Nafta është sektori që xhiron më shumë para në vend dhe mbizotëron te më të mëdhenjtë për sa u përket të ardhurave.
Në listën e mëparshme të “Monitor”, sipas xhiros, sipërmarrjet e tregtimit të karburanteve, me shumicë e pakicë, zënë rreth 14% të totalit të më të mëdhave.
Në vitin 2021, qarkullimi vjetor i 18 shoqërive më të mëdha të tregtimit me shumicë e pakicë të hidrokarbureve ishte 190 miliardë lekë, me rritje prej 41% me bazë vjetore.
Në një pjesë të madhe, xhiro e kompanive rritet fiktivisht, duke kaluar nga një subjekt në tjetrin, për pasojë të tregtimit me dy nivele (me shumicë e me pakicë) në mënyrën se si është i strukturuar tregu në Shqipëri sot.
Në kontrast, në renditjen tjetër “Monitor 200”, sipas fitimeve, sipërmarrësit e naftës pozicionohen shumë më poshtë. Vetëm dy sipërmarrje (“Kastrati Group” dhe “Gega Oil Group”) renditen mes 200 më të mëdhave për fitimet. Tregtuesit e karburanteve raportojnë norma shumë të ulëta kthimi, 0.5-3%, duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi.
Në tregun e pakicës, norma është pak më e lartë, arrin në 4–6%. Ndonëse të ardhurat si për shumicën dhe pakicën u rritën ndjeshëm në vitin 2021, duke reflektuar shtrenjtimin e çmimeve të karburanteve në bursa dhe shtimin e konsumit pas krizës së pandemisë, fitimet kanë rënë si në vlerë, ashtu edhe normat e kthimit (fitim bruto/të ardhura).
P.sh., “Kastrati Group” (tregtim me shumicë) kishte të ardhura prej gati 62 miliardë lekësh (520 milionë euro) në vitin 2021, e dyta më e madhe në vend nga xhiro, por realizoi një fitim vetëm nga tregtimi me shumicë i karburanteve prej 1 miliard lekësh (rreth 8 milionë euro).
Fitimet ranë me 8.2% në vlerë, ndonëse të ardhurat për të njëjtën periudhë u zgjeruan me 35%, si rrjedhojë e shtrenjtimit të çmimeve të karburanteve gjatë vitit 2021, pas rënies së fortë në 2020-n, gjatë pandemisë. Rënia e fitimeve, ndërkohë që xhiro u rrit ndjeshëm, çoi në një rënie të kthimit nga 2.5% në 1.7%.
“Gega Oil Group” (me shumicë), është operatori i dytë më i madh i tregtimit të karburanteve në vend. Të ardhurat e tij u rritën me 68%, në 36 miliardë lekë (rreth 300 milionë euro). Por, nga 300 milionë euro të ardhura, fitimet ishin vetëm 180 milionë lekë (rreth 1.5 milionë euro). Kompania raportoi një normë minimale prej 0.5%, nga 0.75% në 2020-n.
“Europetrol Durrës Albania”, që është e 12-a më e madhe në vend sipas qarkullimit vjetor dhe e treta nga shoqëritë e hidrokarbureve, nuk është fare në renditjen e më të mëdhave sipas fitimeve, pas një rezultati minimal prej 91 milionë lekësh, me një rënie prej 5% me bazë vjetore dhe normë fitimi prej vetëm 0.5% (nga 0.8% vitin e mëparshëm).
Operatori tjetër i shumicës, “Bolv Oil”, ka raportuar një fitim minimal prej 46 milionë lekësh, normë fitimi para taksave prej 0.7% në vitin 2021, nga 3.1% vitin e mëparshëm.
Rënie është shënuar dhe për operatorët e tregtimit me pakicë, që kanë një marzh më të lartë sesa shumica. “Kastrati sh.p.k.” raportoi rënie të fitimeve me 85%, në 107 milionë lekë, teksa të ardhurat u zgjeruan me 24% në të njëjtën periudhë. Norma e fitimit ra ndjeshëm në 0.7% në vitin 2021, nga 5.9% vitin e mëparshëm.
“Olsi sh.p.k.”, një tjetër operator i madh i tregtimit të naftës (tregtuesi me pakicë i Bolv Oil), sërish nuk është në listën e fitimeve, teksa rezultoi me një fitim prej 53 milionë lekësh, me normë kthimi 0.9%.
“Gega Center GKG” raportoi humbje prej 32 milionë lekësh, pas fitimeve prej 125 milionë lekësh në 2020.
Luigj Aliaj, nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, thotë se ka disa arsye se pse normat e fitimit për këtë sektor janë të ulëta.
“Kjo është një tendencë globale. Janë miliona tonelata, që qarkullojnë në botë dhe fitimi lëviz me cent. Në naftë fitojnë prodhuesit dhe fondet që luajnë dhe spekulojnë në bursë. Çmimet sot i lëvizin aksionet e bursave”.
Kësaj i shtohen edhe faktorët e brendshëm. “Përkundrejt akuzave që na bëhen për monopol, në tregun e vogël vendas ka shumë konkurrencë, ndërkohë që janë bërë shumë investime si për pika karburanti, ashtu dhe për depozita”.
Për nivelin e konsumit vendas, sipas Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve duheshin 300-400 pika karburanti, nëse vlerësohet me vendet e tjera të BE-së që e matin në bazë të popullsisë, numrit të makinave dhe konsumit. Aktualisht ka 1400-1500 të tilla.
“E gjithë kjo është kosto dhe ineficiente e investimeve. 90% e stacioneve të karburantit nuk i kalojnë 700 litra të shitura në ditë”.
Të larta janë edhe investimet në depozitat. “Janë ngritur depozita bregdetare tre herë më shumë sesa duhet, nuk janë të nevojshme më shumë sesa 60 milionë litra, ndërsa aktualisht kapaciteti i tyre është 300-400 milionë litra nga Vlora në Shëngjin. Këto janë të gjitha shpenzime, pasi ndërtimi i tyre është financuar me kredi.
Rënia e mëtejshme e normave të fitimit në vitin 2021 lidhet me tendencën rritëse të çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.
“Sa më i lartë çmimi në bursë, aq më pak fitojnë të gjithë përveç prodhuesit, pasi shtohet kosto e parasë”. Kur çmimi është i ulët, kompanitë kanë më shumë mundësi të manovrojnë me çmimet, pasi dhe reflektimi i rënies së tyre në bursa është pak më i ngadaltë.
Në vitin 2022, operatorët janë me humbje, rritet kontrabanda dhe informaliteti
Në vitin 2022, çmimet e karburanteve kanë arritur nivel rekord, pas problemeve me furnizimin që erdhën pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës. Në tregun vendas, nafta arriti deri në 260 lekë për litër në mars, nga 185-190 në shkurt, dhe mesatarisht është luhatur midis 220-240 lekëve.
Në fillim të marsit, qeveria krijoi Bordin e Transparencës, i cili cakton periodikisht çmimet e tregtimit me shumicë e pakicë të karburanteve dhe gazit. Bordi thotë se në vendimet e tij bazohet në lëvizjet e bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve thotë se krahas faktorëve të tjerë, që ndikojnë në normat e ulëta të fitimeve, ndërhyrjet e Bordit kanë bërë që pjesa më e madhe e operatorëve këtë vit të rezultojnë me humbje.
“Këtë vit, të gjithë janë me humbje, nga imponimet që ka bërë bordi në çmime, që nuk merr parasysh kosto paraje, amortizime dhe firot ligjore, që janë të mëdha”.
Dy faktorë të tjerë që kanë goditur fitimet e tregtuesve, sipas Shoqatës, janë diferenca e çmimeve me rrethet kufitare, çka bën që konsumatorët të blejnë naftë jo në Shqipëri dhe kontrabanda që bëhet me peshkarexhat, e cila rrit konkurrencën dhe detyron importuesit të ulin çmimet “Ka pika që shesin më lirë se ata që importojnë vetë”, thotë Aliaj.
Shoqata pranon që e gjithë kjo situatë e ka shtuar informalitetin në treg. “Qeveria, në vend që të ndihmojë përmes lehtësimit të taksave, po synon që të zgjasë edhe me 10 vjet të tjera koncesionin e markimit të karburanteve, që jo vetëm ka qenë një kosto shtesë për operatorët, por dhe ka rezultuar tërësisht i padobishëm”./Monitor