Përvjetori jubilar i ditëlindjes së të madhit Loro Boriçi, ikonës së futbollit shqiptar!

Si sot 100 vite më parë, më 4 gusht 1922, lindi në Shkodër legjenda e futbollit shqiptar, Loro Boriçi!

Padyshim, figurë e jashtëzakonshme dhe personaliteti më i madh në historinë e futbollit shqiptar e një nga njerëzit me më shumë kontribute në zhvillimin e futbollit në vendin tonë me një karrierë të lavdishme.

Loro kreu shkollën në Kolegjin Saverian në Shkodër, një institucion arsimor që i përkiste kishës katolike që kishte arsimim të përgjithshëm normal. Spikati që në moshën 15-vjeçare për aftësitë e tij teknike dhe u bë menjëherë pjesë e Vllaznisë, ku luajti për disa sezone.

Më pas, u transferua në Itali me vëllain e tij më të madh, Markun, dhe u regjistrua në fakultetin e drejtësisë në Romë për të ndjekur studimet në fushën e jurisprudencës. Në vitin 1941 Loro u bë pjesë e klubit të Lacios dhe pas një sezoni të parë të vështirë arriti formacionin e ekipit të parë duke luajtur 19 ndeshje e shënuar 6 gola në kampionatin elitar të Italisë. Asokohe në Serinë A ishin edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë që luanin me klubet italiane si Riza Lushta i Juventusit, Naim Kryeziu i Romës, Hilë Staka i Bolonjës apo Sllave Llambi me Interin.

Me përfundimin e luftës Loro Boriçi vendosi të kthehej në Shqipëri dhe u transferua te Vllaznia, ku u shpall dy herë kampion më 1945-n dhe 1946-n. Debutimi i tij me Kombëtaren shqiptare do të vinte në miqësoren ndaj Malit të Zi, të luajtur në gusht të vitit 1946. Loro Boriçi ishte protagonisti kryesor dhe kapiteni që udhëhoqi Kombëtaren e Shqipërisë në fitoren historike të Ballkaniadës së vitit 1946 në Tiranë, duke mposhtur skuadra me emër si Rumania e Bullgaria.

Në 1949 mbërrin në Tiranë për shërbimin ushtarak, ndonëse ishte 27 vjeç dhe luajti për Partizanin. Fitoi edhe dy tituj kampion (1949, 1954), ndërsa në sezonin e fundit si futbollist aktiv luajti edhe për Spartakun e Tiranës. Në vitin 1956 u caktua trajner i Partizanit dhe më 1957-n, trajner i kombëtares, të cilën me shkëputje e drejtoi deri në prag të viteve 80-të. Në fakt, Loro Boriçi mban edhe një tjetër rekord të veçantë si trajneri më jetëgjatë Kombëtares shqiptare.

Në 1960 u shkollua për trajner në Institutin e Fizkulturës dhe Sporteve në Bullgari, në Sofie, dhe si trajner do të shpallej kampion në vitet 1963, 1964, 1971 me Partizanin. Gjithashtu, si trajner ka fituar Kupën e Republikës në 1964, 1966, 1968 e 1970, Kupën Ballkanike me Partizanin në 1970, Kampionatin Ballkanik me ekipin Shpresa më 1977. Boriçi fitoi edhe medaljen e argjendit me Partizanin në Lojërat e Ushtrive mike në Hanoi më 1963.

Nga viti 1972 e deri në vitin 1975 punoi në Kinë për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit kinez, për t’u rikthyer në eksperiencën e tij të fundit ë krye të stolit të Kombëtares. Loro Boriçi u nda nga jeta në moshën 62-vjeçare më 25 prill të vitit 1984 pas një sëmundje të rëndë. I nderuar me titujt sportiv “Mjeshtër i Merituar”, “Trajner Kombëtar”, “Nderi i Sportit Shqiptar” si edhe i dekoruar nga Presidentët e Republikës me urdhrin “Naim Frashëri” Klasi i Parë dhe Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, dekorata “Mjeshtri i Madh i Punës”, urdhri “Nderi i Kombit” dhënë më 30 dhjetor 2012 me motivacionin: “Me përkushtim të rrallë, duke e konsideruar sportin si një mision jetik për t’i shërbyer Shqipërisë me talentin e tij të rrallë, ai ishte dhe mbetet ikona e futbollit shqiptar”. Emrin e Loro Boriçit mban sot edhe stadiumi kombëtar i Shkodrës. /fshf.org