Pse politikanët i dehumanizojnë vazhdimisht emigrantët për politikën e tyre të ditës?

Nga Victoria Richards “The Independent”

Përktheu: Alket Goce-Albeu.com

“Kope”. “Vërshim”. “Banditë”. “Pushtim”. Këto janë fjalë që përdoren zakonisht për të përshkruar katastrofat, aktet e luftës, kafshët parazite që dëmtojnë të korrat. Por politikanët tanë në Britani po i përdorin ato për t’iu referuar njerëzve. Shtatë vjet më parë, kryeministri i atëhershëm David Cameron tha: “E pranoj që ky është një test për ne, pasi po përballemi me një tufë njerëzish që vijnë duke kaluar Mesdheun, në kërkim të një jete më të mirë. Ata duan të vijnë në Britani, sepse ajo ka shumë vende pune, një ekonomi në rritje, është një vend i jashtëzakonshëm për të jetuar”.

Ish-Ministri i jashtëm Philip Hammond, në vitin 2015, tha se Britania duhet të mbrohej nga emigrantët “gangsterë” duke këmbëngulur se refugjatët afrikanë që mbërrinin në Evropë po shkatërronin “standardin e jetesës” në vend. Ai shtoi se përparësia nr.1 e Britanisë ishte gjetja e një mënyre për t’i kthyer mbrapsht azilkërkuesit e mundshëm ngado që ata vinin.

Dhe tani kemi Suella Braverman. Ministrja e Brendshme ka deklaruar se bregdeti ynë në jug po përballet me një “pushtim” nga emigrantët. Deklarata e saj erdhi vetëm një ditë pas një sulmi me një koktej molotov ndaj qendrës së imigracionit të Forcave Kufitare në Dover.

Ajo tha para deputetëve: “Le të jemi të qartë se çfarë po ndodh vërtet këtu. Populli britanik meriton ta dijë se cila parti është serioze në ndalimin e pushtimit në bregdetin tonë jugor dhe cila jo”. Organizatat bamirëse që ndihmojnë rregullisht i kanë cilësuar si “të neveritshme” dhe “dehumanizuese”, deklarata e Braverman.

Gjithsesi e kemi ndeshur edhe më herët një situatë të tillë. Kemi parë që kjo lloj gjuhe të bëjë jehonë në segmente të ndryshme të pushtetit: parlament, ekspertët dhe media. Në vitin 2016, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkroi në Twitter: “Hillary Clinton dëshiron që ta mbushë vendin tonë me emigrantë sirianë, për të cilët ne dimë pak ose aspak. Rreziku është i shumë i madh. Ata nuk duhet të pranohen!”.

Në vitin 2019, prezantuesi i televizionit “Fox News”, Tucker Carlson, e përshkroi mbërritjen e 500 emigrantëve afrikanë në kufirin e SHBA-së brenda një jave si një “vërshim” që mund të shndërrohej në një “përrua të rrëmbyer”. Mediat e djathta në Britani kanë përdorur të njëjtën gjuhë.

Pesë vjet më parë, “Daily Express” botonte një shkrim me këtë titull: “Vërshimi i emigrantëve të paligjshëm nxjerr në pah dështimin e politikës së sigurisë kufitare”. Ish-udhëheqësi i UKIP, Nigel Farage, deklaroi në vitin 2015 se ishte i rrethuar nga “tufa emigrantësh të mundshëm”.

Ndërsa në vitin 2020 përdori termin “pushtim”. Dhe duket sikur nuk ka rëndësi dëshpërimi i madh që i nxit këta njerëz të provojnë udhëtimin e rrezikshëm për në Britani përmes Kanalit.

Dhe situata nuk duket se ndryshon as kur ky dehumanizimi i qëllimshëm i këtyre njerëzve, është kritikuar prej kohësh nga grupe të tilla joqeveritare si “Amnesty International” dhe “Refugee Council”.

Ky i fundit e quajti “të papërgjegjshme dhe çnjerëzore” gjuhën e Cameron. Atëherë pse politikanët tanë vazhdojnë të sulmojnë këta njerëz fatkeq? A fshihet prapa kësaj gjuhe diçka më e errët dhe më e fshehtë? Nëse liderët tanë të zgjedhur janë të vetëdijshëm për tmerrin që mund të shkaktojnë komente të tilla, atëherë pse i thonë ato?

Çfarë po ndodh në të vërtetë? Studiuesi Stephen Utych, shkroi në vitin 2018 në revistën “Political Research Quarterly” se dehumanizimi mund të ndikojë aktivisht në qëndrimet e publikut ndaj emigrantëve, dhe ndoshta kjo është pikërisht arsyeja e përdorimit të kësaj gjuhe.

“Emigrantët, si grup, përshkruhen shpesh në mënyra të shëmtuara, si parazitë apo si sëmundje, që i portretizojnë ata si qënie të gjalla që janë më pak se njerëz. Kjo lloj gjuhe dehumanizuese çon në reagime emocionale negative dhe qëndrime negative ndaj grupit të dehumanizuar”- thekson Utych.

Në studimin e tij, ai thotë se pikërisht ky mund të jetë qëllimi i tyre. Përdorimi i kësaj lloj gjuhe mund të ndikojë aktivisht mbi politikën e migracionit. Me fjalë të tjera: nëse synon që njerëzit të përvetësojnë qëndrime më të ashpra ndaj migrimit, atëherë përdor një gjuhë që e ndryshon mënyrën se si ne mendojmë për ta.

Utych shton: “Elitat politike mund të përdorin strategji të shumta për ta bindur publikun që të pajtohet me qëndrimet e tyre politike. Dhe një nga mënyrat, ndoshta më të fuqishme, është denigrimi i grupit të jashtëm të prekur nga një ligj i caktuar. Dehumanizimi çon në qëndrime më negative ndaj migracionit. Ai e shton zemërimin dhe neverinë e publikut ndaj emigrantëve, gjë që nxit ndjenja negative kundër tyre”.

Ky është vetëm një studim, por ka një bollëk kërkimesh të tjera mbi sjelljen njerëzore, që tregon se ne kemi kryesisht një trajtim preferencial “brenda grupit”, teksa mund të shfaqim paragjykime diskriminuese ndaj “atyre që janë jashtë grupit tonë”. Psikologët socialë, thonë se ka një efekt më të madh kur përdorim atë që quhet “dehumanizimi kafshëror”.

Kjo qasje shpjegon Utych, çon në gjykime më të ashpra të një grupi. “Duke përdorur analogji me katastrofat, dëmtuesit apo sëmundjet, elitat politike janë në gjendje t’u mohojnë individëve të dehumanizuar një nivel humanizmi, gjë që e bën më të lehtë…mbështetjen e veprimeve të ashpra dhe ndëshkuese kundër tyre”.

Nëse marrim si shembull Braverman, ajo deklaroi muajin e kaluar (kur ishte Minisre e Brendshme, para se të jepte dorëheqjen dhe të rikthehej një javë më vonë) se ishte “ëndrra” dhe “fiksimi” i saj një avion që i çon azilkërkuesit në Ruandë.

“Do të doja të shihja në faqe të parë të “The Telegraph” një avion që niset për në Ruanda, kjo është ëndrra ime, është fiksimi im”- tha ajo. Nëse ky është qëllimi i saj, atëherë nuk do të ishte çudi ta shihje atë duke përdorur një gjuhë dehumanizuese të qëllimshme, si një mjet për të na tërhequr elektoratin rreth vetes.

Për të na detyruar ne që ta mbështesim në mënyrë aktive. Ose të paktën, të mbyllim njëri sy për të. Por nëse e bëjmë këtë, atëherë do ta humbim humanizmin tonë. Ne nuk duhet të gënjehemi. Fjalët kanë rëndësinë e tyre. Dhe fjalori ynë mbi emigracionin ka rëndësinë e tij.

Pasi ai formon mendimin, ndjenjat dhe përgjigjet tona. Dhe ne duhet ta dimë se kur ai është duke u përdorur si një armë. Ndaj le t’i kujtojmë vetes faktet: Nuk ka “tufa”, as “vërshim”, dhe as “valë”. Ata janë thjeshte njerëz – burra, gra dhe fëmijë – që i ikin persekutimit, katastrofës humanitare dhe luftës civile./albeu.com