligjit” dhe kapitujt për “të drejtat dhe liritë themelore” dhe “të drejtat e komuniteteve dhe anëtarëve të tyre”.
FES-ja nuk zbuloi pjesë nga versioni i ri i draft-statutit, por tha se është i harmonizuar me Kushtetutën e Kosovës.
Plani evropian ose plani franko-gjerman
Një nga temat e diskutimit në vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë edhe plani evropian, që më herët njihej si plani franko-gjerman.
Ai plan iu dorëzua autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd në fund të verës dhe mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja.
Zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se propozimi i BE-së, apo plani franko-gjerman, paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Beograd kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta.
Në tekstin e planit, në të cilin Radio Evropa e Lirë kishte qasje, thuhet se palët janë të vetëdijshme se pacenueshmëria e kufijve dhe integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kushtet themelore për paqen.
Ai, gjithashtu, parasheh njohjen e simboleve shtetërore dhe një marrëveshje të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, janë në proces të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës së tyre në terren ka ngecur.
Në Kosovë thonë se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, ndërsa në Serbi insistojnë në zgjidhje kompromisi, por pa specifikuar shumë se çka nënkuptojnë me të. /REL