Mospajtimet me vendimet për reciprocitet në targa dhe dokumente me Serbinë nga ana e Qeverisë së Kosovës, udhëheqësit e Listës Srpska mund t’i shfaqin edhe duke dalë nga Qeveria. Megjithatë, kjo lëvizje eventuale e tyre nuk do të ndikojë në Qeverinë e Albin Kurtit.
Versionet që u shfaqën në publik se Lista Serbe mund të dalë nga Qeveria dhe të bëjë përpjekje për rrëzimin e Qeverisë Kurti në shtator u hodhën poshtë nga dy njohës të Kushtetutës.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Arsim Bajrami, i cili është edhe njëri ndër hartuesit e Kushtetutës, thotë se largimi i Listës Serbe nga Qeveria mund ta lë vendin e zbrazët, por Qeveria vazhdon punën e saj.
“Në pikëpamje kushtetuese largimi eventual i Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës nuk implikon rrëzimin e Qeverisë. Qeveria mund të bije vetëm nëse ka sukses një votim i mocionit të mosbesimit të qeverisë. Një mocion i këtillë nuk besoj se partitë opozitare do ta ngrisin për shkak të veprimeve destruktive të Listës Serbe. Nëse Lista Serbe del nga Qeveria, vendet e saj mbesin vakante, por Qeveria vazhdon mandatin e saj”, deklaroi Bajrami.
Ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, që zë vendin e ministrit nga komuniteti serb në Qeverinë e Kosovës, e identifikoi veten si opozitë brenda pozitës – meqë thotë se mandatin s’ia dha kryeministri, por bashkëkombasit e tij.
“Sa i përket dorëheqjes nga qeveria, unë jam pjesë e asaj qeverie dhe do të jap dorëheqje kur të më kërkojnë njerëzit që më kanë zgjedhur”, tha Rakiq nga Beogradi ku edhe i merr udhëzimet se si të përfaqësojë serbët e Kosovës.
Por, Rakiq mund të mos jetë pjesë e Qeverisë Kurti pasi mund të zëvendësohet lehtë në bazë të Kushtetutës.
Njohësi tjetër i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, tregoi për Gazetën Express edhe një skenar tjetër se si do të ndërrohej ministri serb nëse ai aktual dëshiron të mos vazhdojë funksionin.
“Nuk mundet Lista Serbe ta rrezojë Qeverinë se ajo s’është pjesë e koalicionit dhe nuk mund t’i rrezikojë numrat. Sipas Kushtetutës, Lista Serbe me këtë qeverisje është vetëm e pranishme, pra me një ministër siç e parasheh Kushtetuta dhe ajo nuk është domosdoshme. Edhe nëse del Goran Rakiq nuk e rrezikon Qeverinë, mund të jetë i një partie tjetër. Nëse nuk ka nga partitë, atëherë një qytetar me ndikim nga shoqëria civile mund të kërkojë Qeveria dhe në këtë mënyrë funksionon dhe përmbushet kushti kushtetues që nga komuniteti përkatës të jetë i pranishëm një ministër, nëse partia me numër më të madh nuk dëshiron të jetë”.
Dje në emisionin “Frontal”, drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, duke propozuar që dialogohet me serbët lokalë për t’i shuar tensionet në veri të vendit, tha se ka informacione nga Beogradi se nëse nuk gjendet një zgjidhje brenda 30 ditësh, Lista Serbe do të përpiqet ta rrëzojë Qeverinë Kurti.
“Në bazë të informacioneve që kemi edhe në zyrën në Beograd të Institutit, edhe në veri të Kosovës, konsideroj që Lista Serbe është duke u parapërgatitur që në njëfarë forme t’ia bëjë jetën e vështirë Qeverisë Kurti dhe të bëjë përpjekje për rrëzimin e saj brenda një periudhe të caktuar”, deklaroi Sheholli.
Ngjashëm është deklaruar edhe analisti serb, Dushan Janjiq, i cili tha se Lista Serbe do të largohet në fillim të shtatorit nga të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë dhe Parlamentin. Këtë veprim do ta ndërmarrë Lista Serbe me qëllimin që të fitojë sa më shumë për zbatimin e masës së reciprocitetit, por edhe për të shtyrë Kosovën drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Kemi vonesa të vazhdueshme edhe pse zgjidhja dihet. Të gjithë e dinë se zgjidhja përfundimtare është ajo që njihet nga autoritetet ndërkombëtare të transportit, përkatësisht targat RKS dhe SRB. Kur bëhet fjalë për dokumentet personale, të gjithë e dinë se Kurti ka tre vite që ndjek një politikë reciprociteti. Politika e vonesës dhe reciprocitetit nuk çon në një fund të lumtur dhe të shpejtë”, ka deklaruar dje analisti serb./Ekspress/