Ndarja e shtëpive në Bubq, Rama: Nuk do t’ju ndahem demokratëve, kur të hapin bravën do më kujtojnë!

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Bubq për ndarjen e shtëpive të reja për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjatë fjalës së tij Rama tha se qeveria flet me vepra dhe se kjo është vepra për të gjithë ata të cilët e kanë kritikuar apo akuzuar se ka vjedhur fondet.

Shefi i qeverisë përmendi dhe demokratët, për të cilët tha se do ta kujtojnë sa herë që do të hyjnë në shtëpi dhe do të hapin bravën.

“Kam thënë se i nxjerr lekët nga dheu. Këtë e kam thënë nga dhimbja që kam ndjerë në momentin e parë. Ai kontribut në raport me të gjithë volumin është një pjesë modeste. Qeveria është aty për të administruar lekët e taksapaguesve, për të krijuar aleanca dhe unë besoj që ne i kemi bërë të gjitha këto ashtu si duhet. Për ata që thonë janë borxhe, i them se çfarë ndodh në shtëpinë tuaj kur pikon çatia, shkon e merr borxh, e garanton dhe e lan pak nga pak. Si mund të bëhen të gjitha këto pa marrë asnjë borxh? Pas gjitha asaj balte, apo akuzave, jam i vendosur të mos humbas asnjë minutë me ata që shajnë dhe akuzojnë. Ja ku është vepra dhe tani më vjen mirë me demokratët sidomos ata të bravave që kur të hyjnë në shtëpi ta hapin bravën dhe të më kujtojnë mua. Ata do të më shajnë, por do më shajnë rahat ulur në shtëpi. Kushedi sa ka vjedhur nga kjo shtëpi. Do t’i thonë të gjitha këto sharje, por unë do t’ju kujtohem për të mos iu ndarë demokratëve si hije që kur rrëzohesh është aty të jep dorën dhe të thotë çou se jemi bashkë. Ndaj t’i gëzoni shtëpi dhe sa më të sigurta bravat”, tha Rama./albeu.com


Shtuar 29.12.2021 16:59