Ndryshon trendi, çfarë konsumuan më shumë shqiptarët për festat e fundvitit

Trendi i blerjeve festive ndryshoi në vitin që sapo lamë pas. Sezoni i blerjeve filloi tre muaj para, duke shmangur blerjet spekulative në ditët e fundit të dhjetorit. Operatorët e mëdhenj të shitjeve me pakicë thanë se sezoni i blerjeve për fundvit është zgjatur. Blerjet e mobilieve dhe dhuratave të kushtueshme nisën që në fund të tetorit. Shitjet në linjat e lodrave për fëmijë, produktet në supermarkete dhe mobilieri janë rritur me ritme dyshifrore.

Trendet e reja të blerjeve festive dhe nga u gjeneruan të ardhurat për blerjet.

Entuziazmi i blerjeve festive nuk është penguar as nga çmimet e larta dhe as pandemia, teksa të gjitha linjat e tregtisë me pakicë, që nga artikujt e përdorur deri te blerjet e sofistikuara teknologjike raportuan shitje jo të zakontë në dy muajt para festave.

Kufizimet në lëvizje që nga fillimi i pandemisë dhe përqendrimi i aktivitetit jetësor në gjëra të thjeshta, kryesisht kujdesi për veten dhe shtëpinë, e kanalizuan konsumin në ushqime dhe pajisje që kishin të bënin me përmirësimin e infrastrukturës në ambientet e brendshme.

Ky trend, i cili nisi që gjatë pandemisë, kur njerëzit u mbyllën për një kohë të gjatë në shtëpi dhe vunë re nevojat e paplotësuara në banesa, vijoi edhe në festat e fundvitit. Distributorët e pohuan rritje të shitjeve në volum, pavarësisht se çmimet ishin më të larta.

Shpenzimet e konsumit po ushqehen kryesisht nga kursimet, remitancat që ishin me rritje këtë vit dhe nga kanalizimi i shpenzimeve të udhëtimeve dhe argëtimit në pajisje për shtëpinë. Udhëtimet jashtë vendit dhe festat e fundvitit në bare dhe restorante ishin shndërruar në traditë në Shqipëri, por kufizimet në lëvizje dhe shtrëngimi i masave nga disa vende europiane i kanë ndryshuar planet. Kalimi i ditëve të pushimeve në shtëpi po shton nevojat për pajisje të reja.

“Best Seller”, operatori më i madh i mobilieve në vend, tha se, kërkesa në prag të festave ishte e lartë këtë vit.Burimet zyrtare nga kompania shpjeguan se kërkesa ishte më e lartë se vitet e zakonshme si për eksportin, edhe për tregun vendas. Rritja ka qenë mbi 25-30%, në varësi të produkteve gjatë dhjetorit, pohoi kompania.

Grupi “Balfin”, operatori më i madh i tregtisë me pakicë në rrjetin e dyqaneve “Jumbo”, “Neptun”, “Spar Albania”, “Fashion Group Albania”, raportoi rritje të shitjeve gjatë gjithë vitit 2021 dhe në fundvit. Për sa u përket volumeve, “Neptun” ka shënuar rritje prej 23%, FGA 30%, “Spar Albania” 25% dhe “Jumbo”, 21%, duke përfshirë edhe shitjet që rrjetet kanë në dyqanet e tjera jashtë vendit.

I njëjti trend ka vijuar edhe për produktet ushqimore në njësitë e specializuara të shitjes së tyre. “Big Market”, një nga operatorët më të mëdhenj të shitjes me pakicë në vend, pohoi se shitjet gjatë dhjetorit ishin të larta në raport me vitet e tjera të zakonshme për të gjithë llojet e produkteve. Rritja e konsumit në prag të festave u mbështet edhe nga disa tregues indirektë, si importet, tregtia me pakicë në volum, të cilat ishin me rritje mbi mesataren historike në gjysmën e dytë të vitit.

Zgjatet sezoni festiv, blerjet që tre muaj para

Çdo vit që kalon, sezoni i festave të fundvitit zgjatet në kohë. Artikujt që lidhen me festat, zbukurimet festive nisin që në nëntor. Konsumatorët, sidomos më të rinjtë në moshë, i konceptojnë blerjet që në shtator dhe i realizojnë ato më shpejt.

Kjo tendencë u shfaq fort këtë vit, tha Fatmir Braha, i cili zotëron një njësi të prodhimit të mobilieve. Mobilieri “Braha”, me përvojë gati 30-vjeçare në treg, tregon se po shfaqet një tendencë e re e porosive të fundvitit. Zakonisht shqiptarët i përqendrojnë porositë në dhjetor dhe shpesh puna ishte e papërballueshme. Pandemia ka nxitur kreativitetin dhe kërkesat për mobilie këtë vit kanë qenë shumë të veçanta, duke ju shmangur standardit të zakonshëm.

Kërkesa ishte e lartë dhe e larmishme për festa, edhe pse çmimet ishim të larta gjatë sezonit, tha zoti Braha. Sipas tij, shitjet ishin të larta, por rritja u pengua nga mungesa e punonjësve dhe pamundësisë për të shtuar kapacitetet e prodhimit pikërisht për shkak të mungesës së punonjësve. Sektori i mobilieve po vuan nga mungesa e fuqisë punëtore më shumë se disa sektorë të tjerë. Teksa kërkesa për mobilie ka qenë e lartë, edhe për shkak të rritjes së vëllimeve të reja, mobilieritë nuk po gjejnë punonjës të rinj, pasi kërkohet kualifikim.

Burimet zyrtare nga grupi “Balfin” raportuan rritje të qëndrueshme të shitjeve me mbi 20% në të gjitha njësitë në dy muajt para festave.

Kthehet kënaqësia e blerjeve në dyqane, po shitjet online mbeten më të larta

Kufizimet pandemike, sidomos vitin e kaluar dhe vala e dytë e pandemisë (nëntor 2020-shkurt 2021) që përkoi me festat vjet i kontraktoi disi blerjet fizike, teksa u vu re një trend në rritje i shitjeve online.

Ndryshe nga viti i kaluar, frekuentimi fizikisht i dyqaneve në rrjetin e kompanive “Balfin” është rritur, pohuan burimet në kompani. Frekuentimi i dyqaneve është pjesë e rutinës së festave dhe kënaqësisë që të jep ky proces. Por blerjet online u bënë zakon edhe për një pjesë të kompanive dhe qytetarëve që investuan në infrastrukturën e tregtisë online.

Në një anketë të posaçme, INSTAT verifikoi se në vitin 2021, blerjet “online” janë kryer nga 21,4% e popullsisë të grupmoshës 16–74 vjeç”. Ndër blerjet “online”, produktet dhe shërbimet që zënë peshën më të madhe ishin veshje, këpucë dhe aksesorë me 88,9%, të cilat kanë treguar rritje nga viti 2020 me 4,1 pikë përqindje. Edhe në vitin 2021, rritjen më të lartë e kanë shënuar blerjet “online” për “ushqime / pije” nga dyqanet apo ofruesit.

Sa u përket blerjeve nëpërmjet internetit, sipas gjinisë, gjatë vitit 2021, gratë kanë bërë më shumë blerje për: “produkte për kujdes personal (kozmetikë, etj.)”, “produkte për fëmijë apo lodra për ta” si dhe “produkte shtëpiake”. Ndërkohë burrat kanë shfaqur preferenca më shumë në blerjet për: “të mira dhe mallra sportive”, “shërbimet e ushqimit nga restorante / fast-food apo shërbimet katering”, si dhe “ushqime apo pije nga dyqanet/ofruesit e ushqimit”./monitor.al.


Shtuar 4.01.2022 11:38