Ish shefi i Kadastrës në qytetin bregdetar të Vlorës është shprehur se 60 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e tij, janë të vëllait të tij, i cili sipas tij, është investitor në fushën e ndërtimeve.
Por nga ana tjetër, Prokuroria e Vlorës ka dyshime të forta se Klodian Troci, i arrestuar pak ditë më parë për akuzën e shpërdorimit të detyrës, mund të ketë falsifikuar të tjera dosje të pronave në fshatrat Dhërmi dhe Himarë, gjë që do të shtonte “barrën” e akuzave mbi të.
Një sasi e madhe dosjesh janë duke u hetuar aktualisht nga ekspertët e Prokurorisë.
Klodian Troci u prangos pak ditë pasi dha dorëheqjen nga detyra dhe gjatë kontrollit në shtëpi, atij iu gjet dhe sekuestrua një shumë prej 60 mijë eurosh.
Sipas dosjes së Prokurorisë, që nga viti 2019 deri në vitin 2021, Klodian Troçi, Bardhyl Gjika dhe specialisti në drejtorinë e administrimit të tokave, Kreshnik Mino kanë bashkëpunuar duke falsifikuar dokumente arkivorë të pronësisë, si tapi tokash apo përdorimi për banorë të fshatrave Himarë e Dhërmi./albeu.com/