Mori peng shokun në Velipojë për 4 mijë euro, kush është 41-vjeçari që u arrestua sot

Policia e shtetit ka vënë në pranga ditën e sotme në Gjirokastër Dodë Gjikolajn, i cili rezulton në kërkim ndërkombëtar të shpallur nga Gjykata Themelore në Gjakovë. 41-vjeçari Gjikolaj akuzohet se ka kryer disa vrasje me pagesë dhe vrasje me eksploziv në Kosovë.

Pas vendimit nga Gjykata e Gjakovës, Departamenti për Krimet e Rënda në Kosovë, ka lëshur urdhër arresti ndërkombëtar në ngarkim të Gjikolaj, për veprat penale “Vrasje” dhe “Armëmbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake dhe shpërthyese”.

Por Dodë Gjikolaj është një emër i njohur edhe për policinë shqiptare. Në gusht të vitit 2017, Gjikolaj u arrestua nga policia pasi kishte marrë peng një 31-vjeçar nga Malësia e Madhe, Pjetër Narkaj, për një shumë parash prej 4 mijë eurosh, borxh i vjetër i pakthyer nga 31 vjecari.

Si ndodhi ngjarja?

Dodë Gjikolaj do të kërkonte takim me 31 -vjeçarin për të sqaruar borxhin. Takimi që kishin lënë në Velipojë për t’u sqaruar agravoi dhe dy personat u konfliktuan, ndërsa Dedë Gjikolaj e ka futur në bagazhin e makinës tip “Smart” me targa AA 681 BF me forcë duke e rrëmbyer borxhliun.

Denoncimi për pengmarrjen do e jepnin familjarët e të riut e menjëherë më pas blu-të u vunë në ndjekje të Gjikolajt.

Në tentativë për ta ndaluar, Gjikolaj do ti largohej me shpejtësi efektivëve të cilët i kishin bërë shenjë për ta ndaluar. Arratia dhe pengmarrja nuk zgjati më shumë se 12 orë.

Pas arrestimit të tij, Gjikolaj mohoi çdo akuzë dhe u shpreh se thjesht ishte takuar me Pjetër Narkajn, për të folur në lidhje me një borxh.

Për këtë arsye, grupi hetimor dyshonte se i gjithë rrëmbimi u inskenua, pasi Narkaj i kishte një borxh prej 4 mijë eurosh, Gjikolajt.

E bindur për akuzën, Prokuroria përpiloi dosjen e Dodë Gjikolajt, që në atë kohës ishte 38 vjeç dhe e akuzoi për pëngmarrje.

Mirëpo, sapo kaloi një vit nga kjo ngjarje, Gjikolaj u përfshi në një tjetër krim. Ai akuzohet se është autor i vrasjes me eksploziv i Haxhi Ahmetit në Gjakovë, ngjarje e ndodhur më 14 tetor të vitit 2018 në Smolicë të Gjakovës.

Eksplozivi që i mori jetën Ahmetit, ishte vendosur në derën e shtëpisë së viktimës, dhe dyshohet se këtë gjë e ka bërë Gjikolaj.

Dodë Gjikola dyshohet të jetë pjesë e një bande që kryente vrasje dhe shpërthime me eksploziv në Kosovë.


Shtuar 2.10.2020 20:00