Categories: Uncategorized

Gjekmarkaj: Auroni u bën dëm Camajt e Koliqit sa ç’i leh qeni hënës

Nga AGRON GJEKMARKAJ

Prej dy ditësh, shumë miq të mi, disa të habitun e të tjerë të çmeritun, me shkruajnë: “A ke ndërmend me reague për një shkrim me do arna në formë dokumentesh të Auron Tares, me synim diskreditimin e Martin Camajt e Ernest Koliqit në vazhdën e Agjit Propit, të cilin gabimisht menduam se e kishim lënë pas. I jam përgjigj gjithsecilit, duke i thënë: “Çfarë bën ti nëse tu kalue rrugës gomari të bie me shkelm?”. Përgjigjet ishin nga ma të ndryshmet, por shumica konverguan në përfundimin se gomarit s’ke çfarë i bën, thjesht njeriu ikën në punë të vet dhe atë e len tu pallë sa ti punojnë mideja. Vetëm pak u shfaqën të gatshëm me ia kthy veshgjatit me të njëjtën mënyrë sikur ta kishin zanë ndër lakra.

Të lidhura

None found

Në fakt, në këtë rast, i shuemi Auron as me shkelm nuk i ka ra kujt. Thjesht ka dalë të dera e shpisë së vet e ka pallë e gërvallë sa i ka dhanë Zoti shnet. Ngaqë është i gjatë e ka fixhud, zëri i ka shku lart.

Shpesh e ka bërë këtë punë në forma të ndryshme, herë tu pozu me kallashnikov në dorë, herë tjetër tu vesh xhybe e tu vu pafka ndër kapota, kudra nemcjet e çizme të fabrikës së plastmasit, herë tu tregu barsoleta në televizor.

Kurrkujt s’i ka bërë keq me këto çartallime. As kësaj here, askujt. Ndonjë moment, kur ka dashur që myhyrin e sulltan Selimit me e vu si emblemë të kalasë së Lezhës, qytetarët e nxehun gazep desh ia futën ndër brenavekë e iku me vrap tu e ndalë frymën në Patok, nën hije pishash.

U them njerëzve, pash hatrin e Zotit, pushoni, mos u merakosni se është vapë e zheg, ndaj nuk ban me marrë seriozisht hokat e Auronit mbi historinë, me të cilën ai ka aq lidhje sa ç’ka nji peshk me nji shpend. Po, more njerëz të mirë e të bekuam, Ernest Koliqi asht Ernest Koliqi, Martin Camaj asht Martin Camaj, të cilëve Auroni mundet me u ba dam aq sa qentë që i lehin hënës.

Kurrfarë problemit nuk janë hulumtimet e Tares, botimet, si me shpifje, si pa to, nuk çojnë asnji peshë se shqiptarët i kanë tejet të forta shqisat me dallue madhështinë me kotësinë, njerëzit që i kanë dhanë asaj gjithçka me ata teveqelë pazarit, që për nder kanë barkun e për tru të poshtmen. Uf, Zoti u faltë, a mërzitet njeri për kaq?! A duhet me u mundue me dhanë përgjigje serioze tue citue dokumente, tu ba përgjithësime e krahasime. Avaz i vjetër në këtë vend. Sportista me gjys mushkniet e historianë pa dije ka boll.

Pas rënies së komunizmit iu turrën Skënderbeut, hajt ta ndërrojmë me sulltan Bajazitin thanë. Disa i matën gjatësinë e e qitën shkurtabiq, do tjerë e banë haram se na prishi me osmanët. Po Skënderbeu aty është e aty do mbetet se thjesht fare, shqiptarët e dinë që gjithçka lidhet me të, thurja e identitetit dhe e shtetit, ndërsa zhbërja me sulltanët e pak kopilët të tyret që kanë mbete gan në këto anë.

Po kaq me Ismail Kadarenë nuk met dështak me pagesë e gratis me të thanë mendja se paskësh qenë faji i këtij të fundit që këtyne s’u ka qeshë fati me gratë. Tarusha e taravola i janë germushë boll edhe atij, madje thanë t’i vëmë pullë të kuqe ndër libra, po pulla mbet e kuqe vetëm në faqen e tyne të zezë, teksa shkrimtari rrit ma tej famën e vet në botë.

Me Nënë Terezën kanë veprue edhe ma dahà, tu e gjujtë në origjinë, në fe, në kontribut, në Kosovë, Maqedoni e në Shqipëri, po kurrkush s’i dëgjoi, u ba shënjtnesha shqiptare e gjithë botës e çdo delegacion shqiptar gukson me hir e pahir ndër kancelari emrin e saj për me u mburrë pak e me fitu begenisje.

Për qyfyret që Auroni shkruen buzë akshamit nuk duhet me ra në maraz, por kur ai bahet zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, deputet e drejtor i madh po, se i bie me këto mend që shkruan, ashtu i kryp punët e Shqipnisë.

Gjithsa ndodh e që do të ndodhë ende me Fishtën, Harapin, Pllumin e mbi 107 klerikë të pushkatuem, të martirizuem, një jetë burgjeve nga përbaltës që mecenatin e kanë në Qendër Albanologjike apo Akademinë e quejtun të Shkencave nga doracakë e talebanë me pagesë, e ka nji shpjegim njerëzor. Kësisoj, ata duan me justifiku të gjitha shërbimet, tjetërsimet, krimet që familjarët e tyre kanë bërë në epokat e shkuara dhe në regjimin komunist. Po prapë, as për këtë nuk ia vlen me ra në pezëm.

Të gjithë ata që mbajnë të lidhur këtë vend me brinjë të dala e lëkurë të rrjepur nga bijtë e vet të këqij me oksidentin dhe Europën janë sulmuar egërsisht. E bëri Enver Hoxha dhe mendoi se do ta dominonte historinë dhe u varros me madhështi e pompozitet, por e nxorën nga varri në një arkë duke marrë nga pas mallkimet e një populli. Para Enverit këta janë biçakë a zumparë pa vlerë. Ndaj nuk duhet turr, po buzëqeshje, durim e mëshirë.

Historia na ka dhënë leksione boll. Prej saj kemi nxënë që të gjithë njerëzit e mëdhenj të kësaj toke janë sha e përbaltë prej tradhtarëve që akuzojnë për tradhti, prej mohuesve që i vret kompleksi, prej xhahilëve që shëlbimin e gjejnë te dhuna, prej gjakatarëve që akuzojnë ata që zgjodhën jetën, prej dhunuesve që duan të pallojnë lirinë e të tjerëve për të gjykuar, prej teveqelëve të papunë e gajle që duan me saldu emrin e tyre mbi ndonjë parmak, t’u pre emrat e të mëdhenjve me sharrën e poshtërsisë. Por gjithmonë, gjërat, sado vonë, kanë shkuar në cakun që u takon. Teksa studentët brez pas brezi do magjepsen nga Koliqi e Camaj, nga Auroni do na mbesë ndonjë qeleshe e bleme në pazar dhe nji tabare austriet e nuk është pak.

E bukura zbut edhe Bishën e ul edhe pehashin e marrisë ndaj poezinë “Vendit tem” të Martin Camajt, me shumë dashamirësi po ia lëmë Auron Tares për engledisje.

Kur të vdes, le të bahem bar
Në malet e mia në pranverë
Në vjeshtë do të bahem fare.
Kur të vdes, le të bahem ujë
E fryma eme avull
Në fush’ do të bie shi.
Kur të vdes, le të bahem gur,
Në skajin e vendit tim
Të qindroj kufi./marrë nga Panorama http://www.panorama.com.al/analiza-gjekmarkaj-auroni-u-ben-dem-camajt-e-koliqit-sa-ci-leh-qeni-henes-sulmet-si-ato-ndaj-skenderbeut-nene-terezes-dhe-kadarese/?fbclid=IwAR3kTAIecjBa-T1_u_pZ6KkQ9qZ4yqGxsJDqNRg0Y-vqQ4yL-cgHeAG1fxM

të fundit

Horoskopi 21 Maj 2026, çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

Dashi Jeta juaj ne çift do jete ne qendër te vëmendjes sot. Do jeni te vetëdijshëm se partneri juaj është…

4 hours ago

Trump telefon Erdogan, biseda me presidentin turk fokusohet te Siria, Libani dhe armëpushimi në Lindjen e Mesme

Recep Tayyip Erdoğan dhe Donald Trump kanë zhvilluar një bisedë telefonike ku kanë diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe…

5 hours ago

Lufta në Lindjen e Mesme/ Irani: SHBA dëshiron të fillojë përsëri luftën, ne nuk do t’i dorëzohemi frikësimit

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bayer Galibaaf, dhe negociatori kryesor i Republikës Islamike ka akuzuar ditën e sotme sot Shtetet…

5 hours ago

Nuk paraqitej rregullisht në punë/ Hita shkarkon nga detyra të besuarin e Ilir Prodës, Ulian Shpataraku

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka përjashtuar nga detyra Ulian Shpatarakun. Shpataraku cilësohej si një nga…

6 hours ago

Pas deklaratave në mbrojtje të studentëve, Ministria e Jashtme maqedonase thërret ambasadorin e Shqipërisë në Shkup

Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, ka konfirmuar se sot ka thirrur ambasadorin e Shqipërisë në Shkup,…

6 hours ago

Shkodranja Donike Gocaj ra në pusetë dhe ndërroi jetë, Albërije Hadërgjonaj zemërthyer për ikjen e mikes së saj: Më këpute shpirtin o shpirtbardhë

Një ngjarje tragjike ka tronditur së fundmi komunitetin shqiptar në New York pasi u nda jeta në mënyrë tragjike 56-vjeçarja…

6 hours ago