Categories: tech

Inteligjenca artificiale në institucionet e Ballkanit Perëndimor, përdorim në rritje por pa rregulla të qarta

“Unë jam asistenti juaj virtual. Mirë se vini!” – ky është njoftimi që qytetarët në Ballkanin Perëndimor po e hasin gjithnjë e më shpesh gjatë hyrjes në faqet zyrtare të institucioneve apo të bankave.

Të lidhura

None found

Në shumë raste, në vend të komunikimit me një punonjës, përgjigjet për pyetjet e tyre jepen nga chatbotë ose asistentë virtualë që funksionojnë mbi bazën e inteligjencës artificiale (IA).

Megjithatë, përdorimi i këtyre teknologjive vazhdon të mbetet pa një rregullim të qartë ligjor.

Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia gjenden në etapa të ndryshme sa i përket zhvillimit dhe aplikimit të inteligjencës artificiale, sidomos në administratën publike.

Përgjigjet që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga institucionet shtetërore tregojnë se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë rregulla të përcaktuara qartë për përdorimin nga nëpunësit publikë të mjeteve të inteligjencës artificiale, si ChatGPT, Copilot apo Gemini, gjatë ushtrimit të detyrës.

Po kështu, shumica e institucioneve nuk disponojnë evidencë për masën dhe mënyrën se si përdoren këto mjete.

Në disa raste mungojnë edhe mekanizmat teknikë që do të ndalonin futjen e dokumenteve zyrtare apo të dhënave personale të qytetarëve në platformat e inteligjencës artificiale.

Disa institucione e pranojnë se stafi i tyre i përdor këto mjete për hartim dokumentesh, përkthim tekstesh, korrigjim shkrimesh, detyra administrative, analizë të sasive të mëdha të të dhënave ose kërkim informacioni.

Institucione të tjera, ndërkaq, thonë se një praktikë e tillë nuk zbatohet.

Pavarësisht kësaj, pothuajse të gjitha bien dakord se mungon një kuadër i posaçëm ligjor për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe se shqetësimet kryesore lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e informacionit.

Sipas tyre, në rast keqpërdorimi të dokumenteve ose të të dhënave, përgjegjësinë e mban vetë personi që ka përdorur mjetet e inteligjencës artificiale.

“Përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndalohet. Është njësoj sikur dikush të më ndalonte të përdor një nga gjuhët që di. Por, ai mund të rregullohet me ligj”, thotë për Radion Evropa e Lirë eksperti gjyqësor i teknologjisë së informacionit në Bosnje dhe Hercegovinë, Enes Çengiq.

Ai tërheq vëmendjen se përdoruesit duhet të tregojnë kujdes për informacionin që hedhin në platformat e inteligjencës artificiale, pasi, sipas tij, të dhënat e futura në këto sisteme mund të ruhen në serverë dhe, në rrethana të caktuara, të rikuperohen edhe më vonë.

Ndërkohë që vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë nisur tashmë zbatimin e Aktit për Inteligjencën Artificiale (AI Act), shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të jenë në fazën e përgatitjes së ligjeve, strategjive dhe udhëzimeve për përdorimin e inteligjencës artificiale, si edhe të përafrimit të tyre me rregullat e BE-së.

Në Bosnje dhe Hercegovinë ende nuk ekziston një ligj që ta rregullojë përdorimin e inteligjencës artificiale, veçanërisht në institucionet shtetërore.

Madje, një ligj i tillë nuk është përgatitur as në version draft.

Nga përgjigjet që Radio Evropa e Lirë ka siguruar nga disa institucione shtetërore del se disa prej tyre kanë konstatuar se punonjësit ose nuk përdorin fare mjete të inteligjencës artificiale, ose i përdorin ato në mënyrë të kufizuar.

Kur përdoren, ato shërbejnë kryesisht për përgatitje tekstesh, përkthime, korrektim gjuhësor dhe detyra administrative.

Të gjitha institucionet që kanë kthyer përgjigje e pranojnë se Bosnje dhe Hercegovina nuk ka një kornizë të përbashkët ligjore për përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale në administratën publike.

Ato kërkojnë miratimin e rregullave të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian.

Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës, për shembull, shprehet se punonjësit mund të përdorin vetëm ato mjete të inteligjencës artificiale që janë miratuar nga shërbimi i teknologjisë informative i institucionit.

Këto mjete lejohen për përpunim tekstesh, përkthime ose gjenerim idesh.

Punonjësve të Prokurorisë u ndalohet të fusin në sisteme publike të inteligjencës artificiale të dhëna personale të qytetarëve, të dhëna nga lëndët penale, sekrete zyrtare, drafte të akteve të papublikuara ose informacione të tjera konfidenciale.

Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës bën të ditur se, për rreth 50 ministri dhe agjenci, aktualisht jep rekomandime profesionale për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të mjeteve të inteligjencës artificiale, veçanërisht për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë kibernetike.

Nga ky sekretariat nënvizohet se përgjegjëse për hartimin e kornizës së ardhshme ligjore është Ministria e Komunikimeve dhe Transportit e Bosnje dhe Hercegovinës.

Kjo ministri i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se është duke punuar në një plan për harmonizimin e rregullave me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Bosnje dhe Hercegovinës thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale në përpunimin e të dhënave nuk rregullohet në mënyrë të veçantë nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Sipas kësaj agjencie, rregullimi i përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale në administratën publike nuk hyn në kompetencat e saj.

Megjithatë, ajo thekson se institucionet që përpunojnë të dhëna personale duhet të zbatojnë masa të përshtatshme teknike dhe organizative për mbrojtjen e tyre. Gjithashtu, ato duhet të vlerësojnë rreziqet e çdo përpunimi të të dhënave, përfshirë edhe rastet kur përdoren mjete të inteligjencës artificiale.

Shumica e kompetencave në Bosnje dhe Hercegovinë janë në nivelin e dy entiteteve, administrata e të cilave përfshin rreth 28 mijë zyrtarë.

Megjithatë, as Federata e Bosnje dhe Hercegovinës dhe as Republika Sërpska nuk kanë rregulla të posaçme që do të rregullonin në hollësi përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorin publik.

Agjencia për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit e Republikës Sërpska konfirmon për Radion Evropa e Lirë se disa institucione tashmë përdorin mjete digjitale me elemente të inteligjencës artificiale për analizimin e të dhënave dhe automatizimin e proceseve administrative.

Qeveria e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë temë.

Ndërsa disa institucione, si Agjencia e Prokurimit Publik e Bosnje dhe Hercegovinës, janë duke zhvilluar chatbotë, sektori privat – përfshirë bankat dhe zinxhirët e mëdhenj tregtarë – tashmë i përdor këto mjete.

Zakonisht, ato zhvillohen në bashkëpunim me platforma komunikimi si Viber ose WhatsApp.

Edhe Kosova nuk ka një ligj të posaçëm që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike.

Strategjia për e-qeverisje 2023-2027 parasheh përfshirjen e zgjidhjeve të avancuara digjitale – mes tyre mjetet e inteligjencës artificiale dhe analiza e sasive të mëdha të të dhënave – si pjesë e procesit të digjitalizimit të shërbimeve publike.

Në praktikë, tashmë po testohen disa zgjidhje të tilla si platforma e-Kosova 2.0 dhe projektet në Administratën Tatimore të Kosovës, të cilat synojnë automatizimin e proceseve dhe ofrimin e shërbimeve më të shpejta dhe më të personalizuara për qytetarët.

Prokuroria e Shtetit të Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se punonjësit e saj nuk përdorin asnjë mjet të inteligjencës artificiale në punën hetimore, administrative apo mbështetëse.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës thonë se janë duke punuar për harmonizimin e rregullave me standardet e Bashkimit Evropian.

Gjatë vitit 2026 ka nisur edhe një vlerësim i gatishmërisë së Kosovës për t’u harmonizuar me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale (AI Act) dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).

Krenare Sogojeva Dermaku, komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk përmban rregulla të veçanta për situatat kur të dhënat personale mund të ekspozohen ose keqpërdoren përmes mjeteve të inteligjencës artificiale.

Sipas saj, çdo keqpërdorim i të dhënave trajtohet sipas rregullave të përgjithshme të ligjit, pavarësisht nëse përfshihet ose jo inteligjenca artificiale.

Ajo rikujton se Kosova është anëtare e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, ku qytetarët dhe institucionet mund të drejtohen në rast se të dhënat e tyre keqpërdoren.

Ministria e Digjitalizimit e Kosovës, Policia e Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk iu përgjigjën kërkesave të Radios Evropa e Lirë për koment.

Krahasuar me Kosovën dhe Bosnje dhe Hercegovinën, Mali i Zi dhe Serbia kanë ecur më tej në përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike.

Mali i Zi ende nuk e ka harmonizuar plotësisht legjislacionin e tij me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale, por ky proces është pjesë e detyrimeve që vendi ka në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se po përgatit një kornizë të re ligjore për të rregulluar përdorimin e inteligjencës artificiale dhe për të parandaluar keqpërdorimin e saj.

Ndërkohë, Qeveria ka nisur hartimin e Strategjisë për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale 2026-2030.

Ministria e Administratës Publike i thotë Radios Evropa e Lirë se Mali i Zi, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po përgatit një plan për zhvillimin e inteligjencës artificiale si pjesë e transformimit digjital të sektorit publik.

Në fushën e sigurisë kibernetike, Mali i Zi ka miratuar një ligj të ri të harmonizuar me Direktivën NIS2 të Bashkimit Evropian, e cila përcakton standarde të detyrueshme për mbrojtjen e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Po ashtu, janë krijuar qendra operative për monitorimin e infrastrukturës digjitale.

Nga ana tjetër, Serbia ka nisur ta përdorë inteligjencën artificiale në disa shërbime publike, edhe pse ende nuk ka një ligj që rregullon zhvillimin dhe përdorimin e saj.

Asistentë virtualë, ose chatbotë, janë të disponueshëm në faqet e internetit të Administratës Tatimore, Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve dhe portalit e-Uprava, ku u përgjigjen pyetjeve të qytetarëve dhe i ndihmojnë ata të përdorin shërbimet elektronike.

Por, këto sisteme kanë edhe kosto.

Sipas një analize të bazës së të dhënave të prokurimit publik, të kryer nga Radio Evropa e Lirë, vetëm asistenti virtual i Administratës Tatimore i ka kushtuar shtetit rreth 196 mijë euro gjatë vitit 2026.

Asnjë prej institucioneve që i përdorin këto sisteme nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si mbrohen të dhënat personale që qytetarët mund të ndajnë gjatë komunikimit me chatbotët.

Aktualisht, Serbia mbështetet në Strategjinë për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale 2025-2030 dhe në Udhëzimet Etike për Zhvillimin dhe Përdorimin e Inteligjencës Artificiale, por këto dokumente nuk kanë fuqi detyruese ligjore.

Komisionari për Informim me Rëndësi Publike dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vlerëson se vendit i duhet një ligj i posaçëm për të rregulluar mbikëqyrjen e sistemeve të inteligjencës artificiale, mbrojtjen e qytetarëve dhe ndalimin e përdorimeve me rrezik ose diskriminuese.

“Për shkak se përdorimi masiv i këtyre sistemeve në Serbi ende nuk është i përhapur dhe mungon një kornizë e qartë ligjore, deri më tani nuk kemi pasur një numër të madh procedurash formale të inspektimit”, thonë nga ky institucion për Radion Evropa e Lirë.

Projektligji i posaçëm, i harmonizuar me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale, vazhdon të jetë në hartim, ndërsa miratimi i tij pritet deri në fund të vitit 2026.

“Projektligji është harmonizuar me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale”, thotë për Radion Evropa e Lirë Irena Gjorgjeviq nga Aleanca Kombëtare për Zhvillim Ekonomik Lokal (NALED) – organizatë që është pjesë e grupit punues për hartimin e këtij ligji.

Sipas Gjorgjeviqit, projektligji parashikon që sistemet dhe modelet e inteligjencës artificiale të klasifikohen sipas nivelit të rrezikut që paraqesin.

“Do të ketë sisteme të ndaluara, të cilat nuk do të lejohen fare në treg, sisteme me rrezik të lartë, me rrezik mesatar dhe me rrezik minimal. Ligji do të zbatohet si për zhvilluesit vendas, ashtu edhe për ata të huaj të sistemeve dhe modeleve të inteligjencës artificiale”, thotë ajo.

Ana Toskiq Cvetinoviq, nga organizata joqeveritare Partneri Srbija, paralajmëron se projektligji përmban disa përjashtime të diskutueshme.

Një prej tyre është përjashtimi i sektorit të mbrojtjes nga zbatimi i ligjit.

Ajo shton se aktualisht nuk ka një evidencë zyrtare për mjetet e inteligjencës artificiale që përdoren nga institucionet shtetërore dhe as rregullore të brendshme që përcaktojnë mënyrën e përdorimit të tyre, megjithëse, sipas saj, mjete si ChatGPT tashmë përdoren në sektorin publik.

Eksperti gjyqësor i teknologjisë së informacionit, Enes Çengiq, thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale si mjet pune është i dobishëm, sepse e përshpejton ndjeshëm punën.

Por, ai thekson se inteligjenca artificiale gabon dhe se përgjegjësia për rezultatin përfundimtar mbetet gjithmonë te njeriu që e përdor.

Për të ilustruar rrezikun e keqpërdorimit, ai sjell këtë shembull: “Është njësoj sikur dikush të shkruajë një punim doktorature për romanin Ura mbi Drin, pa e lexuar kurrë librin”.

të fundit

Egnatia zyrtarizon Arben Metën në postin e Drejtorit Ekzekutiv

EgnatiaKlubi i Futbollit Egnatia ka prezantuar zyrtarisht Arben Metën si Drejtorin e ri Ekzekutiv të klubit [...]Read More...

1 minute ago

Dy shtetas kosovarë ekstradohen nga Gjermania në Kosovë pas kërkimit ndërkombëtar

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së…

1 minute ago

Sunderland mbyll çështjen e Granit Xhakës, mesfushori shqiptar nuk lëviz në verë

Granit XhakaGranit Xhaka do të vijojë të mbetet pjesë e Sunderland [...]Read More...

2 minutes ago

Pse gjatë verës duhet t’i kushtoni më shumë rëndësi marrjes së kaliumit?

Një dietë e shëndetshme përfshin një marrje të ekuilibruar të lëndëve ushqyese, por rëndësia e disa prej tyre është veçanërisht…

3 minutes ago

VIDEO/ Mirlind Daku e hap me gol sezonin e ri, sulmuesi i Kombëtares jep sinjale të forta për Rolando Maran

Mirlind DakuRubin Kazan ka zhvilluar miqësoren përballë Orenburg, e vlefshme në kuadrin e miqësores prag sezonit të ri, e përfunduar…

4 minutes ago

Spanja me katër mungesa në stërvitje para duelit me Portugalinë

Kombëtarja e Spanjës është rikthyer në seancat stërvitore pas fitores bindëse ndaj Austrisë, por disa mungesa të rëndësishme janë vënë…

11 minutes ago