Televizionet shqiptare abuzuan me pandeminë e COVID-19 duke shtuar kohën e reklamave për mediakamente, emisione për shëndetin si dhe me anë të reklamave të fshehura. Konstatimi vjen nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) në raportin vjetor të punës të paraqitur të martën në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
“Situata e krijuar nga pandemia COVID-19 ka shtuar kohën programore nga OSHMA-të për aspekte të shëndetit. Duke u nisur nga interesi për mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet me transmetimet mbi këtë temë, AMA ka realizuar shqyrtime me fokus reklamat për medikamentet, apo të trajtimit të çështjeve shëndetësore në përgjithësi,” shkruhet në raportin e prezantuar para deputetëve nga kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Lidhur me këtë problem ajo shtoi se AMA ka qenë në komunikim me Agjencinë Kombëtare të Barnave nëse medikamentet e reklamuara ishin të licencuara dhe se autoriteti u kishte tërhequr vërejtje subjekteve audio dhe audiovizive për reklamat e fshehura në këtë sektor.
Gjithashtu ajo tha se “autoriteti u ka kërkuar shmangien e fenomeneve të tilla si konfuzioni apo deformimi i rezultateve shkencore të konfirmuara” si dhe “shmangjen e forumeve të debatit vetëm me individë jo ekspertë të fushës, të cilat krijojnë paqartësi dhe pasiguri te ndjekësit’. Probleme të tjera të evidentuara në raport i referohen mbrojtjes së fëmijëve nga përmbajtjet e papërshtatshme dhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në trasmetimet audiovizive.
Gjatë vitit 2021, AMA ka marrë mbi 300 ankesa, të ardhura nga individë, shoqata e organizata të shoqërisë civile, ku pjesa më e madhe sipas Krasniqit, “kishin si objekt të tyre shkeljen e të drejtave të njeriut, të normave ligjore dhe etike, shkeljen e të drejtave të fëmijëve, cenimin e dinjitetit, si dhe disa ankesa të shtuara ndaj rrjeteve sociale, portaleve dhe gazetave”.
Deputetët e opozitës iu rikthyen çështjes së zgjedhjes së Krasniqit në krye të këtij institucioni të pavarur duke e cilësuar anti-ligjore për shkak të afërsisë së saj politike me partinë në pushtet dhe punës së mëparshme si zëdhënëse e kryeministrit Edi Rama.
“Pozicioni juaj është i dyshimtë, jeni politike, kur ligji nuk lejon njerëz politik”, tha Luçiano Boçi. Më tej Boçi i kërkoi asaj qëndrim mbi raportin e “Reporterëve pa Kufij” për përkeqësimin e lirisë së medias, si dhe sjelljen e kryeministrit ndaj gazetarëve.
Në përgjigje, Krasniqi iu referua ligjit që e përcakton AMA-n si autoritet rregullator dhe përmendi trajnimet dhe kualifikimet e gazetarëve si kontribut në këtë drejtim.
“Patjetër që ka probleme, por ne jemi të detyruar të zbatojmë vetëm kuadrin ligjor që kemi”, tha ajo e pyetur sërish për gjendjen e lirisë së medias nga deputetë të tjerë. Ajo solli një shembull ku autoriteti kishte ndërhyrë në mbrojtje të të drejtave të gazetarëve.
Në raportin e vlerësimit të hartuar nga Shërbimet e Monitorimit të Kuvedit, AMA-s i kërkohet që të luaj një rol proaktiv në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve si një çështje me ndikim të drejpërdrejtë në lirinë e medias, dhe si një kërkesë e ripërsëritur e raporteve të Komisionit Europian. Gjatë muajit 2021, AMA e ka ushtruar aktivitetin me 4 anëtarë duke krijuar ngërç në punën e saj për shkak të pamundësisë për miratimin e vendimeve të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar (5 vota).
“Mungesa e kuorumit të nevojshëm ligjor ka bërë të pamundur vendimmarrjet për marrje licence, rinovim dhe heqje të licencave/autorizimeve,”-thuhet në raport.
Të mërkurën komisioni do të miratojë një rezolutë me rekomandime për punën e AMA-s./Reporter.al/