KESH po harxhon mesatarisht 2.7 mln euro në ditë për blerje energjie. Këtë muaj ajo ka siguruar energji deri në datën 18 shtator, duke shpenzuar gjithsej 48 mln euro. 35 mln euro ka shpenzuar KESH në dy ankandet e fundit për të furnizuar popullatën me energji elektrike në datat 10 deri në 18 shtator. Për datat 10-11, energjia është blerë me çmim mesatar 462 euro/megavati, ndërsa për intervalin 12-18 shtator një megavat ka kushtuar 495 euro.
Ankandet e fundit tregojnë se KESH nuk ka kërkuar të shesë energjinë që prodhohet në Fierzë, në treg të huaj, sikundër ka bërë javën e parë të shtatorit, kur shpenzoi 13 mln euro.
Këto lëvizje vijnë pas shpalljes së planit të kursimit për këtë dimër, i cili do të nxitet nga vendosja e fashës 800 kilovat, tejkalimi i të cilës 4-fishon çmimin e kilovatit.
Qeveria ka garantuar se nuk do të ketë mungesë të energjisë gjatë dimrit, ndërsa çmimet mund të vazhdojnë të rriten. Të dhënat për shtatorin tregojnë se KESH po shpenzon mesatarisht 2.7 mln euro në ditë për energjinë elektrike./Euronews