Zhvillimet në partinë më të madhe opozitare në vend PD, kanë qenë në qendër të vëmendjes prej kohësh, e duket se do mbeten gjatë.
Kriza e brendshme e partisë ka qenë një shqetësim i madh për demokratët dhe gjithë shoqërinë, pasi mungesa e opozitës padyshim që nuk është poziteve.
Për situatën në PD, i ftuar në “Pikat mbi i” ka folur edhe ish-Presidenti Bamir Topi, i cili rikthimin e Berishës e cilëson si rikthim për “halle personale”.
Më tej ai shton është fatkeqësi që mungon roli i opozitës dhe gjenerimi i elitave.
Topi: Duke parë një gjendje të pashpresë të kohezionit të grupeve të ndryshme të PD dhe parashikuar se deri kur do të shkonte akuza e ndërsjelltë kam thënë që për hir të demokracisë në Shqipëri që ka nevojë për opozitë. Për hir të emrit dhe historisë së bukur që ka PD, kjo histori dhe sigla duhet të arshivohen.
Rruga e nisur do të çonte në një dekompozim në sy të publikut të historisë së PD dhe në një përplasje që do të shkonte sikurse është një lloj tradite. E kam parashikuar këtë situatë dhe aty jemi. Sipas meje si një mjek njeriu duhet ta thotë diagnozën ashtu siç e vështron. Ndryshe ajo s’i shërben as mjekut e as pacientëve. Diagnoza në rastin e PD është e disfavorshme. Ka një sigël që po e kalon betejën në disa standarde të pa imagjinueshme.
Një parti e cila solli pluralizmin, që e adëroi Shqipërinë në të gjitha organizmat duke filluar me Këshillin e Evropës, NATO-s, heqjen e vizave. Këto i dedikohen qeverisjes së PD. Historia është e lexueshme, por ajo nuk po merret në konsideratë. Të gjithë po luajnë për historinë e tyre. Berisha nuk është njeri që fantazon në rrugëtimin e tij. Berisha është njeri konkret, çdo vendimmarrje është e mirëmenduar. Ajo që më bën të mendoj rikthimin e tij kur Shqipëria e ka domosdoshmëri për të gjitha krahët e politikës të ketë gjenerim të elitave, këtu kemi rikthim që bëhet për halle personale. Kjo më bën të mendoj që situata atje do të degjenerojë.
Ky degjenerim do të shkojë në qelizë. Ka një grupim që de facto e kontrollon PD dhe një grupim tjetër që de jure është në drejtim. Ka edhe një grup tjetër që ka të bëjë me frymën. Ajo frymë nuk është më atje. Ajo që e dallon opozitës nga pushteti është fryma. Opozita ka frymë, ndërsa mazhoranca tenton të forcojë strukturën për të mbajtur pushtetin.