Albin Kurti është kthyer sërish në detyrë si kreu i qeverisë së Kosovës pas një viti. Me 22 mars 2021, në parlamentin e Kosovës u legjitimua qeveria e re me në krye kryeministër Albin Kurtin. Tashmë Kosova mund të qetësohet pas një viti plot me trazira politike.
Mirëqeverisja do ta fillojë qasjen nga brenda-jashtë. Kosovës i nevojitet një qeverisje me parime dhe drejtime të qarta. Nuk është e nevojshme që të shpiken apo të eksperimentohet me këto parime sepse shpikjet dhe eksperimentimet thjesht do zgjasin agoninë e tranzicionit dhe kohën e keqqeverisjes.
Për Kurtin janë më të rëndësishme parimet qeverisëse se vetë qeveria.
Në qeverisjen e re, Kosova do të zbatojë katër parime themelore të qeverisjes Evropiane. I pari është parimi i legjitimitetit për ardhjen në pushtet, një parim i cili lidhet me premtimin e dhënë nga Kurti para qytetarëve të Kosovës ku ai e ka theksuar në shprehjen se “populli na ka votuar, por edhe mund të na heq”.
Zbatimi i parimit të transparencës në luftën kundër keqqeverisjes, kundër nepotizmit në institucione, kundër korrupsionit dhe krimit është gjithashtu një premtim i dhënë nga Kurti para qytetarëve. Zbatimi i këtij parimi ka si qëllim të rikthejë besimin e qytetarëve te shteti, qeveria e tyre si dhe të shtojë mbështetjen dhe shpresën se Kosova mund të bëhet dhe do të bëhet shpejt dhe mirë.
Llogaridhënia është mënyrë qeverisje. Është një parim ku fokusi drejtohet tek pika kyçe si përditësimi qeverisës, pastrimi i përditësuar, skanimi i përditësuar dhe diagnostikimi i përditësuar. Dukshëm ky parim ka qenë i munguar deri tani në Kosovë. Kurti e ka bërë këtë premtim para qytetarëve të Kosovës gjatë fushatës zgjedhore duke u shprehur se rëndom, në Kosovë është dhënë llogari kryesisht gjatë fushatave elektorale por llogaridhënia duhet bërë edhe pse është shumë vonë dhe shumë pak
“Sfidat që e presin këtë qeveri janë të reja dhe të vjetra, por ato janë të shumta. Pandemia mbetet sfida më e madhe” është shprehur Kryeministri i ri i Kosovës duke treguar qartë që edhe pse ka shumë presion mbi çështjen e Serbisë, prioriteti i tij kryesor është pandemia. Mes prioriteteve kryesore të rreshtuara ishin rritja e mirëqenies, drejtësia dhe zhvillimi ekonomik.
Parimi i katërt është gjithë-përfshirja, e cila cilësohet si e kundërta e diskriminimit. Ky parim konsiderohet si një nga sfidat më të mëdha për qeverisjen. Gjatë fushatës në Kosovë, ky parim nuk është theksuar aq sa duhet dhe siç duhet. Por për Kurtin, gjithë-përfshirja është thelbësore në ofrimin e një qeverisje konkrete sepse ky parim jo vetëm që duhet të theksohet në krijimin e agjendës politike dhe në formulimin e politikave, por para së gjithash në zbatimin e tyre.
Si u prit Qeveria Kurti II?
Ardhja e kësaj qeverie në pushtet është mirëpritur nga mbarë opinioni publik shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Preshevë e kudo në diasporë.
Një nga pikat kryesore të qeverive në Kosovë ka qenë gjithnjë çështja e Serbisë dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet. Dialogu me Serbinë sipas parimit të reciprocitetit deri në njohjen e Kosovës si shtet, ngritja e aktakuzës ndaj Serbisë për krime, detyrimi për të kryer shërbimin ushtarak, etj., janë vetëm disa nga premtimet e Kurtit. Për qeverinë Kurti, kjo çështje është shumë e rëndësishme duke e vlerësuar atë si prioritetin numër 6 apo 7.
Pavarësisht se në programin e qeverisë nuk përmendet si një pikë kryesore dhe duket sikur tregon papërgjegjshmëri nga ana e qeverisë së re sepse dialogu paraqet një sfidë të jashtëzakonshme, çështja e Serbisë ishte një nga pikat e rëndësishme në fjalimin e Kurtit në parlament pasi mori detyrën si kryeministër ku dhe ka theksuar që nuk mund të ketë kompromis me Serbinë pa njohjen e pavarësisë nga kjo e fundit. “Asnjë kompromis i mëtejshëm nuk mund dhe nuk do të bëhet. Kjo duhet të deklarohet me zë të lartë dhe të qartë nga të gjithë ne”, tha Kurti. Mesazhi i kryeministrit të ri ishte mjaft i qartë “të gjithë duhet të jenë të bashkuar në luftën kundër Serbisë” dhe ky mesazh ishte shumë i qartë jo vetëm për opozitën, qeverinë e Tiranës, pakicën serbe në Kosovë, por edhe për Beogradin zyrtar. Nëpërmjet kësaj deklarate, ka hedhur poshtë çdo akuzë për papërgjegjshmëri dhe mbështetje në çështjen e Serbisë. Një pengesë për Kosovën ka qenë edhe qeveria e Tiranës, e cila është aktore në këtë çështje por nuk ka mbajtur një rol aktiv. Në çështjet shqiptare në Ballkan dhe raportet me Serbinë, qeveria e Tiranës ka krijuar situata jo favorizuese për Kosovën, por në anën tjetër këto situata kanë qenë shumë favorizuese për Serbinë.
Tashmë, Kosova ka një grupim tjetër politik, të konfirmuar nga dy palë zgjedhje. Kjo i jep shumë forcë dhe legjitimitet Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në përballje me Serbinë.
Një element tjetër janë zgjedhjet në SHBA, president i ri Biden, një njeri që e njeh mirë Ballkanin, një ndër arkitektët e politikës amerikane në Ballkan ka një qasje në favor të asaj që është perspektiva shqiptare në Ballkan. Do të ishte e gabuar që Kurti mos të shfrytëzonte faktin që SHBA ka tashmë një administratë që ka njohuri dhe përvojë me Kosovën, ndryshe nga ajo paraardhëse. Është një moment që duhet shfrytëzuar nga Kosova.
Sipas mediave gjermane, Kurti nuk do të jetë një partner komod. Por, ai është dikush që gëzon mbështetje të madhe në popullsinë e re të Kosovës.
Mendoj se kjo në njëfarë mënyre është e vërtetë pasi Albin Kurti, që prej fillimit ka informuar Brukselin dhe Beogradin, se do të ketë ndryshime në pozicionimin e Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së. BE-ja ka këmbëngulur që normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është çështje kyçe, dhe nuk duhet ndërprerë por sikurse e përmendëm edhe më parë që për Kurtin nuk ka ndërmjetësime pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kështu BE-ja , SHBA-ja, Kosova dhe Serbia kanë ngelur në një udhëkryq, që me shumë mundësi me pak shtysë nga jashtë do kalohet duke mos shkuar askund me këto bisedime.
nga Armela Toska