Çfarë çmimi duhet të paguajë Perëndimi për Krimenë?

Nga Mccarthy ”Spectator World”

Përktheu: Alket Goce- Albeu.com

Për shekuj me radhë, përpara se Vladimir Putin të ngjitej në pushtet, politika e jashtme ruse është diktuar shumë nga nevoja e vendit për të pasur qasje në portet me ujë të ngrohtë. Për të qenë një fuqi e madhe në Evropë dhe Lindjen e Afërt, Rusia duhet të ketë qasje në Detin Mesdhe.

Këtë gjë e diktojnë si interesat tregtare ashtu edhe ato ushtarake. Në shekullin XVIII Rusia pushtoi khanatin e Krimesë, duke fituar një vend të shkëlqyer për të ndërtuar një port të ri në Detin e Zi. Ai që tani njihet si qyteti i Sevastopolit.

Gadishulli i Krimesë kishte qenë një portë nga Azia për në Mesdhe që nga koha e grekëve të lashtë, të cilët ndërtuan atje disa nga kolonitë e tyre më veriore atje. Rusia e shndërroi Sevastopolin në shtëpinë e përhershme të Flotës së saj të Detit të Zi.

Kur Nikita Khrushchev e transferoi kontrollin e Krimesë nga Rusia tek Ukraina në vitin 1954, ai vetëm sa riorganizoi administratën e brendshme të Bashkimit Sovjetik. Pas shembjes së BRSS në vitin 1991, Ukraina e sapo-pavarësuar nuk kërkoi dëbimin e flotën ruse nga baza e saj, pasi kjo lëvizje në atë kohë do të kishte qenë vetëvrasëse.

Për më shumë se 20 vite, Krimea e Ukrainës vazhdoi të mbajë bazën më të rëndësishme detare të Rusisë. Por në vitin 2014, pas rrëzimit të presidentit pro-rus Victor Janukovich, një integrim më i madh i Ukrainës në strukturat e Perëndimit po dukej në horizont, ndoshta edhe duke çuar në anëtarësimin e këtij vendi në NATO.

Si do të ndikonte kjo në pozicionin e Rusisë në Krime? Në vend se të priste për ta zbuluar, Putin e aneksoi gadishullin. Por duke e bërë këtë, ai krijoi më shumë probleme për Rusinë sesa zgjidhi. Krimea ishte një nga rajonet më pro-ruse të Ukrainës. Natyrisht distancimi i Ukrainës nga Rusia, e polarizoi edhe më tej opinionin ukrainas kundër Rusisë.

Aneksimi i Krimesë nënkuptonte humbjen e Ukrainës. Prandaj Putini ndërmori hapa për ta gjymtuar Ukrainën duke sponsorizuar separatistët në Donbas. Megjithatë, Putin krijoi sërish një problem të ri:lufta civile që ai promovoi, i dha Kievit rastin të kërkonte mbështetje ushtarake nga Perëndimi.

Me këtë mbështetje, ukrainasit mund të fitonin luftën e tyre me milicitë pro-ruse në Donetsk dhe Luhansk. Putin kishte një zgjedhje përpara. Ai mund t’i lejonte këto të fundit të mposhteshin, me goditjen bashkëshoqëruese të besueshmërisë së Rusisë dhe perspektivën e një Ukraine të forcuar, që përfundimisht do ta kthente vëmendjen e saj nga Krimea, ose mund ta përfshinte drejtpërdrejt Rusinë në luftë.

Nëse Krimea është jetike për interesat kombëtare të Rusisë – diçka që e kanë besuar të gjithë udhëheqësit rusë që nga Katerina e Madhe e në vazhdim – atëherë vendimi i Putinit mund të ndiqte vetëm një rrugë. Ai bëri gabimin e tij fatal në vitin 2014.

Në vend se të mbështetej tek ndikimi ekonomik dhe politik i Rusisë në Ukrainë për të mbrojtur interesat ruse, ai zgjodhi luftën e kufizuar, e cila tani po kthehet në një luftë të pakufizuar. Vetë forcat ruse janë paraqitur shumë dobët përballë ukrainasve të armatosur me armë perëndimore, njëlloj siç ndodhi më parë me milicitë pro-ruse në Donbas.

I detyruar të zgjidhte midis humbjes dhe përshkallëzimit, Putini i ka përshkallëzuar sërish veprimet e tij, këtë herë me një mobilizim të pjesshëm të rezervave ruse, dhe me deklarata kërcënuese për përdorimin e armëve bërthamore.

Nëse konflikti vazhdon të shkojë aq keq për Putinin sa deri tani, ne duhet të presim që ai të përshkallëzojë më tej veprimet e tij. Arma e vetme që zotëron Putin, e cila tejkalon çdo lloj gjëje që Perëndimi është gati t’i japë Ukrainës është arsenali i tij bërthamor.

Disa analistë perëndimorë besojnë se Putin mund të përdorë armë bërthamore taktike. Por përdorimi i pajisjeve të tilla në fushën e betejës, nuk do ta ndryshojë trajektoren e luftës. Megjithatë, nëse Putin do të përdorte armë bërthamore strategjike kundër qyteteve të Ukrainës Perëndimore, atëherë logjika e konfliktit do të ndryshonte menjëherë.

Ne amerikanët i kemi thënë prej kohësh vetes, se përdorimi nga ana jonë i armëve bërthamore kundër popullatës civile të Hiroshimës dhe Nagasakit, ishte i justifikuar për t’i dhënë më shpejt fund një lufte që përndryshe mund të kishte zgjatur për muaj të tërë, me humbje të pallogaritshme të jetëve, si japonezë ashtu edhe amerikanë.

Ndaj në rast se Putini vendos të asgjësojë një qytet, në vend se të humbasë luftën, ai do të na e përplasë në fytyrë këtë arsyetim. Perëndimi nuk do ta pranojë justifikimin e tij, por kjo nuk do të ketë rëndësi, as për të vdekurit, dhe as për të gjallët. Ajo që ka rëndësi është se çfarë do të bëjnë Perëndimi dhe Ukraina.

Perëndimi nuk do të angazhohet në një shkëmbim bërthamor të gjithanshëm me Rusinë, vetëm për hir të shkatërrimit të një qyteti në një shtet që nuk është zyrtarisht anëtar i NATO-s. Por Perëndimi mund ta intensifikojë mbështetjen e tij për Ukrainën, dhe nëse ukrainasit do të ishin të gatshëm të vazhdonin luftën, Putinit do t’i duhej edhe një herë të përshkallëzojë veprimet ose të rrezikojë humbjen.

Në këtë aspekt, aleatët janë pengje të njëri-tjetrit. Nuk ka asnjë shtet tjetër që NATO mund ta godasë për ta detyruar Rusinë të tërhiqet nga kjo luftë. Por Rusia mund të ushtrojë presion ndaj shteteve demokratike të NATO-s përmes kërcënimeve me armët e saj bërthamore.

Nëse Rusia do të godiste le të themi kryeqytetin e Estonisë, Talinin, a do të ishin të gatshëm italianët apo gjermanët të rrezikonin Milanon apo Frankfurtin për hakmarrjen e përbashkët të vendeve të NATO-s ndaj Estonisë?

Dhe nëse rusët do të kishin mundësi të kërcënonin një anëtar të NATO-s pa armë bërthamore të Evropës Perëndimore, a do të mendonin më pas anëtarët bërthamorë të NATO-se një luftë bërthamore midis superfuqive, apo aleanca SHBA-Britani do të prishej nën peshën e këtij presioni?

Në cilën pikë NATO preferon humbjen e Ukrainës në vend të Apokalipsit? Perëndimi nuk mund të lejojë që vendimet më të rëndësishme për njerëzimin të merren nga Moska. Krimea vështirë se është faktori nxitës i vetëm i këtij konflikti. Por Rusia duhet të shpëtohet nga gabimi i Putinit, në mënyrë që Ukraina dhe bota të kursehen nga një spirale përshkallëzuese,  cila ka një logjikë dhe vrull të vetin./albeu.com


Shtuar 2.11.2022 13:59