Restorantet fine-dining, ndër të tjera, kanë diçka të përbashkët: Ushqimin që shërbehet në porcione të vogla. Me fjalë të tjera, pjatat e mbushura me majë nuk ekzistojnë. Kurrën e kurrës. Duket se e kemi marrë të mirëqenë që në këto restorante ushqimi shërbehet kështu dhe rrallë mund ta kemi pyetur veten: Pse? Bright Side ka përpiluar një listë me 6 arsye se pse ushqimi shërbehet në porcione të vogla dhe në fakt ka të drejtë.
1. Përbërësit kushtojnë: Në këto restorante, ushqimi është një eksperiencë dhe kësisoj pjatat përmbajnë përbërës të shumëllojshëm dhe shumë prej tyre nuk gjenden rëndom te tregu i fruta-perimeve afër shtëpisë. Mendoni që as 500 gramë bërxollë wagyu (lloj japonez i mishit të viçit) mund të kushtojë 200 dollarë. 1 kilogram haviar mund të shkojë deri në 10,000 dollarë. Tartufi i bardhë 7,500 dollarë. Pra, afërmendsh që çmimet do të jenë të larta dhe porcionet e vogla.
2. Thjesht më elegante: Ok, shumë e qartë. Për shefat, ushqimi duhet të kënaqë syrin, pastaj stomakun. Qëndron për ata, nuk e dimë për ju.
3. Duhet që të mos ngopesh direkt: Nëpër vende të tjera, njerëzit konsumojnë zakonisht tri pjata: antipastë, pjata kryesore dhe ëmbëlsira. Në restorantet fine-dining mund të ndodhë që njerëzit të konsumojnë edhe shumë pjata: finger food (ushqim që konsumohet me gishta), antipastë, supë, sallatë, pjata e parë kryesore, diçka që ju përgatit për pjatën e radhës, pjata e dytë kryesore, djathë, ëmbëlsirë dhe pije. Kështu restorantet zvogëlojnë porcionet në mënyrë që të shijoni të gjitha ushqimet.
4. Shefija i/e kuzhinës bën art: Le ta pranojmë, një pjatë e mbushur plot e përplot nuk ngjan kurrë bukur. (Na fal spaghetti me ragù alla bolognese, nuk e kemi me ty. Ti dukesh mirë gjithmonë).
5. Duken cilësi premium: Me fjalë të tjera, çdo gjë që është në sasi të limituar, nga veshjet te ushqimi, e shohim ndryshe. Taktikë e bukur. Faleminderit që luani me psikologjinë tonë.
6. Kafshatat: Kafshatat e para në një ushqim shijojnë gjithmonë më shumë dhe teksa hani, sensorët e shijes bëhen më pak të ndjeshëm. Duke e ditur mirë këtë, kuzhinierët përqendrohen në cilësinë e pjatës.
Pra, herë tjetër mos thoni më me vete, “Kaq pak?”.