Aleanca jo e shenjtë e Putinit dhe mëkatet e Kishës Ortodokse Ruse

Nga Robin Ashenden “The Spectator”

Nëse do të udhëtoni anekënd Rusisë – gjë që mund ta bënit lehtësisht para shpërthimit të luftës shkurtin e kaluar – dhe do të gjeni në shumë qytete, një muze të quajtur “Rusia:Historia ime”. Këto institucione kanë një mesazh të qartë për vizitorët. Arkitektët e ndërtimit të perandorisë si Ivani i Tmerrshëm dhe despotët Nikolla I dhe Aleksandri III përshkruhen si heronj.

Por në to shprehet vlerësim maksimal edhe për Vladimir Putinin. Përfitimet territoriale që mund të arrijnë sundimtarët autoritarë janë diçka që duhet kremtuar, siç është feja shtetërore që ata e propagandojnë në një mënyrë shumë agresive. Por ajo që nuk dinë shumë vizitorë për këto monumente moderne të ekspansionizmit është dora e fshehtë që ndihmoi në ndërtimin e  tyre: Kisha Ortodokse Ruse.

Patriarku ortodoks Mitropoliti Tikhon, një mik i ngushtë i Putinit dhe që thuhet se ishte lideri i tij shpirtëror, e mbikëqyri pjesërisht ndërtimin e këtij rrjeti muzeumesh shtetërore. Në shumicën e vendeve, kisha e krishterë ekziston për të fituar shpirtra njerëzish për Krishtin. Por në Rusi, kisha ka edhe një motiv shtesë: të bindë besimtarët të mbështesin Putinin.

Në ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës, Tikhon shprehu hapur mbështetjen e tij, duke i siguruar klerikët e tjerë se “nëse Putini nuk do ta kishte bërë tani, por më vonë, Rusia do të ishte sulmuar, duke rrezikuar të pësonte miliona viktima”. Ndërsa bombat ruse po godisnin civilët e pafajshëm në Aleppo të Sirisë në vitin 2015, Kirilli e shpalli operacionin rus si një “luftë ndaj terrorizmit”.

Në këtë martesë shqetësuese midis kishës dhe makinerisë së luftës, Tikhon nuk është aspak i vetëm. Më 23 shkurt, në prag të pushtimit, Mitropoliti Kirill, Patriarku i Moskës dhe kreu i kishës ortodokse ruse, e përgëzoi ushtrinë ruse për “rrugën shumë korrekte” që kishte zgjedhur, raporton albeu.com.

Një muaj më vonë, në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar në Moskë, ai e njohu kreun e Gardës Kombëtare të Rusisë me një ikonë me temë ‘gati për të shkuar në betejë’, me shpresën se kjo do të “frymëzonte rekrutët e rinj që të bënin betimin ushtarak”.

Pas “mobilizimit të pjesshëm” më 21 shtator, Kirilli i siguroi rekrutët se vdekja në betejë “heq të gjitha mëkatet që ka kryer një njeri”. Rrallëherë ka qenë kaq i hapur spektakli i një udhëheqësi fetar që e ka vënë veten në shërbim të një fushate të dhunshme ushtarake. Edhe pse 150 priftërinj ortodoksë nënshkruan një letër të hapur kundër luftës në mars, asnjëri nuk vinte nga nivelet e larta drejtuese të Kishës Ortodokse Ruse.

Por çfarë kërkon Kisha Ortodokse Ruse nga lufta e Putinit? Për Kirill, përgjigja është e drejtpërdrejtë: është një Mision i Shenjtë për të zmbrapsur ndikimin korruptues të liberalizmit perëndimor, dhe për të bashkuar besimtarët ortodoksë të të gjithë rajonit – pavarësisht se Kisha Ortodokse Ukrainase u shkëput në vitin 2018 – në një “botë ruse” të përkryer.

Përbuzja për kulturën perëndimore është diçka që Kirilli e ndan me Putinin. Ëndrra për forcimin e unitetit midis ortodoksëve brenda dhe jashtë Rusisë, është një arsye tjetër pse Kisha është në marrëdhënie kaq të mira me Putinin. Udhëheqësi i Rusisë shihet si njeriu që mund të ndihmojë në realizimin e këtij bashkimi.

Megjithatë kjo aleancë midis kishës dhe shtetit ka një anë më të errët: ajo ka ndihmuar në hedhjen e bazave për pushtimin e Ukrainës. Simbioza midis të dyve i ka fillesat që në fillim të sundimit të Putinit. Ndërsa Kisha i ka dhënë besueshmëri morale qeverisë së Putinit, Putini e ka bërë Kishën qendrën e një “ripërtëritjeje shpirtërore” të Rusisë dhe gurin e themelit të politikës së tij të brendshme me vonë edhe asaj të jashtme.

Në vitin 2004, e gjithë prona e Kishës e sekuestruar gjatë epokës sovjetike u rikthye me ligj, duke e bërë Kishën Ortodokse një nga pronarët më të mëdhenj të tokave në Rusi. Kompanitë shtetërore energjetike u detyruan të kontribuonin në restaurimin e kishave të vjetra dhe ndërtimin e të rejave.

25.000 të tilla janë ndërtuar ose rindërtuar që nga vitet 1990. Mësimi fetar ortodoks u rivendos në shkollat ​​shtetërore, teksa u ndalua ekzistenca e grupeve fetare rivale. Shndërrimi i Putinit nga ish-agjent i KGB-së në një fetar të zellshëm duket i plotë. Ai vizitoi malin Athos në vitin 2016 (Meka e Ortodoksisë) dhe për të festuar Epifaninë në vitin 2021, u zhyt në ujërat e akullta pranë Moskës, një traditë ortodokse për besimtarët e saj më të guximshëm.

Nëse kjo është një çështje e besimit të vërtetë apo e përfitimeve të ndërsjellta, kjo është një çështje që mbetet midis Putinit dhe Tikhon. Por Kisha Ortodokse Ruse e ka shpërblyer jo pak Putinin. Kirill e ka cilësuar atë si një “mrekulli të Zotit”, dhe bëri një fushatë të madhe përpara kthimit të tij të diskutueshëm në presidencë në vitin 2012, duke i kërkuar publikut rus “të bëjë një zgjedhje që do të çojë në…lavdinë e Zotit të reflektuar në besimin e njerëzve, jetët dhe lavdinë e atdheut tonë”.

Kur bombat ruse goditën civilët në Aleppo në vitin 2015, Kirill e shpalli atë operacion si një “luftë kundër terrorizmit” dhe si një “betejë të shenjtë”. Kapelanët ushtarakë, të ringjallur në vitin 2009, bekuan tanke dhe raketat. Ndoshta kulmi i kësaj martese groteske midis kishës dhe makinerisë ushtarake – përpara se të aktivizohej plotësisht në shkurt të këtij viti – ndodhi në vitin 2020, me hapjen e Katedrales së Forcave të Armatosura në parkun “Patriot” në periferi të Moskës, raporton albeu.com.

Me një kosto prej 73.5 milionë paund, katedralja cilësohet si një nderim për fuqinë ushtarake ruse. Ajo përmban murale që përshkruajnë “fitoret” e Rusisë, përfshirë pushtimin e një pjese të Gjeorgjisë në vitin 2008, ‘luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar’ në Siri dhe aneksimin e Krimesë në 2014, shoqëruat me sloganin e madh ‘Krimea është e Jona’. Një tjetër murale që përshkruante imazhin e Putinit, kreut aktual të FSB-së Aleksandr Bortnikov dhe Ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu u fshi përpara hapjes së muzeut.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitri Peskov deklaroi: “Kur dëgjoi mbi këtë murale, Putin buzëqeshi dhe tha: Një ditë pasardhësit tanë mirënjohës do ta vlerësojnë atë që bëmë, por është shumë herët

për ta bërë këtë tani”. Është thënë që nga fillimi i luftës se Rusia është mjaft e fuqishme, e fuqishme, e kulturuar dhe pluraliste për t’i mbijetuar poshtërimit dhe shkatërrimit në të cilin e ka udhëhequr qeveria e Putinit.

Po kështu, Kisha Ortodokse Ruse është shumë e fortë, e larmishme, dhe më rrënjë të thella për të përballuar krizën e pushtetit pushtues të përkohshëm, të keqqeverisjes. Ata që kanë ndonjë përvojë të Kishës Ortodokse e dinë magjinë e saj të veçantë: qirinjtë, ikonat, hijet, këngët, gostitë dhe agjërimet, ndjenjën e botëve të tjera përtej kësaj që njohim këtu në Tokë, të cilat ajo i komunikon në një mënyrë kaq shumë të fuqishëm.

Megjithatë, në një kohë që po vazhdon lufta e Putinit dhe kisha ruse po hesht, lind pyetja: Cili është qëllimi i një bukurie kaq transhendente, transportuese, kur ajo mbështet me kaq shumë zell synime të tilla të shëmtuara?

/albeu.com


Shtuar 27.12.2022 09:09