Mbeten në mes të katër rrugëve pa informacion, QSUT: Asnjë familjar tek Infektivi!

“QSUNT siguron të afërmit dhe familjarët e pacientëve, si dhe të gjithë qytetarët, se të shtruarit në Spitalin e Sëmundjeve Infëktive po marrin shërbim mjekësor të pakursyer, nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve të palodhur të këtij spitali…”

QSUT ka reaguar pas radhëve të familjarëve jashtë ambienteve e spitalit Infektiv që kërkojnë informacion për pacientët e shtruar nga koronavirusi.

Në një shkrim në Facebook, QSUT thotë se ndodhen në një situatë pandemie dhe askush tjetër nuk lejohet të hyjë përvec pacientëve të sëmurë dhe personelit. Sa i përket informacionit që duhet të marrin familjarët, thotë se komunikimet bëhen nëpërmjet telefonit me mjekët.

“Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u kujton familjarëve dhe të afërmve të qytetarëve të shtruar në Spitalin e Sëmundjeve Infëktive, se ndodhemi në një SITUATË PÁNDEMIE! Kjo do të thotë që kërkohet përgjegjshmëri maksimale prej të gjithëve.

Spitali i Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është kthyer në spital Covid prej disa muajsh, që do të thotë se përveç pacientëve dhe personelit, ASKUSH TJETËR nuk mund të lejohet të hyjë. Kjo bëhet për të ruajtur shëndetin e të afërmve dhe familjarëve të paciëntëve.

QSUNT ka vendosur në dispozicion një koordinator të posaçëm, në rastet kur familjarët kanë sende personale që duhet t’ua dërgojnë të afërmve të shtruar në Spitalin e Sëmundjeve Infektive. Për paciëntët e shtruar, komunikimet e familjarëve me mjekun bëhen kryesisht nëpërmjet telefonit, për të evituar kështu infektimin e tyre.

QSUNT siguron të afërmit dhe familjarët e pacientëve, si dhe të gjithë qytetarët, se të shtruarit në Spitalin e Sëmundjeve Infëktive po marrin shërbim mjekësor të pakursyer, nën kujdesin e mjekëve dhe infermierëve të palodhur të këtij spitali”, thuhet në njoftimin e plotë.


Shtuar 6.08.2020 15:24