Një tërmet që ka rezultuar fatal për të paktën 1 mijë persona ka tronditur ditën e sotme Afganistanin.
Sipas të dhënave të BBC, tërmeti me një magnitudë prej 6.1 ballësh ka lënë të plagosur edhe të paktën 1.500 të tjerë.
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti goditi rreth 44 kilometra nga qyteti Khost, pranë kufirit me Pakistanin.
Talebanët kërkuan ndihmë ndërkombëtare për operacionet e shpëtimit pasi fotografitë tregonin rrëshqitje të dheut dhe shtëpitë e ndërtuara nga balta në provincën e Paktikas, të rrënuara.
Ky është tërmeti më vdekjeprurës që ka goditur Afganistanin në dy dekada dhe një sfidë e madhe për talebanët, lëvizjen islamike e cila rifitoi pushtetin vitin e kaluar pas rënies së qeverisë së mbështetur nga perëndimi.
Tërmeti u lokalizua rreth 44 km nga qyteti i Khost dhe lëkundjet u ndjenë deri në Pakistan dhe Indi. Dëshmitarët raportuan se e ndjenë tërmetin si në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, ashtu edhe në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad.
BBC raportoi se zyrtarët talebanë i kërkuan OKB-së t’i mbështesë ata në drejtim të vlerësimit të nevojave dhe përgjigjes ndaj atyre që preken.
Tërmetet priren të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në Afganistan, ku banesat në shumë zona rurale janë të paqëndrueshme ose të ndërtuara keq.
“Unë dhe fëmijët bërtitëm. Një nga dhomat u shkatërruan ndërsa dëgjonim ulërimat e fqinjëve tanë”, tha Fatima.
Një tjetër banor tregoi se tërmeti ka shkatërruar shtëpitë.
“Ai shkatërroi shtëpitë e fqinjëve tanë. Kur arritëm kishte shumë të vdekur dhe të plagosur. Na dërguan në spital. Pashë edhe shumë trupa të pajetë”, rrëfeu Faisal.
Ndërsa një gazetar në provincën Paktika deklaroi se në çdo rrugë dëgjohen vajtimet e banorëve për familjarët e vdekur.
Megjithatë ka edhe ankesa në lidhje me reagimin e autoriteteve.
Fermeri lokal Alem Wafa qau teksa i tha BBC-së se ekipet zyrtare të shpëtimit nuk kishin arritur ende në fshatin e largët të Gyan, një nga më të goditurit.
“Nuk ka punonjës zyrtarë të ndihmës, por njerëz nga qytetet dhe fshatrat fqinje erdhën këtu për të shpëtuar njerëzit. Kam mbërritur sot në mëngjes dhe unë vetë gjeta 40 trupa të pajetë”, rrëfeu ai.
Shumica e të vdekurve, sipas tij ishin fëmijë shumë të vegjël.
“Spitali lokal thjesht nuk kishte kapacitetin për t’u marrë me një fatkeqësi të tillë”, shtoi fermeri.
Në zonat e largëta, helikopterët kanë transportuar viktimat në spitale.
Edhe para marrjes së pushtetit nga talibanët, shërbimet e urgjencës të Afganistanit ishin shtrirë për t’u marrë me fatkeqësitë natyrore – me pak avionë dhe helikopterë në dispozicion të shpëtimtarëve.
Duke folur për BBC, një mjek në Paktika tha se punonjësit mjekësorë ishin mes viktimave.
“Ne nuk kishim mjaft njerëz dhe mjete në dispozicion para tërmetit dhe tani tërmeti na ka shkatërruar edhe atë pak që kishim. Nuk e di sa prej kolegëve tanë janë ende gjallë”, thonë ata.