Pse bisedimet e paqes Ukrainë-Rusi tani janë më të pamundura se kurrë më parë

Nga Dominique Moïsi “World Crunch

Çlirimi i Kherson-it dy javë më parë i afroi forcat ukrainase më pranë Krimesë, dhe e shtyu ushtrinë ruse më larg Odessa-s. Ajo ngjarje ishte një pikë kthese strategjike dhe simbolike. Imazhet që u shfaqën më kujtuan çlirimin e Parisit në gushtin e vitit 1944.

Edhe pse është një shfaqje e forcës nga Ukraina dhe një shenjë e dobësisë ruse, kjo nuk do të thotë se ka ardhur koha që të fillojnë negociatat. Derisa ushtria ukrainase rimori Kherson-in, ishte ende e mundur të imagjinohej se Rusia dhe Ukraina mund të arrinin një kompromis për territorin, duke ri-vizatuar kufijtë siç ishin më 23 shkurt 2022.

Sot nuk është më kështu. Për Kievin, nuk ka më asnjë pikëpyetje për t’u kthyer në situatën e shkurtit të këtij vitit por më tepër në janarin e vitit 2014, pra përpara se Moska të aneksonte me forcë Krimenë. Në 9 muaj luftë  – me afro 100.000 viktima nga të dyja palët – miliona ukrainas janë zhvendosur, ndërsa shumë qytete janë vënë sistematikisht në shënjestër nga rusët, teksa infrastruktura është shkatërruar.

Rusia ka kryer shumë krime lufte, ndoshta edhe krime kundër njerëzimit. Në pamundësi për të konkurruar në terren me forcat ukrainase – të cilat janë më të shumta në numër se rusët, dhe të pajisura më mirë (falë ndihmës perëndimore), dhe mbi të gjitha janë më të motivuara – Moska nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse të përpiqet të gjunjëzojë popullin ukrainas përmes urisë dhe të ftohtit, ndërsa shpreson të nxisë përçarje midis aleatëve të Kievit.

Deri më tani, kjo strategji ka pasur efektin e kundërt. Tani që Ukraina ka rimarrë Kherson-in dhe pas samitit të G20-ës në Bali, Rusia është më e izoluar se kurrë në skenën globale. Ne mund të pyesim me të drejtë nëse Putini po bëhet edhe më i izoluar në Moskë. Kina dhe India kanë nisur të distancohen nga Rusia. Nëse Rusia do të kishte arritur një fitore të shpejtë dhe të qartë, këto 2 vende do të kishin protestuar sa për sy e faqë për pushtimin.

Dilema ruse

“Operacioni special ushtarak” i Vladimir Putin, do të hyjë në histori si shembulli i përsosur i asaj që nuk duhet bërë, sidomos nëse je një despot, pozicioni i të cilit do të bëhet veçanërisht i prekshëm nga çdo humbje ushtarake.

Putini donte që ta rikthente Ukrainën në sferën e influencës së Moskës, duke shpresuar të ndryshonte lidhjet gjithnjë e më të ngushta të Kievit me Perëndimin, të cilat e kompromentojnë modelin e tij autoritar. Pra sipas tij ukrainasit duhej të bëheshin sërish “rusë” në mënyrë që rusët të mos donin të zhvillonin zgjedhje të lira si ukrainasit.

Në rast se do të braktiste ambiciet e saj perandorake, apo të mbetej një fuqi perandorake, kjo ishte diçka që nuk diskutohej. Por realiteti është më i ndërlikuar. Dhe me të u përballa disa ditë më parë në Paris gjatë një darkë me emigrantët rusë që kishin kërkuar strehim në Letoni.

Për ta, Putini është vetë djalli, një ri-mishërim i Stalinit. E megjithatë, kur biseda u kthye tek Ukraina, ata patën një qëndrim më të paqartë, duke e besuar versionin zyrtar të ngjarjeve të Kremlinit se rimarrja e Kherson-it nga ukrainasit, është thjesht një “tërheqje taktike” e rusëve.

Për ta “dilema ruse” – nëse do të bëhet më në fund një “vend normal” duke braktisur  ambiciet e veta perandorake, apo të mbetet një fuqi perandorake – nuk kishte as edhe një pikëpyetje. Ata nuk mund ta konceptojnë dot një identitet, që nuk përfshin ushtrimin e kontrollit mbi të tjerët.

Pse nuk do të negociojnë Rusia dhe Ukraina?

Lidhja e popullit rus me identitetin e vet si një fuqi perandorake, është sa një forcë e madhe edhe një dobësi për Putinin, dhe një pengesë në rrugën drejt negociatave. Kërkesa e Zelensky që Rusia të pranojë rivendosjen e kufijve të vitit 1991 – të përcaktuara në kohën kur Ukraina fitoi pavarësinë – e bën largimin e Putinit nga pushteti një kusht të domosdoshëm për rivendosjen e paqes.

Cili udhëheqës rus mund të qëndrojë në pushtet kur “ka humbur Krimenë, në mos gjithë Ukrainën”? Ndërkohë cili udhëheqës ukrainas mund të jetë i kënaqur me rivendosjen e kufijve që ekzistonin përpara 24 shkurtit 2022, pas sakrificave të mëdha dhe fitoreve të jashtëzakonshme të arritura muajt e fundit?

Një kompromis mbi territorin, siç ishte modeli i ndarjes së Koresë në vitin 1953, nuk është më i pranueshëm për Kievin. Dhe as rikthimi në kufijtë e vitit 1991 nuk është i pranueshëm për Moskën. Rusia nuk ndodhet në të njëjtën situatë si Gjermania naziste në vitin 1945, edhe nëse sjellja e saj na kujton në shumë aspekte atë të Rajhut të Tretë.

Rusia është një fuqi bërthamore, diçka që Gjermania nuk ishte në vitin 1945. Dhe ajo mund të llogarisë ende mbështetjen e Kinës, edhe nëse ajo është në rënie të vazhdueshme. Nëse koha për negociata është ende e largët, është gjithashtu e vërtetë se nuk ka mbërritur ende koha e përshkallëzimit. Kushdo që  e ka lëshuar raketën që goditi Poloninë, shkaktoi një “dëm anësor” dhe jo një provokim të  qëllimshëm.

Dallimi mes fitores dhe mos-humbjes

Tashmë aleatët e Kievit duhet të përballen me dy realitete. I pari – shumë më i rëndësishëm – ka të bëjë me rëndësinë që ka vazhdimi i dërgimit të ndihmës në Ukrainë, pavarësisht nga kostoja dhe koha që do të duhet, së bashku me vazhdimin  e sanksioneve kundër Moskës.

Ndalimi i ndihmës apo lehtësimi i sanksioneve, do të tregonte se Perëndimi nuk e kupton se çfarë është në rrezik në Evropën Lindore: e ardhmja e kontinentit tonë, dhe rrjedhimisht e ardhmja e Perëndimit dhe e gjithë botës.

Ne nuk mund të pranojmë që një vend – për më tepër anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së – të shkeli ligjin ndërkombëtar, duke synuar të ndryshojë kufijtë përmes pushtimit ushtarak. Është gabim të pretendohet – siç thonë disa – se kjo luftë nuk është lufta jonë dhe se duke e ndihmuar Ukrainën, ne po i shërbejmë interesave të Shteteve të Bashkuara.

Realiteti i dytë me të cilin duhet të përballemi, kërkon të kuptojmë natyrën e atyre që kanë  pushtetin në Rusi. Ne nuk mund të kërkojmë që të mbajmë me çdo kusht një lloj dialogu me Putinin, me një njeri që kupton vetëm logjikën e forcës.

Njëkohësisht, ne nuk duhet të përfshihemi në një lloj bolshevizmi kulturor anti-rus, që është treguar nga ata që kundërshtuan vendimin që opera e Mussorgsky “Boris Godunov” të çelte sezonin e ri në Teatrin La Scala në Milano. Ky lloj vendimi arbitrar nuk e ndihmon në asnjë aspekt kauzën e ukrainasve.

Në këto kushte, si mund të gjejmë një kompromis diplomatik që do t’i bënte ukrainasit të ndiejnë se kanë “fituar”, ndërsa rusët se nuk kanë “humbur”? Duket sikur ky është një mision i pamundur. Ndërkohë, përballë provokimeve të vazhdueshme nga Rusia, Ukraina dhe aleatët e saj duhet të tregojnë rezistencë dhe të qëndrojnë të fortë.

/albeuc.com


Shtuar 24.11.2022 09:42