Qeveria bullgare ia kaloi topin Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, i cili do të vendoste për zgjidhje të mundshme me Shkupin.
Sipas kryeministrit Kiril Petkov, çdo propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes që vjen nga Brukseli, apo ndonjë shtet anëtar i BE-së, i cili bie ndesh me Qëndrimin Kornizë, do të shqyrtohet në komisionin parlamentar.
“Tash e tutje asnjë politikan nuk do të mund të thotë se qeveria do të ndërmarrë veprime të njëanshme. Vendimi për Maqedoninë e Veriut i takon Kuvendit, dhe vendimi i Qeverisë i obligon përfaqësuesit tanë në Bruksel, që të mos marrin vendim pa Parlamentin”, tha Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë.
Nga ana tjetër, gjatë negociatave me Shkupin, në Parlamentin bullgar është dëgjuar edhe ministrja e Jashtme në dorëheqje, Teodora Gençovska. Sipas saj, Petkov i premtoi komisionerit për zgjerim të BE-së, Oliver Varhei, se do të heqë veton deri në fund të qershorit, ndërsa qeveria u përpoq të ndryshonte tekstin e Qëndrimit Kornizë të Bullgarisë, në pjesën që konteston ekzistimin e gjuhës maqedonase deri në vitin 1944.
“Këshilltari i Kryeministrit për Politikë të Jashtme, më 5 prill, ka dërguar një draft-amendament për Qëndrimin kornizë. Megjithatë, përmbajtja në fakt propozon një ndryshim në pozicionin kombëtar bullgar. Ky draft i Qëndrimit kornizë nuk përfshin qëndrimin për të ashtuquajturën gjuhë maqedonase”, u shpreh Teodora Gençovska – Ministre e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Sytë e 18 milionë njerëzve janë kthyer nga Sofja, tha sot ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani. Para samitit të qershorit, Osmani tha se ka mbetur edhe pak kohë për të parë nëse Bullgaria, e cila e ktheu agjendën evropiane në Ballkanin Perëndimor në samitin e vitit 2018, do ta varros tani të ardhmen evropiane të këtyre vendeve.
“Shpresoj se politikanët bullgarë do të ngrihen në nivelin e detyrës së tyre, dhe nuk do të lejojnë që në Sofje të ndërtohet një monument në varrin e politikës më të suksesshme të BE-së, në 75 vitet e fundit dhe kjo është politika e zgjerimit”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, nuk pret që politikanët bullgarë të ndryshojnë qëndrim dhe t’i japin Maqedonisë dhe Shqipërisë datë për negociata në samitin e qershorit. Në një intervistë për Politiko, Rama tha se liderët bullgarë e kishin bërë kaq të madhe çështjen sa nuk mund të tërhiqeshin tani./Alsat.mk