Majko thumbon Bashën: Të uroj fat me LSI, nuk do të jetë e lehtë!

Kandidati për deputet i PS, Pandeli Majko i cili është i renditur i 19-ti në listën e Tiranës ka komentuar ftesën që kryeministri Edi Rama i bëri Lulzim Bashës për bashkëpunim.

Sipas Majkos, ftesa është keqkuptuar, pasi nuk ishte ftesë për bashkëqeverisje. Pandeli Majko e konsideron ftesën e Ramës si një sjelle të kujdesshme me opozitën dhe se nuk është një provokim.

“Ftesa u trajtua sikur ishte një ftesë për bashkëqeverisje në kuptimin e parë. Ne kemi një opozitë jashtë parlamentit, një opozitë jashtë sistemit kushtetues. Mendoj se një sjellje e kujdesshme me opozitën nuk është provokim, por detyruese. Duhet të sillet në balancë sistemi kushtetues. Nervozizmi i palës tjetër është naiv. Nuk po i kërkon PD-së se nëse fitojnë zgjedhjet, ne po kërkojmë ndonjë post ministror”, u shpreh Majko për emisionin “Breaking” në Top News.

Ndërsa për bashkëpunimin PD-LSI, Majko shprehu rezerva, kur tha se nuk është e lehtë bashkëpunimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim, madje për këtë i uroi fat Lulzim Bashës.

“Kishte dalë diku me kryetaren e LSI-së dhe thuajse në javën e fundit. E tillë do të jetë edhe qeverisja, nëse publiku mendon për një sekondë se ata do të jenë fitues. LSI nuk është një parti e lehtë me të cilën mund të bashkëpunosh. Është për ti uruar edhe fat që të kenë një bashkëpunim të mirë.  Ne kemi deklaruar vetëm një aleancë, atë me qytetarinë. Aleancën më të madhe në kuptimin e votave, do ta bëjmë”, u shpreh Majko.

I pyetur për reagimet e ashpra të Presidentit Meta, Majko tha: “Mendoj se aktualisht ai është një kundërshtar politik i mazhorancës dhe është me Bashën. Është panoramë e qartë.”

 


Shtuar 19.04.2021 11:38