Anthropic ka bërë të ditur planet për një ofertë publike aksionesh në SHBA, ndërsa në dokumentet e paraqitura për këtë proces ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të sjellë “rreziqe katastrofike ose ekzistenciale për njerëzimin”.
Kompania, e cila krijoi chatbot-in Claude, ende nuk ka përcaktuar numrin e aksioneve që do të nxjerrë në shitje, çmimin e tyre apo datën e saktë të listimit në bursë.
None found
Vlerësimi i Anthropic pritet të kalojë atë të SpaceX, e cila gjatë verës u vlerësua fillimisht me rreth 1.8 trilionë dollarë dhe u bë kompania me ofertën publike më të madhe të aksioneve në histori.
Nëse realizohet, Anthropic do të jetë kompania e parë e mirëfilltë e inteligjencës artificiale që listohet në bursë. Aksionet do të tregtohen në Nasdaq me simbolin ANT, ndërsa performanca e kompanisë do të shihet si një provë për të ardhmen e kësaj teknologjie.
Në dokumentet e dorëzuara të hënën, kompania raportoi humbje prej më shumë se 80.7 miliardë dollarësh gjatë gjysmës së parë të vitit. Në të njëjtën periudhë, Anthropic deklaroi se kishte 112.4 miliardë dollarë në para dhe ekuivalentë të tyre, ndërsa të ardhurat arritën në 16.3 miliardë dollarë.
Anthropic paralajmëroi se sistemet e avancuara të IA-së mund të paraqesin “rreziqe katastrofike ose ekzistenciale për njerëzimin” nëse zhvillohen, përdoren dhe menaxhohen pa mbrojtje, mbikëqyrje dhe masa të përshtatshme sigurie.
Sipas kompanisë, kërcënimet mund të bëhen veçanërisht serioze nëse sistemet keqpërdoren, kopjohen, shndërrohen në armë ose lejohen të veprojnë në mënyrë shumë autonome.
Shqetësime të tilla janë ngritur nga politikëbërës, rregullatorë, studiues dhe punonjës të kompanisë. Anthropic pranoi gjithashtu se nuk është ende e qartë se ku dhe në çfarë rrethanash mund të mbahet ligjërisht përgjegjëse për veprimet e kryera nga sistemet e saj.
Kompania u themelua pesë vjet më parë nga drejtori ekzekutiv Dario Amodei, motra e tij Daniela Amodei dhe pesë bashkëthemelues të tjerë. Në qershor, ajo njoftoi synimin për t’u listuar në bursë.
Pas këtij njoftimi, edhe konkurrenti kryesor OpenAI deklaroi se po shqyrtonte shndërrimin në kompani publike. Një person i njohur me planet e OpenAI tha se listimi i saj në bursë pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.
Që prej vendimit të dy kompanive për të ndjekur këtë rrugë, janë shënuar një sërë incidentesh të sigurisë kibernetike dhe shkeljesh të tjera teknologjike që përfshinin agjentët e tyre të IA-së, të projektuar për të kryer veprime pjesërisht në mënyrë autonome.
Edhe punonjës aktualë dhe ish-punonjës të Anthropic dhe OpenAI kanë dalë publikisht me paralajmërime se zhvillimi i teknologjisë po ecën pa garanci të mjaftueshme për mbrojtjen e njerëzimit nga dëmet e mundshme në të ardhmen.
Të hënën, në të njëjtën kohë kur Anthropic publikoi planet për daljen në bursë, pronarët e të drejtave të muzikës së Elvis Presley ngritën një padi ndaj kompanisë. Ata e akuzojnë Anthropic se ka përdorur qindra këngë të yllit të rock-and-roll-it për trajnimin e chatbot-it Claude.
Anthropic përsëriti në dokumentet e reja angazhimin për ta zhvilluar IA-në në mënyrë që t’u sjellë përfitime njerëzve, por u kërkoi investitorëve të marrin parasysh edhe rreziqet e lidhura me këtë teknologji.
Kompania sqaroi se investimet afatgjata mund të jenë aq të mëdha sa, në pamje të parë, të duken të papërgjegjshme për shkak të përmasave të tyre. “Në përgjithësi, do të synojmë të jemi të guximshëm, por të arsyeshëm, dhe të fitojmë besimin përmes një historiku investimesh të suksesshme”, deklaroi gjiganti i teknologjisë.
Anthropic theksoi se rezultatet e saj varen kryesisht nga aftësia për të krijuar modelet më të avancuara të IA-së. “Çdo dështim për ta arritur këtë mund të ndikojë negativisht në biznesin tonë”, thuhet në dokumentet e kompanisë.
Në rreth 90 faqe materialesh, Anthropic renditi faktorët që mund të vështirësojnë zhvillimin e sigurt dhe konkurrues të inteligjencës artificiale.
Ndër rreziqet e përmendura është varësia nga një numër i kufizuar ofruesish të shërbimeve kompjuterike në cloud, nga prodhuesit tajvanezë të çipave që përballen me kërkesë të lartë, si dhe nga përqendrimi i qendrave të të dhënave në SHBA.
Dokumentet paralajmërojnë edhe për ndërhyrje të mundshme rregullatore për shkak të dëmeve që mund të lidhen me modelet e IA-së, përfshirë çështjet e vetëvrasjes dhe sigurisë së fëmijëve.
Kompanitë e teknologjisë kanë derdhur shuma të mëdha në infrastrukturën e nevojshme për inteligjencën artificiale, përfshirë qendrat e të dhënave dhe modelet bazë të kësaj teknologjie. Vetëm gjatë vitit të fundit, investimet në këtë sektor kanë kaluar 1 trilion dollarë.
Matt Orton, strategu kryesor i tregjeve në kompaninë e menaxhimit të investimeve Raymond James Investment, tha se investitorët prisnin të shihnin rritje të shpejtë të Anthropic, por edhe humbje të mëdha. Për këtë arsye, ai vlerësoi se të dhënat e publikuara të hënën nuk ishin befasuese.
“Mendoj se publikimi i detajeve në këto dokumente do t’i japë tregut një pamje më të qartë, pasi duhet të dimë se nga vjen rritja e të ardhurave të kompanisë”, tha Orton për BBC-në.
Peter Andersen, themelues i Andersen Capital Management, e përshkroi për Reuters listimin e planifikuar të Anthropic si “një moment të rëndësishëm në zhvillimin e inteligjencës artificiale”.
Ai tha se reagimi i tregut ndaj daljes së kompanisë në bursë do të tregojë se sa të gatshëm janë investitorët të vazhdojnë të vendosin shuma të mëdha në zhvillimin e IA-së. /BBC/
Ragmi Mustafi nga Këshilli Kombëtar Shqiptar ka deklaruar se rezultati i mbrëmshëm pas zgjedhjeve në Serbi është një arritje e…
Aktori amerikan Walter Koenig, i cili u bë i famshëm në mbarë botën për interpretimin e Pavel Chekov në sagën…
Një protestues ka kritikuar kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si, sipas tij, po sillet ndaj qytetarëve që kanë dalë…
Mbetje njerëzore që i përkasin një burri, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar, janë zbuluar në disa çanta…
Në seancën e sotme të Këshillit Ekonomik dhe Social (KES), partnerët socialë diskutuan disa çështje me rëndësi për punëtorët, punëdhënësit…
Natyra Kuçi, shoqe e Arlinda Zekajt, ka thënë se ajo nuk kishte hequr dorë nga shpresa se do të mund…