Kapet dyshja e shpërndarësve në Korçë, çfarë ju gjet brenda lokalit

Policia e Korçës ka arrestuar 2 persona duke finalizuar operacioni antidrogë i koduar “Pazari”.

Sipas policisë, H. T., 31 vjeç, banues në fshatin Plasë, Maliq dhe K. Z., 18 vjeçe, banuese në fshatin Pojan, Maliq ushtronin aktivitetin kriminal të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në një lokal të qytetit.

Gjatë kontrollit në lagjen nr. 8, në zonën e “Pazarit të Vjetër” në Korçë, iu gjetën 73 doza dhe 77 gr lëndë e dyshuar narkotike heroinë, 30 kapsula metadoni dhe 1 peshore elektronike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu gjatë verifikimeve të mëtejshme, rezultoi se këta shtetas në lokalin në përdorim të tyre kishin një punonjëse të paregjistruar në skemën e sigurimeve.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”; “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Punësimi i paligjshëm”.


Shtuar 24.08.2020 06:32