Categories: sport

Vesel Demaku zgjodhi Kosovën para Austrisë: “Vendimi lidhet me historinë dhe identitetin tim

Edhe pse ka lindur dhe është formuar në Austri, Vesel Demaku vendosi që në nivel kombëtaresh të përfaqësonte Kosovën, duke lënë pas mundësinë për të luajtur për Austrinë.

Të lidhura

None found

Në një intervistë dhënë për mediumin austriak Der Standard, mesfushori ka shpjeguar për herë të parë gjerësisht arsyet që ndikuan në këtë zgjedhje. Sipas tij, vendimi nuk kishte të bënte vetëm me futbollin, por edhe me prejardhjen familjare dhe identitetin e tij.

“Absolutisht. Mendoj se pasi të kesh qenë atje dhe të kesh njohur njerëzit – është shumë më tepër se kaq. Jam bërë edhe më i vetëdijshëm për këtë që kur luajta ndeshjet e mia të para ndërkombëtare. Është shumë më tepër sesa thjesht sport”, ka deklaruar Demaku për lidhjen e tij me Kosovën.

Një rol të rëndësishëm në këtë histori ka edhe gjyshi i tij, Veseli, emrin e të cilit e mban futbollisti. Ai humbi jetën si ushtar gjatë Luftës së Kosovës, ndaj mundësia që Demaku të luante për përfaqësuesen kosovare 25 vjet më vonë kishte një kuptim të veçantë.

“Ai vdiq si ushtar në Luftën e Kosovës dhe mua më dhanë emrin e tij. Për njerëzit atje dhe për mua, është padyshim një gjë e madhe të jem në gjendje të luaj për ekipin kombëtar 25 vjet më vonë”, është shprehur ai.

Demaku ka nënvizuar se vendimi për Kosovën nuk nënkupton mungesë dashurie apo mirënjohjeje ndaj Austrisë, vendit ku familja e tij gjeti strehim dhe ku ai u rrit.

“E dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën. Jam jashtëzakonisht mirënjohës që familja ime arriti të gjejë strehim këtu dhe besoj se e gjithë familja ime është një shembull i suksesshëm i integrimit”, ka thënë ai.

Me kalimin e kohës, teksa u njoh më shumë me historinë e Kosovës dhe u përfshi në çështjet politike e historike, bindja e tij për zgjedhjen që do të bënte u forcua.

“Kur u rrita, kur i kupton gjërat më mirë dhe angazhohesh më shumë me politikën dhe historinë – atëherë thashë se doja ta bëja me bindje 100%”, ka rrëfyer futbollisti.

Zgjedhja e tij nuk kaloi pa kundërshti në Austri. Demaku thotë se e kishte parashikuar një reagim të tillë, por mënyra se si u paraqit vendimi e lëndoi, veçanërisht pasi ai e sheh veten si dëshmi të integrimit në shoqërinë austriake.

“Po, shumë. Por isha i përgatitur për këtë. Më dhemb vërtet, sepse e dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën”, ka deklaruar ai.

Për mesfushorin, të luash me fanellën e Kosovës është një përjetim që tejkalon kufijtë e sportit. Ai ka folur për krenarinë e debutimit, emocionet gjatë himnit dhe atmosferën e krijuar para ndeshjeve të përfaqësueses.

“Herën e parë, je jashtëzakonisht krenar. Kur sheh sa krenar mund të krijosh familjen tënde me profesionin tënd, është jashtëzakonisht përmbushëse. Ishte gjithashtu një histori e madhe për babanë tim, babai i të cilit vdiq në luftë”, ka treguar Demaku.

Ai ka kujtuar gjithashtu atmosferën që mbizotëron në Kosovë gjatë sfidave të rëndësishme. Demaku ka theksuar se objektivi i tij dhe i bashkëlojtarëve është që një ditë ta çojnë Kosovën në Kampionat Evropian ose në Kupën e Botës.

“Kualifikimi për një Kupë Bote ose Kampionat Evropian për Kosovën do të ishte i pabesueshëm. Kemi kaq të rinj, duam t’u tregojmë atyre: Po, është e mundur, mund të jesh shqiptar nga Kosova dhe të arrish diçka në jetë”, ka përfunduar Demaku.

të fundit

A është në një lidhje?/ Egli Tako i përgjigjet kureshtjes së fansave

Këngëtarja Egli Tako ka folur së fundmi për jetën e saj private, duke iu përgjigjur edhe kureshtjes së fansave për…

5 minutes ago

Pula: UÇK-ja përfaqëson një kapitull vendimtar të historisë së Kosovës

Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Justina Pula ka reagur lidhur me vendimin dënues të Gjykatës Speciale…

11 minutes ago

Tragjedia në Athinë: Katër shqiptarë humbën jetën nën rrënoja, Florida Hoxha ishte avokate e shkëlqyer ndërsa Erisa priste vajzën e saj të parë

Tragjedia në Plaka të Athinës ka lënë pas dhimbje të thellë te familjarët dhe miqtë e viktimave, ku 4 prej…

11 minutes ago

Modeli statistikor projekton Shqipërinë si fituese të grupit dhe ngjitëse në Ligën B

Liga e Kombeve dhe FSHFLiga e Kombeve do të vazhdojë sonte me ndeshje prestigjioze mes kombëtareve europiane, aty ku edhe…

12 minutes ago

Lamine Yamal zbulon prapaskenat e finales së Botërorit 2026: Ishim të bindur se Argjentina nuk do të shënonte

Lamine Yamal ka rrëfyer prapaskenat e finales së Botërorit 2026, ku Spanja mposhti Argjentinën për t’u shpallur kampione e botës.Sulmuesi…

13 minutes ago

Zjarri në varrezën e makinave mbulon Tetovën me tym, banorëve u kërkohet të mbyllin dritaret

Zjarri që shpërtheu sot pasdite në Tetovë është ndodhi në një varrezë makinash, ku janë përfshirë goma, akumulatorë dhe pjesë…

26 minutes ago