Me rastin e 17-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, ish-presidentja Vjosa Osmani ka ripërsëritur se ky institucion duhet të ruajë pavarësinë e tij nga çdo ndikim politik apo interes i pushtetit dhe të veprojë si mbrojtëse e pavarur e Kushtetutës.
Në një postim në Facebook, Osmani ka nënvizuar se një demokraci legjitime mbështetet mbi një drejtësi të pavarur dhe mbi respektimin e rendit kushtetues.
Të lidhura
None found
“Gjykata Kushtetuese nuk duhet të jetë as zgjatim i politikës, as peng i interesave të pushtetit, por gardiane e pavarur e Kushtetutës”, ka shkruar ajo.
Ish-presidentja ka shtuar se drejtësia duhet t’u shërbejë vetëm Kushtetutës, shtetit dhe interesit të qytetarëve, pa u bërë vegël e ndikimeve politike.
Ajo ka deklaruar gjithashtu: “Legjitimiteti i demokracisë qëndron te drejtësia që nuk i nënshtrohet politikës, por i shërben vetëm Kushtetutës, shtetit dhe interesit të qytetarëve”.
Gjykata Kushtetuese është institucioni përgjegjës për garantimin e respektimit të Kushtetutës dhe për shqyrtimin e çështjeve kushtetuese në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta e Republikës së Kosovës.






