Categories: tech

Para daljes në bursë, Anthropic paralajmëron për rreziqe katastrofike të IA-së për njerëzimin

Anthropic ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të sjellë rreziqe katastrofike ose ekzistenciale për njerëzimin. Paralajmërimi vjen ndërsa kompania ka paraqitur hollësi për daljen e planifikuar në bursë në SHBA, e cila pritet të jetë një nga ofertat më të mëdha publike të aksioneve.

Vlerësimi i Anthropic pritet të jetë më i lartë se ai i SpaceX. Kjo e fundit arriti gjatë verës një vlerësim fillestar prej rreth 1.8 trilionë dollarësh, duke u bërë kompania me ofertën më të madhe publike të aksioneve në histori.

Të lidhura

None found

Ende nuk janë bërë publikë numri i aksioneve që Anthropic synon të ofrojë, intervali i çmimit apo data kur ato do të dalin në treg.

Në dokumentet e depozituara të hënën, zhvilluesja e chatbot-it Claude raportoi humbje prej më shumë se 80.7 miliardë dollarësh për gjysmën e parë të vitit. Për të njëjtën periudhë, të ardhurat arritën në 16.3 miliardë dollarë, ndërsa kompania kishte 112.4 miliardë dollarë në para dhe ekuivalentë të tyre.

Me daljen në bursë, Anthropic do të bëhet kompania e parë e mirëfilltë e inteligjencës artificiale që tregtohet publikisht, çka e kthen atë në një provë për të ardhmen e teknologjisë. Aksionet do të listohen në Nasdaq nën simbolin ANT.

Në dokumentacionin e paraqitur përpara ofertës, kompania vëren se politikëbërës, rregullatorë, studiues dhe njerëz brenda Anthropic kanë shprehur shqetësim për rreziqet e mëdha që sistemet e IA-së mund të krijojnë për njerëzimin.

Sipas Anthropic, sistemet e përparuara të IA-së mund të kthehen në rrezik katastrofik ose ekzistencial në mungesë të masave të duhura mbrojtëse, mbikëqyrjes dhe sigurisë gjatë zhvillimit, përdorimit dhe funksionimit të tyre. Rreziku rritet veçanërisht nëse ato keqpërdoren, kopjohen, përdoren si armë ose lejohen të veprojnë me autonomi të lartë.

Kompania u themelua vetëm pesë vjet më parë nga drejtori ekzekutiv Dario Amodei, motra e tij Daniela Amodei dhe pesë bashkëthemelues të tjerë. Synimin për t’u listuar në bursë Anthropic e njoftoi në qershor.

Pak pas këtij njoftimi, rivali kryesor OpenAI bëri të ditur se edhe ai synon të bëhet kompani publike. Një person në dijeni të planeve të OpenAI tha se dalja e saj në bursë pritet në fillim të vitit të ardhshëm.

Pasi të dyja kompanitë shpallën këto synime, pati një sërë incidentesh të sigurisë kibernetike dhe shkeljesh të tjera teknologjike ku u përfshinë agjentët e tyre të IA-së. Këta agjentë janë krijuar për të kryer veprime deri në njëfarë mase në mënyrë autonome.

Ndërkohë, punonjës dhe ish-punonjës të të dyja kompanive ngritën publikisht shqetësime të reja se IA-ja po përparon pa garanci të mjaftueshme për t’i mbrojtur njerëzit nga dëmet që këto mjete mund të shkaktojnë në të ardhmen.

Po të hënën, kur Anthropic paraqiti planet e bursës, mbajtësit e të drejtave të muzikës së Elvis Presley ngritën padi kundër kompanisë. Ata e akuzojnë se ka përdorur qindra këngë të yllit të rock-and-roll-it për trajnimin e Claude.

Guxim dhe maturi në investime

Në dokumentet e reja, Anthropic ripohoi angazhimin për ta zhvilluar inteligjencën artificiale në dobi të njerëzve, duke u tërhequr njëkohësisht vëmendjen investitorëve për rreziqet e teknologjisë.

Pasqyrat financiare tregojnë se humbjet e gjysmës së parë të vitit i tejkaluan të ardhurat. Kompania, megjithatë, tha se do të bëjë shpesh investime afatgjata, përmasat e të cilave mund t’i bëjnë të duken fillimisht të papërgjegjshme.

Anthropic deklaroi se synon të veprojë me guxim, por edhe me maturi, dhe ta fitojë besimin përmes një historiku investimesh të suksesshme.

Kompania pranoi gjithashtu se suksesi i saj mbështetet kryesisht te aftësia për të krijuar modelet më të avancuara të IA-së. Nëse nuk ia del ta bëjë këtë, biznesi i saj mund të ndikohet negativisht.

Rreth 90 faqe të dokumentacionit i kushtohen faktorëve të mundshëm të rrezikut. Në to renditen pengesa që mund të vështirësojnë zhvillimin e inteligjencës artificiale në mënyrë të sigurt dhe konkurruese.

Mes tyre janë mbështetja te një numër i vogël ofruesish të shërbimeve kompjuterike në cloud, varësia nga prodhuesit tajvanezë të çipave që përballen me kërkesë të lartë, si dhe përqendrimi i qendrave të të dhënave në SHBA.

Dokumentet përmendin edhe mundësinë e ndërhyrjeve rregullatore për shkak të dëmeve të lidhura me modelet e IA-së, përfshirë çështje që kanë të bëjnë me vetëvrasjen dhe sigurinë e fëmijëve. Anthropic thotë se nuk është ende e qartë se ku dhe në cilat rrethana mund të mbajë përgjegjësi ligjore për veprimet e sistemeve të saj.

Kompanitë e teknologjisë kanë shpenzuar shuma të mëdha për infrastrukturën dhe mjetet e kushtueshme të IA-së, ndër to qendrat e të dhënave dhe modelet mbi të cilat mbështetet teknologjia. Vetëm gjatë vitit të fundit, këto investime kanë kapërcyer 1 trilion dollarë.

Si e shohin investitorët ofertën

Matt Orton, strategu kryesor i tregjeve te kompania e menaxhimit të investimeve Raymond James Investment, tha se investitorët prisnin të shihnin në financat e Anthropic si rritje të shpejtë, ashtu edhe humbje të mëdha. Prandaj, sipas tij, dokumentet e publikuara të hënën nuk ishin të papritura.

Për BBC-në, Orton u shpreh se hollësitë e bëra publike do t’i ndihmojnë tregjet të kuptojnë më mirë kompaninë, veçanërisht burimin e rritjes së të ardhurave të saj.

Peter Andersen, themeluesi i Andersen Capital Management, i tha Reuters se dalja e planifikuar e Anthropic në bursë shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Ai vlerësoi se pritja që investitorët do t’i bëjnë ofertës së Anthropic do të tregojë nëse ata janë të gatshëm të vazhdojnë të financojnë me shuma të mëdha zhvillimin e IA-së.

të fundit

Leonora Jakupi me një mesazh “thumbues”: Mosmirënjohja është fukarallëku më i madh i karakterit

Këngëtarja e njohur, Leonora Jakupi, ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe ndjekësve në rrjetet sociale me një postim të fundit.…

5 minutes ago

Toni Gogu konfirmon takimin me Veliajn në burgun e Fierit: Shkova të dëgjoja shqetësimet e tij, jo t’i përcillja mesazhe

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas raportimeve për takimin e tij me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në…

10 minutes ago

Agron Kolaj merr çmimin “Ylli i Javës

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar me ndarjen e çmimit…

12 minutes ago

Dario Daka pas barazimit me Dinamon: Mund të fitonim po të jepnim më shumë

Dario DakaDario Daka shënoi golin me vlerën e një pike për Vorën që barazoi 2-2 me Dinamon, takim i vlefshëm…

18 minutes ago

Vora barazoi në fund, Bellai: Përgëzoj djemtë, morëm pikët tona

Arjan BellaiVora iu fal një goli në limite për të marrë një pikë në barazimin 2-2 me Dinamon, ndeshje e…

24 minutes ago

Trent Alexander-Arnold drejt Liverpoolit? Fabrizio Romano sqaron të ardhmen e mbrojtësit

Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, ka hedhur poshtë spekulimet për një rikthim të mundshëm të Trent Alexander-Arnold te Liverpooli.Pavarësisht minutave…

24 minutes ago