Nga Kim Sengupta “The Indepedent”
Vladimir Putin qëndroi larg samitit të G20-ës në Bali, për të shmangur përçmimin me të cilin do të përballej për shkak të pushtimit të Ukrainës. Por këtë javë ai do të jetë në kryeqytetin armen, Jerevan, pasi një tjetër konflikt kërcënon që të përhapet në kufijtë e Rusisë.
Ndërsa fokusi ndërkombëtar ka qenë mbi Ukrainë, përplasja e dhunshme midis Armenisë dhe Azerbajxhanit mbi Nagorno-Karabakh – një rajon i diskutueshëm që deri tani ka shkaktuar 2 luftëra – po kërcënon të shpërthejë sërish. Një konflikt i shkurtër 2 vjet më parë, është pasuar nga disa përleshje në shkallë të gjerë, me qindra të vrarë.
Civilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa ka pasur shkatërrime të mëdha të trashëgimisë kulturore. Armenia thotë se më shumë se 120 km2 të territorit të saj aktualisht janë të pushtuara. Në mediat sociale janë shfaqur imazhet e tmerrshme të akteve mizore, përfshirë atë një të një fshatari të moshuar armen me kokë të prerë, e cila ishte vendosur në trupin e një derri.
Një tjetër imazh tregon trupin e zhveshur të një ushtareje armene me këmbët e prera, sytë e nxjerrë jashtë dhe një nga gishtat e prerë të futur në gojë. Por ato u shfaqën në një kohë kur forcat ukrainase kishin filluar të shënonin përparime spektakolare kundër rusëve në frontin e betejës dhe me varret masive dhe viktimat e torturave që u gjetën në zonat e sapo çliruara. Prandaj, imazhet nuk morën një vëmendje të gjerë.
Qeveria e Azerbajxhanit i ka cilësuar si të rreme imazhet e publikuara në rrjetet sociale. Megjithatë organizata “Human Rights Watch” ka verifikuar disa nga rrëfimet për torturimin e civilëve nga ana e forcave azere.
Tani ekziston shqetësimi se shpërthimi i një lufte tjetër mund të tërheqë më tej shtetet e tjera në rajon, veçanërisht Turqinë dhe Iranin. Politika turke “dy shtete, një komb” lidh shumë ngushtë Ankaranë dhe Bakunë, dhe ushtria azere mbështetet shumë nga qeveria e Recep Tayyip Erdogan.
Dronët turq “Bayraktar” e treguan efektivitetin e tyre në këtë konflikt, dhe më pas u përdorën me shumë sukses nga ukrainasit kundër rusëve. Luftëtarët sirianë që kishin vepruar si një milici e mbështetur nga Ankaraja në luftën civile siriane u vendosën në terren.
Edhe azerët kanë marrë furnizime të konsiderueshme me armë nga Izraeli dhe Pakistani, dhe pretendojnë se kanë mbështetjen e Shteteve të Gjirit dhe komunitetit më të gjerë mysliman në konfliktin kundër Armenisë së krishterë. Ndërsa ka nevojë për armë, Azerbajxhani ka diçka jashtëzakonisht të vlefshme për ta shitur në këtë kohë krize akute energjetike.
Bashkimi Evropian është një nga klientët e tij të shumtë, teksa gazi rus që po zhduket nga tregu për shkak të luftës në Ukrainë. Azerbajxhani është kthyer në “një partner të besueshëm”, siç tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, që nënshkroi një marrëveshje me regjimin autokratik të Ilham Aliyev për të dyfishuar importet nga ky vend.
Marrëdhëniet midis Teheranit dhe Jerevanit kanë qenë shumë të mira. Armenia kërkon aleatë tek vendet fqinje dhe që kanë një armiqësi të gjatë me Azerbajxhanin. Në Baku janë shfaqur harta që i tregojnë provincat veriore të Iranit si pjesë të “Azerbajxhanit të Madh”.
Irani ka kryer stërvitje ushtarake përgjatë kufijve të tij; ndërsa Bakuja ka kërcënuar se do të promovojë një lëvizje separatiste midis16 milionë azerëve etnikë që jetojnë në Iran.
Po Rusia, superfuqia rajonale dhe garantuese e sigurisë së Armenisë që nga pavarësia e saj në vitin 1991, si dhe një anëtare tjetër e CSTO (Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive)?
Putin ndërmjetësoi bisedimet midis dy kundërshtarëve në Soçi gjatë luftimeve, por që atëherë nuk ka pasur tërheqje të trupave azere, dhe as lirim të të burgosurve armenë. Përgjigja e Moskës është e heshtur. Ndërkohë, deklaratat e Aliyev janë ende agresive.
Në fjalimin e tij të fundit të Ditës së Fitores, presidenti Azerbajxhanas tha: “Mësimet e luftës së dytë të Karabakut nuk duhet të harrohen nga Armenia. Ajo duhet ta dijë se loja me zjarrin do t’i kushtojë shtrenjtë… Ne po ia japim këtë leksion dhe shpresojmë që në fund do ta kuptojnë… Nuk do t’i hedhin më sytë nga toka jonë. Nuk do t’i hedhin sytë nga Karabaku. Karabaku është toka jonë.
Armenia u mund në Luftën e Dytë të Karabakut dhe ushtria e saj u shkatërrua. Një vend i mundur nuk mund të sillet kështu. Prandaj, të gjithë hapat tanë janë të justifikuar. Është e vërtetë që disa mbështetës të huaj të Armenisë duan të na fajësojnë për diçka. Unë ua kam dhënë përgjigjen. Nëse armenët vazhdojnë me sjelljet e tyre unë do të kundërpërgjigjem sërish”.
Dështimi i vazhdueshëm në fushatën në Ukrainë, e ka lënë Vladimir Putinin në një pozitë të cënueshme në raport me Erdoganin, mbështetësin kryesor të Azerbajxhanit. Ka pasur raste si ai, kur Turqia rrëzoi një aeroplan luftarak rus në vitin 2015, kur udhëheqësi rus ka mbajtur një qasje të ashpër në përplasjen që pasoi.
Nuk është më kështu. Putin ka nevojë për ndihmën e Erdoganit për Ukrainën për një sërë çështjesh, duke përfshirë hyrjen në Detin e Zi. Ndërkohë Armenia ka pasur mbështetje nga disa shtete. Parlamenti francez ka bërë thirrje për tërheqjen e forcave azere dhe lirimin e robërve të luftës, dhe për vendosjen e sanksioneve kundër Bakusë, nëse ajo nuk respekton marrëveshjen.
Po ashtu i ka kërkuar qeverisë së Emmanuel Macron të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes së Armenisë. India po e furnizon Armeninë me artileri me rreze të gjatë, përfshirë raketahedhëset me shumë tyta dhe municionet antitank. Ndërkohë po diskutohet blerja e raketave tokë-ajër dhe dronëve. Por është ajo që do të bëjë tani SHBA-ja, mund të përcaktojë se çfarë do të ndodhë më pas.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka bërë thirrje Azerbajxhanit të “ndërpresë aktet armiqësore” dhe “të tërheqë forcat ushtarake”. Thuhet se ai i ka premtuar kryeministrit armen, Nikol Pashinyan, se do të “merret personalisht me këtë çështje” për të siguruar normalizimin e situatës.
Nancy Pelosi, kryetarja në largim e Kongresit Amerikan, drejtoi vizitën në shtator të një delegacioni të Kongresit në Armeni, teksa shkroi në Twitter se ajo ishte një “mbështetëse e vjetër e Armenisë”.
Në Jerevan ka pasur demonstrata kundër mosveprimit të Rusisë, thirrje për t’u larguar nga CSTO, dhe shumë pikëpyetje nëse Moska mund të konsiderohet ende një aleate e besueshme. Ata pretendojnë se Putin po pozicionohet me më të fortët në këtë betejë, dhe po braktis një aleat afatgjatë.
Një boshllëk i lënë nga zhdukja e ndikimit rus në Armeni mund të plotësohet nga SHBA-ja dhe aleatët perëndimorë. Dhe nëse ndodh kjo gjë, ky do të jetë një shembull tjetër se si vendimi i Putinit për të pushtuar Ukrainën, po vazhdon të kthehet në një bumerang për Rusinë në skenën ndërkombëtare.
/albeu.com