Rritja e çmimit të energjisë në tregun e lirë për shkak të krizës globale ka ndryshuar edhe dinamikat në sjelljen e palëve të tregut.
Teksa për vite më radhë prodhuesit me përparësi të energjisë (kapacitet i instaluar deri në 15 MW) preferonin blerjen nga shteti të energjisë me një çmim që formulohet nga disa tregues ku më kryesori referenca vjetore e Bursës Hungareze tashmë një pjesë e tyre duket se duan të dalin nga kjo marrëdhënie.
Çmimi i tregut është luajtur mes 3-8 fish në ditë të caktuara në raport me atë që shteti u paguan prodhuesve me përparësi duke e bërë daljen nga marrëveshja një mundësi më të leverdishme financiarisht për ta.
Vitin e kaluar kur kriza sapo kishte nisur këto HEC-e kërkuan që të dilnin në treg të lirë po në atë kohë kjo nuk ishte e mundur pasi lajmërimi për këtë vendim duhet të bëhet për një periudhë më të gjatë kohore çka duket se këtë vit duket se e ka bërë më të thjeshtë procedurën.
Vetë entet e sektorit energjetik pranojnë në dokumente se ka interes nga ana e prodhuesve me përparësi të energjisë për të dalë nga marrëdhënie që kanë me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes dhe se në këto raste është më mirë që shteti të negociojë direkt me prodhuesit për t’ju blerë energjinë me çmime tregu për të eliminuar hallkën e tregtuesve që do te rriste çmimin.
“Kontraktimi afatgjatë i energjisë nga gjeneruesit brenda vendit: Konkretisht kjo masë shpjeguar më sipër do të sjellë për shoqërinë efekt duke arritur një çmim të energjisë më të lirë se çmimi i bursës së referencës. Shoqëritë do të garojnë mes tyre duke ofruar zbritjen më të madhe nga çmimi.
Shembull projekti Karavasta Solar. Gjithashtu oportunitet për blerjen në të njëjtën formë kontraktimi të energjisë paraqesin edhe HEC-et e vogla ekzistuese të cilat aktualisht pretendojnë të zgjidhin marrëdhënien me OSSH sh.a. Nëse këta prodhues do të kontraktojnë me tregtarë, energjia e prodhuar prej tyre do të blihet nga KESH për shkak të nevojës me çmime tregu prej tregtareve dhe jo me çmim nën bursa si mund të kontraktohet drejtpërdrejtë me prodhuesit” thuhet në dokument.
Sipas metodologjisë formula aktuale që nxjerr çmimin vjetor të blerjes së energjisë për këto koncesionarë (Lekë/kWh) është : Çmimi mesatar vjetor i tregut të ditës në avancë (HUPX/DAM) i energjisë elektrike në profilin bandë (baseload) i vitit përkatës të bursës hungareze (HUPX) të energjisë elektrike në euro cent/kWh X bonusin për promovimin e burimeve të rinovueshme në masën 1.2 X normën mesatare të këmbimit në Euro/Lekë për vitin e fundit.
Çmimi me të cilën blihet energjia nga këto HEC-e ndryshon çdo vit dhe miratohet nga ERE. Për vitin 2022 ky çmim ishte 8.5652 lekë me rritje 6.3 për qind në raport me çmimin e vitit 2021. Ky çmim edhe pse më i lartë se ai me të cilin OSHEE siguron energji nga KESH për tregun e rregulluar, në kushtet aktuale është një çmim i leverdishëm në raport me tregun e lirë.
Referuar treguesve të prodhimit të energjisë në 6 muajt e parë të 2022 rezulton se prodhuesit me përparësi dhanë 1.1 milionë Mwh në rrjet çka korrespondon me rreth 30% të prodhimit total të energjisë./Monitor