Kompleksiteti absolut i luftës në Ukrainë, mund të fshehë tiparet e saj më të rëndësishme. Prandaj le të reduktojmë disi kompleksitetin, dhe të përqendrohemi tek argumenti qendror: Ukraina ka penguar fitoren e rusëve, por nuk e ka fituar ende luftën.
Priten ende luftime të ashpra, por rezultati në fushën e betejës po anon gjithnjë e më shumë në favor të Ukrainës. Vladimir Putin donte të pushtonte kryeqytetin, Kiev, të rrëzonte regjimin e Zelensky, të instalonte atje një qeveri kukull, dhe të kontrollonte sa më shumë që të mundej vendin fqinj, duke përfshirë një pjesë të territorit të tij tek “Nëna Rusi”, dhe duke krijuar republika “të pavarura” në pjesën tjetër.
Në fakt, ai dështoi jo vetëm në aspektin ushtarak, por e bashkoi popullin ukrainas në një rezistencë të ashpër, përfshirë ata që flasin rusisht, që jetojnë pranë kufirit me Rusinë dhe që dikur ishin mbështetës të politikës së Moskës.
Kjo opozitë e gjerë formoi një komb, gjë që shënon një ndryshim shumë të rëndësishëm që nga pushtimi i Krimesë dhe Donbasit nga Rusia në vitin 2014. Pushtimi i Putinit dhe rezistenca e Ukrainës kanë prodhuar 3 pasoja të menjëhershme.
Së pari, ai e ushqeu shpirtin luftarak të të gjithë ukrainasve, të udhëhequr nga një ushtri e zgjuar, këmbëngulëse dhe një president Çërçillian. Së dyti, kjo do të thotë se përveç Krimesë, Rusia mund të kontrollojë territorin që ka pushtuar vetëm nëse mban aty një ushtri të përhershme pushtuese. Por kjo do të ishte shumë e kushtueshme dhe e rrezikshme.
Së treti, pushtimi ka shkatërruar çdo lloj shprese që mund të ketë pasur Putin për të sunduar Ukrainë nëpërmjet një regjimi kukull. Nga ana tjetër, Putin dështoi edhe në qëllimin e tij më të madh diplomatik: përçarjen e NATO-s. Ai nxiti të kundërtën: e riaktivizoi aleancën ushtarake perëndimore, e ka forcuar ndjeshëm atë, dhe po bëhet gati të zgjerohet me 2 vende të tjera, Finlandën dhe Suedinë, që të dyja me një histori të gjatë të neutralitetit të tyre.
Sidomos anëtarësimi i Finlandës në NATO, përbën një sfidë të madhe strategjike për Rusinë, pasi këto vende ndajnë midis tyre një kufi prej mbi 1200 km, që kalon shumë më pranë Shën Petersburgut. Po aq e rëndësishme: teksa lufta në Ukrainë po vazhdon, janë zgjeruar ndjeshëm synimet e NATO-s.
Në fillim, shumica e anëtarëve të NATO-s priti një fitore të shpejtë të ushtrisë ruse, dhe pasi kjo dështoi, ata shpresuan se Rusia nuk do ta pushtonte dot vendin fqinj. Ata druheshin se nëse kërkonin humbjen e plotë të Rusisë, kjo mund ta provokonte Putin të niste të përdorte armët e shkatërrimit në masë.
Kjo frikë nuk është zhdukur. Askush nuk e di nëse një ditë Putin i bllokuar në “cepin e ringut” mund të përdorë apo jo armë kimike, apo edhe armë bërthamore me rreze të kufizuar.
Pavarësisht rrezikut, NATO i ka ndryshuar dalëngadalë preferencat e saj në favor të fitores së Ukrainës, dhe kjo falë suksesit të Ukrainës në fushën e betejës, krimeve të tmerrshme (dhe shumë të dukshme) të luftës nga Rusia, si dhe qëllimit të deklaruar të Kremlinit për të pushtuar territore përtej Ukrainës.
Sigurisht, opinionet brenda aleancës ndryshojnë nga njëri-tjetri. Britania dhe anëtarët e NATO-s në Evropën Lindore janë më të zëshmit në mbështetjen e këtyre synimeve të gjera. Franca dhe Gjermania janë më të kujdesshme. Por kjo ndarje nuk e ka bllokuar mbështetjen e fuqishme – ushtarake dhe diplomatike – të NATO-s për Kievin.
Madje kjo mbështetje shkon përtej NATO-s. Rreth 40 vende po bashkëpunojnë tani me Kievin, duke përfshirë disa si Izraeli, që dikur synonin të qëndronin neutralë në raport me këtë luftë. (Izraeli shpresonte të ruante marrëdhëniet e tij të mira me Rusinë për të kufizuar aktivitetin e milicive terroriste të Iranit në Siri dhe Liban).
Rusia nuk mbështetet nga gati asnjë vend. Edhe Bjellorusia, një fqinj dhe një aleat vasal i Moskës, ka shprehur dyshime për luftën, dhe ka refuzuar të dërgojë forca për të luftuar në Ukrainë. Aleatja kryesore gjeopolitike e Rusisë, Kina, raportohet se është tejet e shqetësuar për luftën e dështuar të Rusisë, dhe ndikimin e saj në reputacionin e Pekinit.
Kina ka refuzuar t’i japë Moskës ndihmën ekonomike dhe ushtarake, për të cilën kjo e fundit ka dëshpërimisht nevojë. Ndërkohë, shumica e aleatëve të Ukrainës po forcojnë sanksionet ndaj Rusisë mbi tregtinë dhe bankat. E meta kryesore në këto sanksione mbetet nafta dhe gazi.
Megjithëse mbështetja e botës në energjinë ruse po zvogëlohet, dhe Moska është detyruar ta shesë naftën e saj me një çmim më të ulët, të ardhurat e Kremlinit janë ende mjaft të mëdha për të financuar luftën që ka nisur. Sanksionet më të rëndësishme, përveç aseteve bankare të ngrira dhe kufizimeve të forta për shitjen e energjinë, janë ndalimet për shitjen tek Rusia të çipave kompjuterikë.
Këta të fundit janë thelbësore për ndërtimin dhe riparimin e armëve moderne, dhe Rusia nuk ka asnjë mënyrë për t’i prodhuar vetë, edhe nëse e vjedh pronësinë intelektuale. Ndaj ajo është detyruar të çmontojë lavatriçet për t’u marrë çipat dhe për të rregulluar armët e dëmtuara.
Humbja e Rusisë në armë, pilotë dhe ushtarë, duke përfshirë më shumë se 10 gjeneralë, ka qenë e madhe dhe krejtësisht e papritur. Ato janë shkatërruese për një ushtri që mbështetet në komandën nga lart-poshtë, dhe tek një numër i madh drejtuesish në fushën e betejës.
Dëmet më të rënda ndodhën gjatë luftës për pushtimin e Kievit. Batalionet e gjymtuara në atë betejë janë rivendosur tani në Ukrainën Lindore dhe Jugore. Por ato janë të pajisura dhe furnizuara më dobët, si dhe janë shumë të demoralizuara.
Raportet e besueshme pretendojnë se Rusia ka humbur deri tani rreth 1/3 e forcave të saj tokësore, një shkallë humbjesh befasuese dhe shumë problematike për ecurinë e luftës. Edhe humbjet e pajisjeve janë po aq të rënda dhe të pazëvendësueshme.
Përballë këtyre humbjeve, Rusia është detyruar të kufizojë në maksimum qëllimet e saj strategjike. Tani qëllimi i saj kryesor është të konsolidojë kontrollin mbi dy provinca në rajonin e Donbasit të Ukrainës Lindore: Luhansk dhe Donetsk.
Nëse Rusia do të mundet të konsolidojë kontrollin atje, dhe ta zgjerojë atë në jug përmes Mariupolit, ajo mund të formojë një urë tokësore të vazhdueshme nga Rusia në Krime, të cilën e pushtoi dhe aneksoi 8 vjet më parë. Ajo priste ta arrinte menjëherë këtë qëllim pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt, por nuk e ka arritur ende.
Objektivi dytësor i Rusisë është të zgjerojë kontrollin e saj në perëndim, nga Krimea deri në portin kryesor të Ukrainës në Detin e Zi, Odesën. Humbja e Odesës do ta linte Ukrainën pa dalje në det, dhe pa asnjë mënyrë të lehtë për të eksportuar sasitë e saj të mëdha të drithit, dhe me asnjë rrugë të lirë për të importuar mallra konsumi.
Le t’i shqyrtojmë të dyja këto objektiva. Së pari për të pushtuar Odesën, forcat ruse duhet të lëvizin drejt perëndimit nga Krimea dhe Kherson, që ndodhet në veri të Krimesë. Sulmi i tyre tokësor në qytetin-port do të plotësohej nga një zbarkim amfib, plus granatimet nga flota ruse e Detit të Zi.
Pengesa kryesore për sulmin nga toka ka qenë qyteti Mykolaiv, që gjendet midis Krimesë dhe Odesës. Mbrojtësit e qytetit, e kanë zmbrapsur plotësisht përparimin rus, i kanë penguar ata të kalojnë lumin e gjerë Inhul, dhe në fakt kanë rimarrë një pjesë të territorit në lindje, duke iu afruar qytetit Kherson.
Meqë Ukrainës i mungon marina ushtarake, Rusia mund të kishte pritur që flota e saj të mbetej e paprekshme. Në fakt nuk ndodhi ashtu. Raketat ukrainase të lëshuara nga toka dhe dronët i kanë shkaktuar humbje të rënda, duke i detyruar anijet ruse të tërhiqen shumë larg nga bregu. Prandaj nuk ka asnjë shans për ndonjë sulm amfib.
Pavarësisht këtyre sukseseve, Ukraina përballet ende me kufizime serioze në bregdetin jugor. Rusia mund të bllokojë ende të gjithë tregtinë detare që zhvillohet përmes Odesës. Ky bllokim e dëmton jo vetëm Ukrainën, por dëmton edhe ekonominë botërore, pasi Ukraina është një eksportuese e madh i drithit.
Kufizimi i dytë është se Ukraina nuk ka qenë në gjendje të sulmojë anijet dhe nëndetëset ruse kur ato ankorohen në Sevastopol të Krimesë. Ai port është shumë larg mundësive të artilerisë ukrainase dhe i mirë-mbrojtur deri më tani, kundër sulmeve me dronë dhe raketa. Së fundi, sukseset ushtarake të Ukrainës në rajonin Kherson janë ende të vogla. Nëse Ukraina arrin të rimarrë atje më shumë territor, kjo do të vinte në rrezik Krimenë dhe bazën detare në Sevastopol.
Sado e rëndësishme të jetë kjo luftë në bregdetin jugor, lufta kryesore është ende në veri dhe lindje. Pasi Ukraina fitoi betejën për Kievin, lufta u zhvendos 300 milje drejt lindjes në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i vendit. Ai qytet, i cili kishte 1.5 milionë banorë përpara fillimit të luftës, është afër kufirit verior të vendit dhe afër qytetit rus të Belgorodit, baza logjistike për luftën e Rusisë në lindje.
Pas zmbrapsjes së rusëve nga Kharkiv, forcat ukrainase po përparojnë drejt kufirit me Rusinë. Në vend se të forcojë pozicionet pak më prapa, Rusia po i tërheq trupat dhe pajisjet e saj dhe po i ripozicionon ato për të mbrojtur linjat e saj të furnizimit në Donbas. Këtu lufta do të jetë edhe më e ashpër, pasi Rusia ka avantazhin e pozicioneve mbrojtëse.
Gjithsesi Ukraina ka armë, të dhëna të bollshme nga shërbimet e inteligjencës, furnizim dhe një motivim shumë më të madh. Pyetja kryesore është se edhe për sa kohë mund ta vazhdojë Rusia luftën, ndërsa ushtria e saj vazhdon të humbasë një numër të madh njerëzish dhe materialesh, dhe ekonomia e saj e ka të vështirë si zëvendësojë ato./abcnews.al