Nga Tirana, pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni foli edhe për çështjen e emigracionit. Ajo u shpreh e kënaqur për faktin se më në fund sipas saj Komisioni Europian e ka vendosur këtë çështje si prioritare. Meritën për këtë e sheh pikërisht tek vendi i saj.
“Ne jemi të interesuar për të gjithë frontet sepse ne në Itali gjendemi në një pikë kritike, sepse për ne është shumë e rëndësishme veçanërisht edhe për korridorin ballkanik që e përdorin emigrantët. Është hera e parë që Komisioni Europian ka vendosur këtë çështje, të rrugëve të Mesdheut për emigracionin, e ka vendosur si prioritet. Asnjëherë s’ka qenë e rëndësishme për ta, nuk e kanë marrë në konsideratë. Sot ndërkohë është e rëndësishme për ta dhe konsideroj që kjo ka ndodhur edhe për shkak të faktit që Italia u përball me problemin, mori disa vendime të rëndësishme vetë si shtet. Kështu që kjo ka qenë një ndër motivet që u bë e rëndësishme për BE. Sepse ne kaluam nga, le të themi një marrëveshje për të përballuar bashkë këtë krizë, në pikën ku u nisëm që të përballojmë vetë, të mendojmë vetë për veten. Është e rëndësishme të kuptohet që janë dy gjëra të ndryshme sesi përballohet kriza e emigracionit dhe si përballohet menaxhimi i refugjatëve”.
Kujtojmë se Italia ka ndërmarrë politika më të ashpra sa i përket emigracionit dhe episodi i fundit ishte që emigrantët u dërguan nga jugu i Italisë në Francë, gjë e cila u kritikua jo vetëm nga Franca, por edhe nga Bashkimi Europian.
Në deklaratën e përbashkët pas mbajtjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor, sa i përket emigracionit, thuhej se: “Rrugët e migracionit në Ballkanin Perëndimor kanë parë rritje të ndjeshme që nga fillimi i vitit 2022. Menaxhimi i migracionit mbetet sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët, të cilën BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do ta trajtojnë së bashku, në partneritet të ngushtë. Për këtë qëllim, BE-ja ka rritur ndjeshëm mbështetjen e saj financiare për rajonin me më shumë se 170 milionë euro asistencë dypalëshe dhe rajonale të ofruar tashmë në kuadrin e IPA III”.