Pandemia, shqetësimet nga kriza kanë ndikuar në produktivitetin e punonjësve, sektorët më të prekur

Stresi, pasiguritë financiare, puna ende në distancë në disa kompani, janë disa nga faktorët që kontribuojnë në rënien e performancës në punë. Ekspertët e punësimit sugjerojnë se kjo situatë është si rezultat i menaxhimit të kompanive, ndërsa specialistët e shëndetit mendor nënvizojnë ende stresin e ankthin si faktor vendimtar

Nga Deada Hyka

Që COVID-19 ka pasur ndikim të thellë në vendin e punës, kjo është përtej diskutimit. Kjo periudhë është përcaktuar nga një përmbysje e rendit të punës, me pjesën më të madhe të njerëzve që u detyruan të punojnë në distancë, pasi zyrat u mbyllën për të kufizuar përhapjen e virusit.

Një shqetësim kryesor në lidhje me punën në distancë mendohet të jetë fakti se shoqërohet me rënie të produktivitetit.

Situatat stresuese të jetës si pandemitë mund të sjellin ndërlikime të rëndësishme negative për shëndetin mendor dhe funksionimin psikologjik të një individi. Stresi, ankthi, konfuzioni mendor, privimi shoqëror dhe depresioni janë disa shembuj të këtyre çështjeve mendore dhe psikologjike.

Në të vërtetë, për punonjësit pa fëmijë, pati një rritje të konsiderueshme të produktivitetit thjesht sepse ata nuk patën një ndryshim rutine nga ajo që zakonisht do të kishin në zyrë. Por, ekspertët nënvizojnë se, reduktimi i takimeve, largimi nga mjedisi i hapur i zyrave dhe kështu me radhë, të gjitha kontribuojnë në një ulje graduale të produktivitetit tonë.

Nga ana tjetër, familjet me fëmijë, të cilat punuan nga shtëpia, patën disa faktorë shtesë stresues që ndikoi në uljen e produktivitetit, duke marrë në konsideratë kujdesin për fëmijët, si dhe mësimin online, për të cilin prindërit patën angazhim të konsiderueshëm.

Ekspertët e shëndetit mendor thonë se përvojat në karantinë për shkak të COVID-19 shkaktojnë stres, frikë dhe zhgënjim tek individët. Në mënyrë të ngjashme, pasiguria për shkak të COVID-19 shoqërohet me ndryshime të rëndësishme në rutinën e përditshme që mund të rrisin stresin, depresionin dhe ankthin.

Megjithatë, bëhet e vështirë për kompanitë që të ruajnë qëndrueshmërinë në punën e tyre në situata të pasigurta të jashtme, që mund të ndikojnë në mirëqenien e punonjësve. Këto situata të pasigurta, siç është pandemia COVID-19, mund të shkaktojnë stres i cili pengon rendimentin e punonjësve.

Rreziqet që mbizotërojnë në mjedisin e punës për shkak të pandemive jo vetëm që tërheqin vëmendjen e punonjësve nga puna, por gjithashtu kërcënojnë mbijetesën e tyre në vendin e punës, duke shkaktuar probleme shëndetësore. Një element tjetër që duket se ka ndikuar produktivitetin e punonjësve ka qenë edhe pesimizmi për situatën, frika nga infektimi, apo humbja e njerëzve të dashur.

Ndikimi
Lista e profesioneve të individëve që kërkojnë ndihmë për shëndetin mendor ka specifika, por padyshim të gjithë kanë përjetuar gjendje ankthi.

“Shqetësimet nga kriza kanë ndikuar në produktivitetin e punonjësve”

Flet Erald Pashaj, drejtues i EPPC Albania and Kosovo

Tregu iu jep mësimet e duhura të gjithë kompanive, edhe nën “pushtetin” e COVID. Kështu shprehet Erald Pashaj, drejtuesi i EPPC.

Periudha krizash të tilla nuk kanë tipar dallues produktivitetin, shton ai, duke e vënë theksin tek aftësitë e ndryshme të kompanive për të menaxhuar situatën. Sipas z. Pashaj, punëdhënësit e huaj kanë performuar më mirë në menaxhim dhe produktivitet.

Cila është e ardhmja e punësimit gjatë dhe pas COVID?

Vështirë që të bëhen parashikime të tilla vetëm për punësimin në veçanti, sepse ai është i lidhur drejtpërdrejt me ekonominë. Pikënisja jonë është ekonomia dhe ecuria e saj, e për rrjedhojë, edhe punësimi. Duke thënë këtë, ne kemi vënë re në Shqipëri që punësimi është ndikuar nga ecuria e ekonomisë sonë, por edhe nga ecuria e ekonomisë së vendeve afër nesh, ku më kryesorja është Italia, por edhe Mali i Zi, Kroacia.

Ecuria dhe nevoja në Itali për punonjës në disa sektorë si p.sh. informatika, kujdesi shëndetësor, shërbimi ndaj klientit, prodhimi, etj., ndikon drejtpërdrejt punësimin në Shqipëri. Por edhe ecuria dhe nevoja në Kroaci dhe Mal të Zi, ka ndikuar drejtpërdrejt punësimin në Shqipëri në sektorin e ndërtimit dhe atë të shërbimeve të hotelerisë dhe turizmit.

Kërkesa ka ndikuar në uljen e forcës së punës në vend. Ndërkohë dhe ecuria e ekonomisë sonë në turizëm dhe ndërtim ka rritur ofertën e punës. Të mos harrojmë që një ndikim negativ të gjithanshëm në ekonominë tonë dhe punësim ka edhe largimi i njerëzve jashtë Shqipërisë.

Rreth 80 mijë persona janë larguar për një vit nga vendi. Nga sa më lart ne parashikojmë që tani e në vazhdim, tregu i punës në vend do të ketë dinamika më të forta, të cilat do të përkthehen në paga më të larta, kushte më të mira puna, por edhe qarkullim më të lartë punonjësish dhe vështirësi edhe më të madhe për të gjetur punonjës. Këto dinamika do të vazhdojnë derisa kërkesa dhe oferta të fillojnë t’i afrohen një ekuilibri të ri.

A keni vëzhguar një ndryshim në produktivitetin e punonjësve gjatë këtyre dy viteve? Nëse po, në cilët sektorë?

Periudhat e krizave të tilla nuk kanë tipar dallues produktivitetin. Përkundrazi, produktiviteti bie, orët e punës reduktohen, eficienca në punë ulet dhe shqetësimet nga kriza ndikojnë më shumë mendjen dhe punën e kujtdo. Ne kemi konstatuar një rritje të kërkesës për punësim për të përballuar volumet ekzistuese dhe me rritje në disa raste. Kemi pak a shumë të njëjtin volum biznesi, si në vitin 2019, por ndërkohë kërkesa për punëtorë është rritur më shpejt sesa rritja e volumeve në biznes.

Nga ky këndvështrim, gjykoj se produktiviteti ka rënë ose më saktë po shkon në ekuilibër, sepse më parë mbingarkesa në punë, puna orar pa orar, kanë qenë norma, sidomos në sektorë si hoteleri-turizmi, prodhimi, ndërtimi, etj.

Si mendoni, a ka qenë efektiv menaxhimi i situatës këto dy vite nga punëdhënësit në Shqipëri?

Mendoj se punëdhënësit më të mirë në vend e kanë menaxhuar mirë situatën. Punëdhënësit më të mirë janë punëdhënësit e huaj (kompanitë ndërkombëtare), sektori financiar, telekomunikacioni, farmaceutika, teknologjia e informacionit, etj.

Madje janë bërë edhe shumë më socialë sesa kanë qenë më parë, më të mirëkuptueshëm dhe më të përkujdesur me punonjësit, një tipar që nuk ka qenë i pranishëm mjaftueshëm në mjedisin e punës. Punëdhënësit e mirë kanë aplikuar punën nga shtëpia, kanë paguar të plotë ditët e mungesave të punonjësve të sëmurë me COVID, por edhe qëndrimin në shtëpi për familjarët e tyre. Më vjen mirë që kanë parë një përkujdesje më të madhe dhe ky është një aspekt social për t’u vlerësuar.

Natyrisht, punëdhënësit nuk janë të gjithë njësoj, dhe përveç atyre të lartpërmendur ka shumë të tjerë që nuk e kanë menaxhuar siç duhet. Ata ankohen për faktorët e jashtëm që askush nuk i ka nën kontroll, fajësojnë tregun dhe Shqipërinë për problemet e tyre të brendshme dhe natyrisht që kur nuk e sheh problemin tek vetja, edhe situata menaxhohet me emocione dhe me kokëfortësi ndaj rregullave të tregut të punës. Sigurisht, tregu iu jep mësimet e duhura të gjithëve.

Kategoria e profesioneve që pritet të rriten gjatë pandemisë:

Ndërtimi. (Inxhinier ndërtimi; Konstruktorë; Teknik; Hekurlidhës mjeshtër; Hekurlidhës punëtorë; Muratorë; Punëtorë gipsi; Elektricistë; Hidraulikë, etj.) Rritja në këta sektorë vazhdon si për shkak të rindërtimit dhe punëve publike, por edhe të fluksit të madh ndërtues në Tiranë dhe në vijën bregdetare.

Teknologjia e Informacionit. (Zhvillues; Mirëmbajtës rrjeti, Siguri informatike, etj.) Rritja në këtë sektor është kërkesë e kohës së çdo biznesi, por edhe kërkesa nga jashtë për specialist të këtij sektori është ende e qëndrueshme.

Kujdesi shëndetësor. (Mjekë; Infermierë; Terapistë; Laborantë; Inxhinierë, etj.) Situata aktuale dhe kërkesa nga jashtë janë faktorët kryesorë që ndikojnë rritjen në këtë sektor.

Puna në largësi. (Tele-operatorët; Rezervues online; Hedhës të dhënash; Kujdesi ndaj klientit nëpërmjet kanaleve dixhitale, etj.) Ky sektor do të njohë rritje kryesisht për shkak të kërkesës nga jashtë, ku mbizotëron kërkesa nga Italia dhe pavarësisht rritjes së pagave në këtë sektor, përsëri mbetemi shumë konkurrues në tregun e punës krahasimisht me vendet perëndime. Njëkohësisht pritet rritje edhe nga bizneset vendase, si një mënyrë e mirë alternative për të përmirësuar biznesin./monitor


Shtuar 8.01.2022 07:56