Kjo pritet të sjellë pasoja të rënda për shumë shtete.
Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, Ben Wallace, i është shtuar numrit të zyrtarëve të lartë që i kanë bërë thirrje Moskës të lejojë Ukrainën të eksportojë grurin e saj.
“Rusia duhet të bëjë gjënë e duhur”, është shprehur ai, teksa ka shtuar se kjo do të ndihmonte vendet ku mungesa e grurit mund të shkaktojë uri.
Ai ka reaguar edhe në lidhje me pretendimin e shtetit rus, se do të mundësonte vijimin e eksporteve, në rast se do të hiqeshin sanksionet e vendosura ndaj saj nga Perëndimi.
Wallace tha se në vend të kësaj, vendet e Detit të Zi, si Turqia, mund të shoqërojnë dërgesat e grurit ukrainas, pasi ka hedhur poshtë mundësinë që sanksionet të tërhiqeshin.
Kujtojmë se sot Moska bëri thirrje për heqjen e sanksioneve që u vendosën pas nisjes së luftës në Ukrainë, si pjesë e një “qasjeje gjithëpërfshirëse” që synon të shmangë një krizë globale ushqimore.
Ukraina është një nga eksportuesit kryesorë në botë të drithërave, por ajo ka krijuar rezerva të mëdha që nuk është në gjendje t’i dërgojë jashtë vendit për shkak të një bllokadë ruse të porteve të saj.
Zëvendësministri i Jashtëm i Kremlinit, Andrey Rudenko tha se Rusia ishte e gatshme të siguronte një korridor humanitar që do t’u mundësonte anijeve një rrugë të sigurt nga Ukraina – nëse hiqen sanksionet.
Dje, Bashkimi Evropian akuzoi Rusinë për përdorimin e furnizimeve ushqimore si një armë me pasoja globale.
Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se çmimet e ushqimeve në mbarë botën do të vazhdojnë të rriten ndërkohë që ngërçi vazhdon.
Perëndimi ka akuzuar ushtrinë ruse se mban peng furnizime ushqimore për miliona në mbarë botën.
Lufta ka bllokuar portet kryesore të Ukrainës në Detin e Zi, duke ndikuar rëndë zinxhirët e furnizimit me ushqim në mbarë botën. Vendi është një eksportues kryesor i grurit, por tani miliona ton drithë janë ngecur – duke ndikuar në vendet që mund ta përballojnë më së paku.