Spanja ka prenotuar biletën për finalen e Kupës së Botës 2026 duke skalitur një kapitull të ri në analet e turneut, falë një performance mbrojtëse që me të drejtë mund të cilësohet si një prej më fantastikeve të vërejtura ndonjëherë.
None found
Ekipi i drejtuar nga Luis de la Fuente ka realizuar 13 gola, ka lejuar vetëm një dhe ka ruajtur rrjetën e paprekur në gjashtë prej shtatë sfidave të luajtura deri më tani.
Në gjysmëfinale, spanjollët i dhanë një leksion të vërtetë Francës, duke e mposhtur 2-0 dhe duke ushtruar një kontroll të plotë edhe nga ana mbrojtëse. Të besuarit e Didier Deschamps prodhuan një xG (gola të pritshëm) prej vetëm 0.3, shifër kjo më e ulëta e regjistruar për ta në një ndeshje të Botërorit që prej vitit 1966, moment kur Opta filloi përllogaritjen e këtyre të dhënave.
Një arritje e ndarë me vetëm katër kombëtare të tjera
“La Roja” e mbylli fazën e grupeve pa pësuar asnjë gol përballë Kepit të Gjelbër, Arabisë Saudite dhe Uruguait, teksa e ruajti portën të pastër edhe në duelet me Austrinë dhe Portugalinë gjatë fazës me eliminim direkt.
Rrjeta e tyre u tund për herë të parë dhe të vetme në çerekfinale, atëherë kur sulmuesi belg Charles De Ketelaere arriti të thyejë rezistencën e portierit Unai Simon.
Përpara Spanjës, vetëm Italia (2006), Gjermania (2002), Holanda (1974) dhe Anglia (1966) ia kishin dalë të mbërrinin në finalen e Kupës së Botës duke lejuar vetëm një gol përgjatë gjithë shtegut të tyre.
Spanja e ka çuar më tej modelin italian të 2006-ës
Shembulli më i përafërt mbetet Italia kampione e botës në vitin 2006.
Formacioni i drejtuar nga Marcello Lippi u kualifikua në finale pasi kishte marrë vetëm një gol në gjashtë takime, por këtu qëndron një ndryshim thelbësor.
Për shkak të formatit të ri me 48 skuadra dhe prezantimit të raundit të 1/16-ave, Spanja ka luajtur tashmë shtatë ndeshje para finales, një më tepër se sa kishte zhvilluar Italia.
Për më tepër, Italia nuk u shpua asnjëherë nga lojtarët kundërshtarë. Goli i vetëm i pësuar erdhi si pasojë e një autogoli të Cristian Zaccardos gjatë ndeshjes së grupeve me Shtetet e Bashkuara.
Në finalen e madhe, Zinedine Zidane e mposhti Buffon-in nga penalltia, por Italia e fitoi trofeun kundër Francës pas ekzekutimit të penalltive, duke e përfunduar kështu turneun me gjithsej vetëm dy gola të inkasuar.
Ajo skuadër azure konsiderohet edhe sot si një nga strukturat më të forta mbrojtëse të të gjitha kohërave, me figura si Gianluigi Buffon, Fabio Cannavaro, Marco Materazzi, Gianluca Zambrotta dhe Fabio Grosso. Cannavaro, në sajë të atij Botërori, u shpërblye më pas edhe me Topin e Artë.
Gjermania 2002, Holanda 1974 dhe Anglia 1966
Edhe Gjermania e vitit 2002 iu afrua ndeshjes për titull duke pasur të pësuar vetëm një gol.
Ekipi i Rudi Vollerit u shpua vetëm nga Robbie Keane në barazimin 1-1 me Irlandën, për të regjistruar më pas tre suksese radhazi me rezultatin 1-0 në fazën me eliminim direkt.
Vetëm në finale, Ronaldo i shënoi dy herë Oliver Kahn-it dhe i dha fund asaj ecurie të jashtëzakonshme, megjithëse portieri gjerman u nderua me “Topin e Artë” si lojtari më i mirë i turneut.
Një histori e ngjashme shoqëron edhe Holandën e vitit 1974. Skuadra legjendare e Johan Cruyff kishte pësuar po ashtu vetëm një autogol përpara finales, por u mposht 2-1 nga Gjermania Perëndimore në ndeshjen vendimtare.
Edhe Anglia në 1966 arriti në finale duke pësuar vetëm një gol në pesë ndeshje.
Gordon Banks e mbajti portën të paprekur për 442 minuta, deri në momentin kur Eusebio e mposhti nga penalltia në gjysmëfinale. Anglia fitoi më pas finalen përballë Gjermanisë Perëndimore 4-2 pas kohës shtesë.
Spanja ka firmosur tashmë rekorde absolute
Pavarësisht se çfarë do të ndodhë në finale, formacioni i Luis de la Fuente e ka të sigurt një vend nderi në historinë e Kupës së Botës.
649 minuta pa pësuar gol, duke vendosur serinë më të gjatë të të gjitha kohërave në këtë turne. Ky cikël imponues nisi në Botërorin e vitit 2022 dhe u ndërpre vetëm në çerekfinalen e Botërorit 2026, nga goli i Charles De Ketelaere.
Gjashtë takime pa pësuar në një edicion të vetëm, çka përbën një rekord maksimal për kompeticionin.
Standardi i mëparshëm pas shtatë ndeshjesh ishte pësimi i dy golave, i mbajtur nga Italia 1990, Franca 1998, Italia 2006 dhe vetë Spanja 2010. Duke lejuar vetëm një gol, Spanja e ka kaluar tashmë këtë prag.
Një rekord historik është vetëm 90 minuta larg
Rekordi për kampionin e botës me mbrojtjen më të pakapërcyeshme qëndron te dy golat e pësuar gjatë një turneu, shifër kjo e ndarë nga Franca (1998), Italia (2006) dhe Spanja (2010).
Nëse Spanja fiton finalen pa lejuar asnjë gol, ajo do të hyjë në histori si e para kombëtare që shpallet kampione e botës duke pësuar vetëm një gol në të gjithë turnenë, një sukses që do ta vendoste skuadrën e Luis de la Fuente në Olimpin e formacioneve më të mëdha që ka njohur ndonjëherë sporti mbretëror.
Një nga talentët më të mëdhenj që ka prodhuar futbolli kosovar në vitet e fundit është gati të shkruajë histori.…
Ambasadori i Irlandës, Brendan Ward, gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës së Bashkimit Evropian, vetëm disa fjali ia kushtoi zgjerimit…
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është tashmë në qendër të hetimeve të SPAK edhe për çështjen “Bankers”, pasi kallëzimi i ri penal…
Policia në Londër ka arrestuar një burrë nën dyshimin se ka kërcënuar me vrasje liderin e Reform UK, Nigel Farage.…
Françeska Murati ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve me postimin e saj më të fundit në rrjetet sociale, ku ka prezantuar…
Gjatë mbledhjes së Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale u regjistrua një përplasje mes kryetarit të komisionit, Fatmir…