Nga Andrea Nicastro “Corriere della Sera”
Përktheu: Alket Goce-albeu.com
Rajoni Mykolaiv – Në llogore burrat flenë me turne, pasi natën lufta është edhe më e frikshme. Ose je në turn duke bërë roje, ose nisesh për sulmin ndaj atyre që ndoshta
këtë herë nuk do të shohin. Është e vështirë t’i imagjinosh rusët duke pirë Nescafé.
Armiqtë kanë diçka ndryshe nga ne, një lloj marrëzie që i afron ata me kafshët, një të keqe
që i bën të padurueshëm. Ndaj tyre kultivon një urrejtje aq të madhe sa të mund t’i vrasësh. Pra t’i eleminosh para se të eliminojnë ty. Kjo është një pjesë thelbësore e luftës: i urrej ata që përpiqen të më vrasin nga larg, si burracakët, duke përdorur një makineri të fuqishme dhe të zhurmshme.
Të njëjtën që përdor edhe ti dhe shokët e tu. Një ushtar 26-vjeçar më thotë se rekrutët rusë “kanë mbërritur tashmë në front”, dhe duke më shikuar ngultas në sy shton se “ata vazhdojnë t’i dërgojnë tek ne në grupe prej 20 vetash, dhe çdo ditë ne vrasim 18 prej tyre. Ndërkohë të nesërmen mbërrijnë 20 të tjerë e kështu çdo ditë”.
Quhet Ivan. Është një djalë me syze, me flokët e gjatë ashtu siç i pëlqejnë të dashurës së tij. Nga pamja duket si një ndihmës në një kishë. Në llogoret e luftës ndjenjat njerëzore bëhen ekstreme. Shokët e porsa-takuar bëhen vëllezër, të gjithë grumbullohen rreth njëri-tjetrit si gjethet përreth pemës.
Ivan është gati të vdesë për t’i mbrojtur ata, dhe kjo jo vetëm në mënyrë figurative. Sa herë që hipën mbi tank, ai e ekspozon trupin ndaj bombave që janë të afta ta djegin në çast edhe brenda armaturës së çelikut të tankut. Dhe në atë rast, nga syzet e studentit universitar, do të mbeteshin ndoshta disa topa plastike.
Nga brenda tankut Ivan ngarkon predhat, shënjestron dhe qëllon: armiqtë meritojnë fundin më të keq të mundshëm. Ai duhet të jetë i sigurt se po bën gjënë e duhur. Përndryshe ata 20 rusë do ta vrisnin atë. “Tani e dimë. Edhe nëse ata kanë një dron në fluturim, duhen 5 të shtëna që rusët të kuptojnë se nga ku po gjuajmë. Pra 5 të shtëna dhe asnjë më shumë”- thotë ai.
Në llogore duhet të jesh në gjendje të flesh atje edhe gjatë ditës, dhe çanta e shpinës aty nën tokë është vendi më i sigurt për të qëndruar. Gërmohet të paktën 2 metra e gjysmë thellë, dhe pastaj mbulohesh që të mos dalë asgjë nga toka. Është më mirë nëse tavani ndërtohet me trarë betoni të armuar, përndryshe duhet që trungjet të jenë të mjaftueshëm.
Ndonjëherë priten pemë, herë të tjera mblidhen shtyllat e linjave elektrike ose trarët e nxjerrë nga shtëpitë e bombarduara. Në një llogore nëntokësore nuk ka një derë, por batanije për të mbajtur nxehtësinë e një sobe të vogël me dru që e nxjerr tymin aty pranë midis shkurreve.
Për të ndërtuar këtë dhomë nëntokësore riciklohen mbetjet e mëdha të luftës. Kutitë që mbajnë municionet janë shumë të mira për izolimin e mureve nga lagështia. Duke u vendosur njëra mbi tjetrën ato shërbejnë si pllaka me shumë dekorime, kalibër, markë, numër serie.
Ndërkohë predhat e ngarkesave shpërthyese, ato që e shtyjnë bombën në tytat e tankeve janë shumë të mira në përforcimin e shkallëve. Dhe në fund rezultati duket të jetë një përzierje midis një shtëpie të ndërtuara mbi pemë nga disa fëmijë harrakatë, një miniere, dhe një kampingu për festat e muzikës rave.
Nuk ka kohë për të rregulluar gjërat. Ukrainasit shpresojnë që kjo llogore të jetë e përkohshme. “Ne do të fitojmë së shpejti”- thonë ata. Përndryshe do të jetë e nevojshme të tërhiqen, dhe atëherë kjo strehë do të mbetet po këtu për t`u kundruar nga fëmijët.
Këtu fati shërben edhe për t’u siguruar që të jetë gjithmonë dikush që është më i gatshëm se të tjerët për të gatuar. Kështu një tenxhere është gjithmonë e ngrohtë në sobë. Domate, kanoçe me mish të konservuar, panxhar, patate, qepë: racioni për çdo ushtar është më shumë se një mënyrë për të mbushur stomakun, është një ritual që na kujton shtëpinë, që i jep një ndjenjë vazhdimësie jetës ashtu siç duhet dhe jo ashtu siç është tani.
Ndonjëherë mjafton pak piper për të nxitur kujtimet e shtëpisë që mbeten gjallë në memorien e të gjithëve. Jeta në llogore është si të jesh në një familje, pa pasur asnjë droje, midis brezave të ndryshëm. Shpeshherë komandanti është më i ri se disa nga vartësit, dhe gjërat shkojnë mirë nëse të gjithë e kuptojnë se nuk mund të lexojnë, kuptojnë dhe vendosin aq mirë sa ai.
Por të moshuarit zgjidhin gjithnjë shumë probleme. Ata dinë që ta bëjnë këtë me lopata, gozhdë dhe çekiçë. Janë ata që ndërtojnë llogoret. Më të rinjtë, ashtu si në një familje normale, dalin më shpesh për misione, ndaj rrezikojnë edhe më shumë.
Që të gjitha grupet luftarake që strehohen në llogore kanë nga një qen. Sigurisht janë të pajisur edhe me sensorë dhe pajisje satelitore. Por është qeni ai që u jep ngushëllim ukrainasve kundër “ujqërve” që duan t’i gllabërojnë. Ata mund të jenë qen të mëdhenj ose të vegjël.
Gjatë ditës, rrinë rreth e rrotull, pa zinxhirë, dhe përkëdhelen dhe ushqehen nga ushtarët. Natën ata struken pranë rojeve dhe e forcojnë vigjilencën. Është mirë që kazermat të shmangen. Në kushtet e avionëve armiqve tanë fluturojnë mbi kokat tona, është e pamundur të ndërtohen kampe me tenda.
Ndaj çdo llogore, si një ekip skautësh, duhet të mendojë vetë se si të flejë, të hajë dhe të mbrohet. Jo gjithçka mund të jetë në llogore. Për shembull aty nuk ka mundësi të lahesh.
Në timonin e makinave civile, më të vjetrat dhe më të shëmtuarat e mundshme (ato që janë gjetur të braktisura) mund të dilni nga dhoma e nëndheshme dhe shkoni për pak orë në pjesën e pasme të frontit.
Nëse jeni me fat do të gjeni një shtëpi me një pus, një sobë dhe një banjë ku mund të laheni.
Fshatrat prapa llogoreve shndërrohen në kazerma të shpërhapura, ku janë radiot apo mediat sociale në celular (Whatsapp, Viber ose Telegram) ato që garantojnë ndërlidhjen midis njësive. Pastaj çdo muaj, çdo 2 ose 3 muaj, vjen pushimi i vërtetë.
Krahasuar me Rusinë shumë më madhe në sipërfaqe, Ukraina ka avantazhin e dërgimit të ushtarëve të saj në shtëpi pas një kohe relativisht të shkurtër qëndrimi në llogore. Dhe mund ta bëjë këtë sepse i gjithë vendi nuk është aq larg luftës. Nga supat e llogoreve tek picat në familje duhen maksimumi 8 ose 10 orë. Jeta normale është aq afër saqë nuk mund të mos luftojmë për ta mbrojtur atë. Aq afër sa është çmenduri./albeu.com